Gratë që punojnë VS gratë që nuk punojnë

Gratë që punojnë VS gratë që nuk punojnë
Nga Meri Dishnica

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Të jesh nënë, është mrekulli! Lumturia që kjo ngjarje sjell, është e madhe, rigjeneruese, madje, thuhet se e plotëson një femër! Por thuhet edhe kjo tjetra: Nuk mjafton, është thjesht një hap më pranë nënës natyrë, të gjithë mund ta bëjnë.

Të jetë lindja e një fëmije maksimumi që një femër mund të arrijë në jetë, gjithçka ajo kërkon nga jeta, gjithçka që kënaq egon e saj?!

Një nënë që punon, dhe një nënë që nuk punon. Janë të dyja gra fisnike, por me preferenca dhe pritshmëri të ndryshme. Çfarë përbën përparësi te njëri grup, sjell disavantazhe te grupi tjetër. Por, realisht, avantazhet dhe jo-avantazhet maten nga individi dhe hapat e tij, po aq sa edhe nga jeta dhe mundësitë që ajo krijon.

Nënat që nuk punojnë (Askush nuk do t’i quajë ato egoiste)

Po, avantazhi më i madh është koha kualitative dhe e mbushur me dashuri, që kalojnë me fëmijët. Një nënë në shtëpi është maksimumi që duan fëmijët (pyetini ata), asnjë kujdestare, vjehrrat apo gjyshet, nuk krahasohen në këtë pikë (mos ti gënjejë mendja). Avantazhi qëndron në faktin se ato janë aty për fëmijët, e dinë çfarë po bëjnë, çdo ditë, njohin miqtë e tyre të vegjël, vënë re qysh në fillim formimin e hershëm të karakterit të tyre, dinë lojërat e preferuara dhe ushqimin që urrejnë. Sidomos gjatë viteve të parë të jetës, prania e nënës me kohë të plotë, është tepër e dëshiruar nga fëmijët. Gratë më të përkushtuara, këtë bëjnë; heqin dorë nga gjithçka dhe përkushtohen te fëmijët dhe atëherë, askush nuk do guxojë t’i quajë ato egoiste! Të jesh një nënë në shtëpi, nuk është e vështirë; ajo çfarë duhet, është sakrificë (me shumicë).

Nënat që nuk punojnë (Minuse që nuk janë surprizë)

Shtëpiaket mund të ndihen të mërzitura me kalimin e viteve, rutina bëhet vërtet stresante dhe mungesa e jetës shoqërore mund të jetë “vrasëse”. Kjo mërzi, shpeshherë, mund të kalojë në faza depresive dhe manifestohet në forma të ndryshme, që, sigurisht, nuk janë të rënda; p.sh., një grua zbulon se është kthyer, pa e kuptuar, në një maniake pastërtie, specialiste kuzhine, “ngrënëse” parash apo e varur nga shopping…, sepse koha nuk u kalon asnjëherë, dhe ajo duhet mbushur, apo jo?! Por ajo që ato i vret më shumë, është pavarësia financiare, që u mungon. Ky fakt është i prekshëm në çdo minutë të ditës, fatkeqësisht…

Duke parë fëmijët në qendër të jetës së tyre, ato rrezikojnë t’i mbysin me një ekstra dashuri, t’i marrin “frymën” me përkujdesje të tepruara, dhe llastime të tepruara. Në këtë mënyrë, fëmijët e tyre në të ardhmen, mund të bëhen jo realist, të varur, dhe krejtësisht të papërgatitur për jetën.

Nënat që punojnë (Kur gratë fitojnë “pavarësinë”…)

Avantazhi më i madh i grave që punojnë, është ndjenja e pavarësisë. Nëse atyre do t’u duhej të kalonin në ndonjë moment të vështirë të jetës, gjithsesi, do të kishin punën si mbështetje financiare, të palëkundur, për vete dhe fëmijët. Dhe nuk do t’u duhej të kërkonin ndihmë, apo qoftë edhe “të mbyllnin një sy”, para gjërave që nuk i pëlqejnë tek partneri, por do t’u jepnin drejtim punëve, pa shkelur mbi dinjitetin e tyre.

Nëse një grua ka një punë të mirë, dhe nuk i mungon pasioni për të, përse ta lërë egon e vet në hije, dhe të bëjë shtëpiaken, duke urryer veten për vendimin e marrë, çdo ditë që kalon. Nënat që punojnë, fitojnë më shumë, ndihen mirë, dhe mund t’i lejojnë vetes shumë gjëra. Mund të llastojnë veten, pa u ndjerë fajtore. Është një kënaqësi ndryshe nga ajo që ke kur përdor kartën e kreditit të burrit, shumë më ndryshe….

Nënat që punojnë (Kur puna të mbron nga stresi)

Nga studimet e kryera, vitet e fundit, rezulton se nënat që punojnë, paraqesin shëndet të mirë fizik dhe mendor, vetëbesim të lartë dhe mirëqenie emocionale. Edhe pse duhet të pranojmë që, këto gra, e kanë patur shumë të vështirë të përshtaten me këtë ritëm dinamik jete, ia kanë dalë me sukses, pikërisht, sepse besojnë tek vetja dhe aftësitë e të qenit nënë gjithashtu (pa harruar që kanë patur mbështetjen e duhur të bashkëshortit, në kryerjen e detyrave). Gratë që punojnë, kanë raportuar më pak raste depresioni, në sjelljen e tyre manifestohet më tepër vetëkontroll dhe më pak ankth. Ato karakterizohen nga një shpirt i madh organizimi, duke gjetur kohën për çdo gjë (pothuajse).

Pikëpamje

Punësimi i grave (nënave), është një çështje që jo, rrallëherë, ngatërrohet. Shoqëria jonë, ende, tepër patriarkale, konsideron punën e grave të papërfillshme në krahasim me punën e burrave. Ndoshta kanë të drejtë, sepse në këtë aspekt gratë është provuar të paguhen më pak, por çështja nuk qëndron këtu. Frika nga gratë që punojnë, është e rrënjosur thellë tek burrat. Pavarësia e tyre i ka trembur gjithmonë ata.

Arsyet e vërteta, pse duhet të punojë një grua gjenden tjetërkund, qëndrojnë më larg se nevoja për para, më larg se nevoja për shoqëri, gjenden aty ku nis të pëlqejë ose jo vetja.

* Psikologe Këshillimi 

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: