FORUM/ A duhet të ndalohen filmat me propagandë komuniste?

FORUM/ A duhet të ndalohen filmat me propagandë komuniste?
 

Flasin me gazetën “Albanian Free Press”, emrat e mirënjohur të kinematografisë shqiptare, Hajrije Rondo, Kujtim Gjonaj, Anastas Nika, Merita Dabulla

Albert Z. Zholi

Emrat më të njohur të kinematografisë shqiptare, janë prononcuar ditët e fundit për gazetën “Albanian Free Press” mbi idenë e hedhur së fundi për të ndaluar transmetimin e një numri filmash të prodhuar gjatë sistemit komunist, ku subjekti apo skenari dhe/ose pjesë të caktuara të këtyre filmave kanë propagandë komuniste.

Ky debat ka përshirë jo vetëm regjisorët, aktorët, skenaristët, kompozitorët por edhe politikën dhe gjithë shoqërinë shqiptare. E gjithë kjo “furtunë” erdhi si rezultat i diskutimeve në rrjete sociale dhe publikun e gjerë, se filmat e prodhuar gjatë periudhës së diktaturës komuniste ndiqen dhe sot po me aq kureshtje sa dhe dje.

Në numrin e sotëm flasin me “Albanian Free Press”, aktorja e njohur Hajrije Rondo, producenti, regjisori dhe skenaristi Kujtim Gjonaj, aktori Anastas Nika dhe aktorja Merita Dabulla

 

Hajrije Rondo - “Mjeshtre e Madhe”

“Ato filma ne i kemi bërë me gjak”

“E kush e thotë këtë? Besoj dikush që nuk di të thotë ç’është arti, ç’është filmi. Por e kam dhe unë një pyetje, filmat e atij sistemi, mos vallë janë hequr në Rusi, Bullgari, Çeki, Hungari, Rumani, Serbi, Kroaci, apo në të gjitha vendet ish-komuniste? Jo. Arti është art. Ato filma ne i kemi bërë me gjak. E kuptoni, me gjak.

Punonim orar pa orar por me dëshirë aman. Me dëshirë që sot nuk ekziston. Linim fëmijët vetëm. Linim fëmijët vetëm, linim shtëpinë pa rregulluar, linim hallet tona dhe vraponim në punë. Hiq disa ideologjizma, ato filma kanë brenda artin shqiptar, kanë historinë tonë, kanë traditat tona, kanë këngët tona, hallet shqetësimet, kanë mesazhin historik të duam atdheun.

Madje mund të them se jo çdo film ishte i ideologjizuar. Jo, kishte shumë filma që nuk kanë përcjell mësimet e parisë, madje mund të them që kanë përcjellë vetëm historinë tonë, përpjekjet për liri dhe pavarësi. Po a e mendojnë ata njerëz se si mund të hiqet të zhduket 50 vjet kinematografi? A e kuptojnë që ky do të jetë krimi më i madh që mund t’i bëhet artit dhe kinematografisë shqiptare? A e kuptojnë që kjo do të bëjë që filmografia shqiptare të mos ketë ditëlindje?

Si do t’u thuhet brezave? Kur lindi kinematografia shqiptare? Do grenë supet? Do bëjnë të paditurin. 50-vjet histori do të rrijë në boshllëk? Po a mund të lihen pa u parë artistët e mëdhenj shqiptarë dhe të mos njihen nga brezat si Naim Frashëri, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Violeta Manushi, Sulejman Pitarka, Lazër Filipi e dhjetëra të tjerë? Me se do të mbushet ky boshllëk?

Në asnjë sistem apo regjim nuk është luftuar arti në këtë mënyrë se si veprohet këtu. Duan të zhdukin historinë, të zhdukin artin magjik, por gabojnë. Historia do ti dënojë rëndë idetë dhe mendimet e tilla. Arti i takon popullit, jo individit.”

 

Kujtim Gjonaj - “Mjeshtër i Madh”

“Nuk mund të lëmë bosh një histori 50-vjeçare apo të bëjmë gabimet e sistemit monist”

“Mos të harrojmë se çdo kohë ka misionin e vet. Unë mendoj se qoftë filmi artistik i asaj kohe, qoftë filmi dokumentar, përbën atë që ne e quajmë histori të vendit. Një grup të ashtuquajtur intelektualë sot po hedhin baltë mbi një histori 50-vjeçare të filmit shqiptar dhe duan ta zhdukin atë nga transmetimi. Për mendimin tim këta nuk janë as intelektualë sa hiqen. Të mohosh punën e një brezi të tërë kineastësh, të mohosh punën e një brezin të tërë artistësh, skenaristësh, regjisorësh, kompozitorësh, grimierësh, etj., është njëlloj sikur të hedhësh poshtë historinë e një vendi.

Të veprojmë me sjelljen e këtyre pseudointelektualësh, është njëlloj që të lëmë bosh një histori 50-vjeçare apo të bëjmë gabimet që u bënë në sistemin monist ku X apo Y shkrimtarë, politikan, udhëheqës, rrëzohej nga karrigia ne detyroheshim të hiqnim foto e tyre që kishim bërë, t’i hiqnim nga jeta jonë, mos i përmendim më, madje dhe t’i poshtëronim me ose pa dashje. Pra ne me këtë stil sjelljeje biem në një neo-censurë, në një mënyrë tjetër të vlerësimit të historisë. Sot është një situatë tjetër, një sistem tjetër ku ka mjaft televizione, ku hapësira për të parë dhe komanduar pultin është shumë e zgjeruar dhe atij që nuk i pëlqen një film mund të kalojë në një stacion tjetër, ndaj jemi në demokraci, kur hapësirat të jenë pa limite, ndryshe se sa në monizëm.

Këta janë po ata zëra që mundohen të errësojnë vlerat e të madhit Dritëro Agolli, për të kaluar tani tek filmi, më pas do luftojnë dhe muzikën dhe ta lëmë çdo art pa indetitet. Po me kaq forcë po luftohet letërsia socrealzimit ku kanë dalë vepra brilante të Agollit, Kadaresë, Fatos Arapit, Spahiut, dhe më vonë do dalin në artet figurative. Kështu bota do thotë ky vend nuk ka histori, nuk ka kujtesë nuk ka kulturë.

Pse ndodh ky mohim? Këta filma mund të kenë mangësitë e kohës, deri diku dhe politizim, por në fund të fundit është historia e një vendi që nis nga prehistoria deri ën ditët e sotme pa njohur boshllëqe kohore. Historia e një vendi nuk fillon me individin por me shoqërinë. Historia e një vendi është një histori kolektive ku secili prej nesh ka meritën për të vënë sado dhe një gur të vogël në këtë histori. Arti nuk bëhet sipas stinëve politike.

Arti nuk është si puna e xhaketave që ndërrohet sipas stinëve. Arti bëhet në kohën dhe në vendin e duhur dhe nuk ndryshon në një kohë tjetër. Po të hedhim poshtë atë sistem, atë stinë kohore të një vendi, do hidhej poshtë një histori jo e vogël. Me luftën kundër komunizmit ne shkatërruam uzinat, fabrikat, punishtet, brezaret e bregdetit, kanalet ujitëse, hidrovorët, tani i erdhi radha dhe filmit, artit, kulturës. Dëshirat e tre-katër njerëzve nuk duhet të dalin mbi rregullat e historisë.

Këta janë individë që deri dje janë dëmtuar nga lufta e klasave dhe sot duan të hapin një luftë klasash të re më të egër. Ndoshta ka ndonjë vepër që ka pasur defekte, por jo të sulmohet gjithë filmografia, gjithë arti, letërsia. Mund të them se gjithë shkrimtarët e sotëm së bashku nuk arrijnë dot veprën e Dritëro Agollit dhe të Isamil Kadaresë. Kështu mund të them dhe për filmin.”

 

Anastas Nika – aktor

“Absurde të censurosh një punë të bërë me zemër e shpirt”

Mendja më shkon rreth fillim viteve ’80, kur si student të artit skenik shkonim në “Kinostudio, ku do të shikonim një film rus të ndaluar, i cili titullohej “I dyzetenjëti” dhe pas dekadash të tëra vetëm tani më erdhi nder mend titulli i këtij filmi që tronditi sistemin rus të asaj kohe, e vetëm e vetëm pse po flasim për ndalim filmash, ndryshe ndoshta s’do të kujtohesha…. E ndryshe s’do të kujtohesha për një film si ai, që vërtet është i veçantë se për rreth një orë e ca është film i realizmit socialist, e vetëm për pak sekonda në fund, ai e tradhton idealin komunist. Heroina përlotet mbi armikun e klasës vrarë prej saj duke i thënë “Sykaltri im”. Kurrë se kam dëgjuar qysh atëherë këtë film… E me këtë kujtesë dua të them që koha është seleksionuesi më i mirë i gjërave dhe në këtë rast filmave të kohës së socrealizmit.

Është absurde të mendosh sot, kur flasim për lirinë e fjalës e mendimit, të kërkosh të censurosh në mënyrë drastike një histori gjysmëshekullore, një punë e bërë me zemër e shpirt të mbarë krijuesve shumë të talentuar shqiptarë. Shpesh herë bëhet fjalë për ç’mitizim dhe aq përparësi merr kjo gjë sa vetë ç’mitizimi kthehet në një mit... E nëse do të ndalojmë filmat e kohës së komunizmit, atëherë duhet të ndalohet gjithçka e krijuar e ndërtuar në atë kohë, që nga veprat e artit të mirëfilltë në letërsi, muzikë, koreografi, pikturë, teatër e film gjer tek veprat e artit si ura, rrugë e hekurudha, godina, ata që i bënë ato e kush bëri ata, sepse gjithçka e ndërtuar atë periudhë sigurisht mban vulën e kohës së komunizmit…E sigurisht që kjo është e pamundur të ndodhë, se pastaj do të kërkonim vetëm ne si shqiptarë që të kthenim kohën pas, ti zhduknim këto 50 vite, e ndryshe nga bota të ktheheshim me një vendim unanim 50 vjet pas botës, duke menduar që jemi para saj…Le t’ia lëmë kohës. Ajo bën çudirat. Edhe një prej djemve të mi, i cili ka qenë i dashuruar për të parë filmat e asaj kohe duke qëndruar me orë të tëra, ku edhe bukë hante duke parë filmat si “Beni ecën vetë”, “Shoku ynë Tili”, “Përrallë nga e kaluara”, “Zonja nga qyteti”, Malet me blerim mbuluar”, “Lulëkuqe mbi mure”, “Plumba prej plasteline”, “Dueli i heshtur”, “Skënderbeu”, “Nëntori i dytë” e dhjetëra filma të tjerë, dhe nuk shoh ta kenë dëmtuar, përkundrazi e kanë bërë më të dashur dhe më të ndjeshëm ndaj atdheut, njerëzve të tij të të gjitha krahinave e besimeve, vlerave e traditave të kombit të tij... E kanë bërë më atdhetar, më serioz e shumë bashkëkohor. Ai ka njohur nga afër qysh i vogël aktorë ikona si Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Timo Flloko, Agim Qirjaqi, Niko Kanxheri, Vangjush Furxhiu, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, e gjer tek shokët e mi të kursit, idhujt e gjithë fëmijëve shqiptarë si Beni tek “Beni ecën vetë” Herion Mustafaraj, apo Tomka tek “Tomka dhe shokët e tij si Enea Zhegu, e gjer tek pedagogu i tij aktori i njohur Ahmet Pasha. Sot kushdo prej nesh në këtë botë demokratike ku interneti, libri, udhëtimet, njohja me njerëz nga kombe të ndryshme na e ka bërë më të lehtë për ta njohur, e kushdo dua të them i ka të gjitha mundësitë të gjejë vetveten dhe njohë botën, të mirën e të keqen dhe të luftojë për ta bërë edhe më të mirë këtë botë, e nëse s’mundet ta bëjë këtë, të paktën mos ta prishë atë.

Merita Dabulla - Aktore

“Për mua "censurë" ndaj këtyre filmave le të jetë koha”

“Unë mendoj se çdo film, çdo rol çdo dramë, çdo komedi duhet t’ia lëmë kohës nis duhet të shfaqet apo jo. Koha është ajo që jep vlerësimin. Koha bën diferencimin dhe të jep notën e saktë. Të mos kemi censurë të rreptë. Filmat shqiptar janë historia e vendit tonë. Ato nuk mund të hiqet me një të rënë të lapsit. Çdo njeri në jetë ka historinë e tij që në fund bën bilancet, këtë e bëra mirë këtë e bëra keq. Çdo lloj filmi ka ose paraqet një pjesë të historisë në një moment të caktuar. Tërë ato që jepen në filma tregojnë jetën në një kohë të caktuar, paçka se mund të ketë dhe teprime, dhe lustra dhe thirrje "Partia, partia" apo dhe ideologjizma të tepruara. Sigurisht nga këto ka pasur, por nuk përbëjnë thelbin, të tërën masiven, të prekshëm. Jo, ato janë pjesë e vogël e një filmi.

Aty është pasqyruar jeta, koha, qyteti, hallet problemet, shqetësimet, arritjet, tronditjet e shoqërisë. P.sh marrim filmat "Duel i heshtur? Apo "Fillrojtësi", ato janë pjesë e asaj shoqërie, e asaj periudhe historike. Ato ishin ngjarje reale, ngjarje të ditës. Nuk mund ti mohosh. Fillrojtësi ishte një e vërtetë dhe nuk doli kot si hero. Heronj ka çdo epokë, çdo kohë. Edhe sot e kësaj dite ka heronj, dhe ata lindnin në sajë të punës, përpjekjeve, dëshirave, synimeve dhe kërkesave që kanë ndaj vetes dhe shoqërisë. Njerëzit kanë pasione, intuitë por dhe dashuri për vendin e vet. Në të gjitha kohët kanë dalë heronj nga vendi ynë. Edhe një libër që bëjmë përcjell një histori të caktuar në vend dhe në kohë. Ahere duke hedhur poshtë filmin ne duhet të hedhim poshtë dhe librat. Shumica e filmave nga librat kanë dalë si skenarë, atëherë i bie që të hedhim poshtë krijimtarinë e Ismail Kadaresë, të Dritëro Agollit. Përpos këtyre duhet të hedhim poshtë dhe muzikën e atij filmi, edhe kompozitorët. Sot bëhen filma për Duçen për Hitlerin dhe nuk ndalohen. Jo, nuk ndalohen se njeriu duhet të njihet me të mirën dhe me të keqen dhe pastaj i bën vetë dallimet, i bën vetë seleksionimet. Bota i ruan këta filma i ruan madje me shumë kujdes pasi është historia, tradita, kultura e një kombi. Ne sot nuk e kemi pranë Fan Nolin, por nga filmat dokumentarë të saj kohe zëri i tij vjen i fuqishëm dhe i gjallë dhe sot. Nëse s’do të ishin këta filma dokumentarë vallë a do ta dëgjonim zërin e tij? Jo! Kushdo që ka qenë në Greqi, ka parë filma që kanë të bëjnë dhe me Partinë Komuniste, kjo nuk do të thotë që ai ajo do të përqafojë atë ideologji. Përkundrazi duke i parë bën dallimet, bën seleksionimet. Kështu duhet bërë dhe për filmat tanë, pa censurë. Për mua "censurë" ndaj tyre le të jetë koha”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: