Femra dhe biznesi, lidhje ende e vështirë

Femra dhe biznesi, lidhje ende e vështirë
Eglantina Nasi

Të jesh femër dhe biznesmene në të njëjtën kohë, në Shqipëri duket se është ende një lidhje e vështirë. E kjo, megjithë mbështetjen që shteti po përpiqet t’u japë sipërmarrjeve të drejtuara prej tyre, apo edhe ndryshimit progresiv të mentalitetit të trashëguar nga e kaluara për femrën “nën urdhrat e meshkujve”.

Këtë e faktojnë të dhënat zyrtare, sipas të cilave rezulton se bizneset e drejtuara nga femrat rezultojnë në kufirin prej rreth 30% të totalit të tyre. Ku ajo që bie në sy është fakti se qarku i Tiranës ka edhe përqendrimin më të madh të tyre, me rreth 48% të bizneseve, përballë qarkut të Kukësit i cili shënon edhe nivelin më të ulët, vetëm 5.6%. Për ta referuar kështu kryeqytetin si vendin ku femra ende sot e kësaj dite ka mundësinë që të realizohet, qoftë dhe si biznesmene.

Gjë e cila duket ende e vështirë edhe aty madje, mjafton të referojmë faktin se rreth 93% e totalit të aktiviteteve private të drejtuara nga femrat janë kryesisht me vetëm 1 deri në 4 të punësuar. Duke treguar në njëfarë mënyre njëfarë stepje të tyre për të ndërmarrë sipërmarrje të mëdha private. Ku për këto të fundit (me 50 e më shumë të punësuar), referuar Institutit të Statistikave, rezulton se angazhimi i tyre është deri në nivelin prej 20% të totalit. Deri edhe në 16% për shoqëritë aksionere apo 18% për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar.

Tregues të tjerë këta që e përforcojnë idenë se biznesi femëror si i tillë paraqitet ende në fazë rritje të tij, megjithë ndihmën që po përfiton së fundmi nga shteti për të funksionuar si i tillë. Mjafton të kujtojmë këtu se vetëm nga fondi i përcaktuar prej Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve kanë përfituar 62 gra nga 99 biznese në total, ose 48% të fondit të akorduar për 62% të përfituesve. Sikundër, duhet pranuar se zhvillimi i tij ka të bëjë edhe me mësimin nga përvojat, por edhe iniciativën personale që secila femër ushqen brenda vetes.

“Prej gati një dekade kam punuar me agjencinë time turistike dhe nuk kam ndalur”, tregon mikja ime Etleva, historinë e saj personale në të bërit biznes. Duke shtuar në këtë kuadër se përveçse pasionit, ky aktivitet e ka përmbushur tashmë edhe me shumë përvojë të vlefshme në kuadrin e zhvillimit të turizmit si i tillë.

E modele të tilla femrash që përballen çdo ditë me vështirësitë e botës së biznesit, ka shumë, por gjithsesi niveli i tyre lë për të dëshiruar. Fakt ky që konfirmohet edhe nga vetë Forumi Ekonomik Botëror, sipas të cilit rreth 56% e femrave në Shqipëri paraqiten të dekurajuara që të kërkojnë një punë, por në të njëjtën kohë edhe të krijojnë një punë të tyren.

Open Data: Femrat sipërmarrëse fitojnë vetëm 5% të tenderave

Që të jesh femër sipërmarrëse në Shqipëri, do të thotë se e ke vështirë edhe të të besojnë paratë publike. Këtë e tregojnë të dhënat më të fundit të organizmit “Open Data”, sipas të cilave rezulton se femrat arrijnë të thithin vetëm 5% të totalit të fondeve të prokurimeve nga njësitë vendore në rang vendi.

“Nga 4820 tendera në total, subjektet me pronësi femra kanë arritur të fitojnë 256 kontrata të njësive vendore”, citon studimi në fjalë.

Një peshë shumë e vogël kjo, po ta krahasosh me nivelin prej 30% që zënë sipërmarrjet e femrave në tërësi.

Por edhe me nivelin e fondeve të akorduara, ku po sipas këtij studimi, femrat arrijnë të marrin vetëm 3.2% e vlerës së kontratave të akorduara nga njësitë e qeverisjes vendore. Sikundër bie në sy edhe dukuria tjetër se tenderat u jepen femrave me biznese në pronësi të përbashkët me bashkëshortët.

ILO: 20% e meshkujve, i do femrat në shtëpi

Që femrat në Shqipëri janë pak të angazhuara në sektorin e punës, e sidomos në atë të drejtimit të një biznesi, një ndikim për këtë e japin edhe partnerët e tyre.

Kështu pohon të paktën Organizata Ndërkombëtare e Punës, ILO, e cila në Ditën ndërkombëtare të femrave, teksa ka botuar një studim për to ka theksuar se 20% e meshkujve shqiptarë nuk duan që femrat e tyre të punojnë, pale pastaj të kenë një biznes të tyrin.

Ndërkohë që edhe vetë12% e femrave shqiptare deklaruan se do të preferonin të qëndronin në shtëpi, në vend se të shkonin të punonin. Shifër kjo e cila është më e ulët krahasuar me rajonin, ku në vende të tilla si Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovinë, norma e femrave që kërkojnë të punojnë, dhe e sidomos ajo e meshkujve që duan që femrat në familjet e tyre të punojnë, ngjitet në mbi 30%, në disa raste edhe në 50%.

Ndërkohë që ato që kërkojnë të qëndrojnë në shtëpi janë në përqindje mjaft të vogël. Përjashtim të vetëm bën Kosova, ku vetëm 19% e femrave duan të punojnë, duke folur kështu për një mentalitet të ndryshem nga ai shqiptar sa i përket angazhimit të femrës në një punë apo edhe sipërmarrje private.

Nga ana tjetër, studimi në fjalë, teksa i ka pyetur femrat se çfarë do të zgjidhnin për të bërë, ka rezultuar se 25% e tyre kanë deklaruar që do të donin një punë me pagesë. Pra duke referuar kështu një sipërmarrje që ta drejtonin vetë, duke e konsideruar këtë si një risk për to.

Tregues ky që ndryshon në fakt në varësi të arsimit që paraqesin vetë femrat. Kështu, norma e dëshirës për të mos punuar rritet edhe më shumë për femrat shqiptare të cilat kanë arsim fillor, e më pak tek ato me arsim të mesëm, ndërsa ato me arsim të lartë realisht janë të predispozuara për të punuar dhe drejtuar biznese.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: