Goga: Të rikthesh call center-at në Itali, është sot diçka e paarritshme

Goga: Të rikthesh call center-at në Itali, është sot diçka e paarritshme
Flet për “Albanian Free Press”, administratori i kompanisë “Facile.it” (dega në Shqipëri), Lorenc Goga

***

“Të rikthesh call center-at në Itali, është sot diçka e paarritshme, sepse shumë kompani të mëdha kanë investuar me sukses në Shqipëri prej më shumë se 10 vitesh”.

Kështu shprehet në një prononcim të posaçëm për “Albanian Free Press”, administratori i kompanisë “Facile.it” (dega në Shqipëri), Lorenc Goga, duke shtuar se tregu shqiptar sot ofron punonjës të kualifikuar e nëse kërkohet, edhe të certifikuar, që japin rezultate shpeshherë edhe më të larta se vetë punonjësit italianë të këtij sektori.

“Është shumë e rëndësishme të nënvizohet fakti që kompanitë e telemarketingut me vetëdije të plotë dhe vullnet të mirë, ushtrojnë aktivitetin në vendin tonë, sepse gjejnë një treg burimesh njerëzore të përgatitur. Nëse vetë punonjësit e sektorit tonë në Shqipëri, krijojnë një vetëbindje për çfarë thashë më sipër e vazhdojnë të punojnë me dëshirë, vullnet dhe profesionalistet të lartë, qeveria italiane, apo çdo institucion tjetër do ta kenë të pamundur të joshin kompanitë call center të rikthehen në Itali apo të mosdelokalizojnë në Shqipëri. Pra, çfarëdolloj sipërmarrje prohibicioniste antihistorike e qeverisë italiane, do të përballet me një JO!, të prerë e nga të gjitha kompanitë serioze që nuk shikojnë më, siç duhet të jetë normalisht, vendndodhjen e aktivitetit por cilësinë e punës, profesionalitetin e rezultatin final”, - pohon ai.

Duke përfunduar se dëshiron t’i inkurajojë punonjësit e këtij sektori, po dhe ata që kërkojnë punë, të vazhdojnë e të ruajnë profesionalitetin dhe cilësinë e lartë në punën e tyre të përditshme.

“Kujtoj, gjithashtu, qeverinë shqiptare që të fillojë seriozisht të merret me këto çështje për të mirën e vendit e të ardhmen e të rinjve tanë”, - apelon ai.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: