Hasan Halili: Si na “torturonin” në stërvitje kur u pushtua Çekosllovakia

Hasan Halili: Si na “torturonin” në stërvitje kur u pushtua Çekosllovakia
Ish-ministri në kohën e diktaturës, më pas deputet i Partisë Demokratike në dy legjislatura, rrëfen problemet e ushtrisë shqiptare, sidomos pas pushkatimit të Beqir Ballukut në vitin 1974 dhe letrën e Mehmet Shehut...

***

Periudha kur ka qenë në zboret ushtarake si ish-oficer rezervë, apo edhe ajo në stërvitjet e ndryshme ushtarake nga veriu në jug të Shqipërisë. Këto janë ngjarjet më interesante të jetës së Hasan Halilit, rrëfyer në një intervistë të posaçme për “Albanian Free Press”. Duke shtuar më tej edhe si e ka përjetuar marshimin e famshëm në rrugën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe stërvitjen në Helmës, atje ku Ismail Kadare shkruante poemën e famshme “Shqiponjat fluturojnë lart”. Sikundër dhe faktin që në Vlorë i vunë të bënin për gjithë natën një rrugicë, ku dilte Enver Hoxha shëtitje. Madje ai flet edhe për problemet që dolën në ushtrinë shqiptare pas pushkatimit të Beqir Ballukut në vitin 1974 dhe letrën e Mehmet Shehut...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI

Në atë sistem, padyshim që do të kryhej dhe shërbimi ushtarak. Çfarë arsimimi ushtarak dhe çfarë marrëdhënie ke pasur me ushtrinë e regjimit komunist?

Trekëndëshi revolucionar i hedhur nga partia e asaj kohe ishte: Mësim, Punë prodhuese, Kalitje ushtarake. Për të gjetur zbatim kjo detyrë, në të gjitha nivelet, krahas të tjerave ishte kualifikimi ushtarak. Në Institut gjatë vitit të parë e të dytë ishte mësimi i artit ushtarak, rregulloreve, zbatimi praktik nëpërmjet stërvitjes së vazhdueshme. Lënda ushtarake ishte një nga 31 lëndët që bëheshin në fakultet e kishte edhe notë më vete me mbarimin e shkollës.

Po zbatimi në praktikë?

Përveç shërbimit ushtarak, ishin zboret dhe stërvitjet. Ajo që nuk e harroj është stërvitja e vitit 1964. Komiteti Qendror i Rinisë (KQR) organizoi një udhëtim me një togë ushtarake të përbërë nga të rinj nga të gjitha rrethet, në rrugën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare. Nga Instituti, që përfaqësonim rrethin e Tiranës, u caktova unë, Hyseni nga Shkodra, Leonora Prillo nga Përmeti dhe Rabie Lameborshi nga Radhima e Vlorës. KQR për çdo njeri, na dha për një muaj nga 1500 lekë para xhepi, se për të ngrënë do të kishim një skuadër ushtarësh që do të na gatuanin. U mblodhëm ne të katërt, që lamë punën në prodhim në Institut e u nisëm në këtë rrugë 1-mujore. Vendosëm që paratë t'i mbante vetëm njëri prej nesh e harxhimet do t'i bënim duke u konsultuar me njëri-tjetrin. Ekonomist më lanë mua. Unë si i rreptë në harxhime, parashikoja edhe ndonjë vështirësi rrugës, e mund të na duhej të blinim për të ngrënë. Dhe kjo ndodhi me të vërtetë. Nga fshati Gjinar të Elbasanit e deri në fshatin Shën-Premte të Gramshit, skuadra e kuzhinës ngatërroi rrugën e ne mbetëm si peshku pa ujë deri në Panarit të Korçës. Në gjithë këtë rrugë nuk patëm asgjë, të katërt ne i kishim lekët të paprishura. Kështu blemë makarona, vaj, kripë e gatuam. Blinim bukë ku gjenim, apo biskota. Ata që i kishin harxhuar paratë, u luteshin fshatarëve. Ne me rrobat ushtarake, me nga një palë atlete dhe me çantë shpine, ku kishim edhe një batanije, udhëtuam që në datën 10 korrik, nisur nga Labinoti-Mal e vazhdim në Gurakuq, në Bizë, në Orenj, në Labinot-Fushë, në Fush-Tudas, në Shushicë, në Shelcan, në Galigatë, në Gjinar (të gjitha këto të rrethit të Elbasanit), mandej në Sojnikë, në Strorë, në Shën e Premte (Gramësh), vazhduam me Moglicë, Lavdar, Lekas, Tudas, Panarit (Korçë), pastaj në Helmës (Skrapar).

Kush ishte stërvitja që ju ka lodhur më shumë dhe ju ka lënë mbresa negative?

Morëm pjesë në kongresin imagjinar të rinisë, ku ishte edhe Ramiz Alia. Aty kam parë për herë të parë Ismail Kadarenë, të cilit ia kisha lexuar çdo gjë që kishte shkruar e botuar ai. Nën një pemë me çatalle diçka shkruante, e më vonë na thanë se shkroi poemën "Përse mendohen këto male". Ishte në botën e tij. Ne e shikonim me kureshtje... Me mbarimin e aktiviteteve të planifikuara, u nisëm në rrugën e kthimit. Udhëtuam përsëri, nga Helmësi në Panarit, e pastaj me makinë në Korçë nga Shtylla. Kur u kthyem në Tiranë, atletet nuk mbaheshin më, po ne patëm avantazhin se veshjet civile i kishim lënë në Tiranë, ku i veshëm, si edhe patëm nga 700 lekë për shok që i përdorëm për të vajtur në shtëpitë tona. Kështu u mbyll edhe kjo stërvitje 1-mujore ushtarake, nga ku ne përfituam një përvojë të re në jetë dhe që vazhdoj ta kujtoj edhe sot. Aq më tepër kur takoj ndonjë nga pjesëmarrësit e këtij udhëtimi. Në fund të muajit shkurt të vitit 1968, mbaruam komplet arsimimin dhe më 1 mars 1968 ikëm të bënim kursin 6-mujor të ushtrisë në Burrel. U inkuadruam në korpusin e Burrelit me komandant Sotir Filto dhe komisar Halim Ramohito, nga Tragjasi. Stërvitja ishte shumë e ashpër për ne, që ishim mësuar me rregulla të tjera dhe me orare të tjera në jetë.

 Diku keni përmendur dhe një fushim tek vendi ku kishte zbarkuar Zenel Shehu, në vitin 1950.

Po! Më datën 11 mars 1968 na çojnë në vendin e quajtur Mbasdejë, vendi ku kishte zbarkuar Zenel Shehu, në vitin 1950. U vendosëm 16 veta në një çadër 4 x 4 metra, kur temperatura jashtë ishte minus 150 C, ndërsa në mal ishte minus 250 C. Përveç kësaj, mbetëm edhe dy ditë pa ushqim, në borë, pa zjarr. Bënim roje natë, ditë dhe ndërroheshim në çdo gjysmë ore, se nuk mund të durohej i ftohti. Pas dy ditësh që bëmë më në fund nga një çaj të nxehtë, një shokut tonë nga Peshkopia, i ra të fikët pa arritur ta pijë çajin. Ishte fat, që ndodhej makina e komandantit aty dhe e nisëm në Burrel, se do të kishte hapur problem për jetën e tij. Të gjithë kaluam të ftohtë, na u çanë buzët, hunda, veshët, po që të të çahet faqja në gjatësinë e saj mua nuk më kishte bërë vaki. Kësaj radhe, ky fenomen më ndodhi dhe nuk e kam përjetuar këtë situatë asnjëherë tjetër në jetën time. Në kthim për në repart, më këmbë, në një shkollë gjetëm një hartë të Shqipërisë. Na ishin komunikuar rrethet se ku do punonte secili nga ne. Shikonim atje ku ishte me ngjyrë kafe, duke menduar se atje do na emëronin.

Dhe ku ju emëruan?

Mua më kishin caktuar në Fier e kjo kishte ndodhur falë një ndërhyrje, tek e cila nuk kisha besim se do të jepte rezultat. Ishin të gjitha shanset të më caktonin në veri. Dihet se atje vështirësitë për të përballuar jetën ishin shumë më të mëdha. Për mua diskutuam dy vende, ose në Kutë ose në Gjerbës të Mallakastrës. Më caktuan në Kutë. Stërvitja ishte e rëndë çdo ditë, na "sulmonte" armiku në Germanë, një fshat afër qytetit. Çdo ditë ne, me kundërgaze, me mitraloza në krahë e me pushkë po e po. Në fund të muajit prill, na çuan në Lurë të Peshkopisë, për të mbjellë patate, gati 15 ditë. Kemi vuajtur shumë, për të ngrënë, për të fjetur dhe për të përballuar punën. U detyruam që t'i thoshim komisar Ramohitos për situatën dhe ndërhyrja e tij na i zgjidhi problemet. Më 31 korrik, Burreli ishte çliruar dhe duhej bërë një përgatitje e gjithanshme. Një nga ato ishte bërja e një kori të madh dhe disa valleve, që do të jepeshin atë ditë. Na caktuan edhe ne për kor, ku këndonim këngë të ndryshme. Një zë nuk shkonte me shokët. Dirigjenti nuk po e gjente dot, duke kaluar në çdo rresht e pikasi që zëri që stononte ishte imi. Më nxori nga kori. Praktikën mësimore ushtarake e bëmë në një fshat të Burrelit për rreth 15 ditë e mandej filluam të japim provimet.

Ndonjë mbresë e veçantë nga ajo periudhë?

Më 21 gusht, ora 06.00 e mëngjesit na kërkonte në mbledhje komisari. Ne u habitëm çfarë ka, e ç'punë kemi ne, ne jemi studentë. Kur vemi atje, ai bën njoftimin se "sonte në ora 24.00 Çekosllovakia u pushtua nga forcat sovjetike”. Na u ngjeth mishtë, lajmin secili e përjetoi sipas mënyrë së tij. Mua më shkoi mëndja, mos vallë do të na vijë edhe neve radha! Mërzitja ishte shumë e madhe. Me zë të lartë thamë që duhet ta qajmë lirimin më 28 gusht, që na takonte se duhej të rrinim në gatishmëri. Njoftimet vinin të ndryshme, jo lirohen, jo nuk lirohen, por më 28 gusht na liruan dhe na çuan me makinë deri në Tiranë, e prej andej në shtëpi. Kur unë vajta në punë, më 4 shtator 1968, gjithë fuqia e aftë për punë ishin në zbor. Kooperativa kishte mbetur me të moshuar dhe gra. Kjo situatë vazhdoi 17 ditë, mandej u kthyen nëpër shtëpi e rifilloi puna normale.

Sigurisht Mehmet Shehu ishte i lidhur shumë me ushtrinë dhe ju në kujtimet tuaja e keni përmendur një letër të tij. Për cilën periudhë bëhet fjalë?

Në vitin 1970 më thërrasin në zbor në Fratar të Mallakastrës, në një batalion të lehtë malor, për të goditur desantin në male. Më caktojnë komandant toge të togës së kafshëve, që ishin mbështetje të repartit. Dihej arsyeja pse vendosesha në atë pozicion. Rrahëm me këmbë, nëpërmjet taktikave luftarake, që nga Patosi deri në Vasjar të Tepelenës. Në vitin 1972 më bënë shef të shtabit të këtij batalioni, që për komandant kishte Isuf Bylymanin, nga Skrapari, një njeri tërësisht i paaftë, por në shtëpinë tij, gjatë Luftës kishte qenë Enver Hoxha. Prandaj ai duhej shpërblyer. Me ngjarjet në vitin 1974, ku në ushtri dolën gjithë ato grupe "armiqësore", reparti ynë u harrua të bënte stërvitje për atë vit. Kjo "mërziti" një luftëtar të repartit tonë. Ai i bëri letër Mehmet Shehut, që në atë kohë ishte kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes. Ai bëri shënimin ku i tërhiqte vëmendjen, komandës së Brigadës së Pestë, nga vareshim ne. Kjo brigadë e kishte qendrën në Gjirokastër. Më 24 dhjetor, na bëhet mobilizimi dhe morëm detyrën të niseshim në drejtim të Zagorisë. I kërkoj komandantit hartë, busull, dylbi po ai nuk kishte asnjërën. Kështu udhëtuam pa asnjë orientim, duke marrë edhe armatim goxha të rëndë. Kur arritëm tek ura e Dragotit të Tepelenës, në vend që të merrnim drejtim nga fshati Peshtan, u drejtuam nga mali i Golikut. Na thotë një fshatar “kthehuni, ku vini se atje vetëm mal është, e nuk shkon rruga andej për në Zagori”. U kthyem e nisemi ngadalë në drejtim të Peshtanit. Në fshatin malor të Meshinajt (Kala), na zuri shiu. Vazhduam rrugën deri në ora një pasmesnate. Në këtë orë arritëm në fshatin Zhej. Aty, megjithëse vonë, u strehuam në vatër të kulturës e nëpër shtëpi. Të nesërmen arritëm në Poliçan. U strehuam në ca gropa me kumbulla e prisnim ç’do të bënim. Drejtuesi kishte frikë të merrte komandën në Gjirokastër. U detyrova ta marr unë. Të nesërmen erdhi një komisar e na thotë: "Ju jeni brezi i tretë i luftimeve dhe vija juaj e mbrojtjes është, tek ajo qafa, tek ajo kodra, tek këto gropat ku jeni". - E tani ç’do të bëjmë? - Tani ikni në repart, - tha.

Me kaq mbaroi "lufta" jonë e pas, një odiseje të gjatë, u kthyem në repart e unë ika drejt e në Vlorë, se ishte Viti i Ri 1975. Kur vajta atje edhe u lava, se kisha shtatë ditë pa u larë. Kështu e pësova nga ai udhëtim i marrë, që u bë për një letër anonime të një të marri.

Po si përfundoi stërvitja?

Në përfundim na dhanë dëftesën, fletën e nderit dhe një shqelm, që të iknim nga kishim ardhur. Përsëri në tanke, ku pluhuri ishte një llahtar më vete. Kjo sidomos kur lëvizim me tanke në Pishë-Poro. Me Pilo Rrushin, që ishte komisar i grupit vullnetarë të Levanit (çetave vullnetare) vajtëm në degën ushtarake të Fierit dhe bëmë transferimin pranë këtij grupi, që mbulonte ndërmarrjen e Levanit dhe kooperativën e Bishanit dhe të Frakullës së Madhe. Këtu pata periudhën më të qetë të jetës time të gjatë ushtarake, pa qenë ushtarak aktiv. Në atë periudhë shumë gjëra bëheshin me tepri, sipas paranojës së udhëheqjes. U bë mirë që kjo stërvitje u hoq nga skema. Por edhe që të kalojmë në ekstremin tjetër, që djali apo vajza e re nuk di asgjë nga arti ushtarak dhe nga armët, që koha mund ta detyrojë t'i përdorë, mendoj se nuk është aspak mirë për shoqërinë tonë. Nga ç'kam lexuar, edhe vende të zhvilluara si Zvicra, Suedia, apo Norvegjia, ndoshta vullnetarisht, po bëjnë përgatitje ushtarake. Ndërsa ne nga 25 ditë në vit, nuk bëjmë as edhe një ditë të vetme. Se si hapet apo mbyllet arma, çfarë struktura duhet të bëhen për të përballuar një sulm të marrë; se të marrë nuk ka vetëm njerëz, por edhe qeveri. Kjo nuk më përket mua ta mendoj, por brezi i ri i politikanëve, ndoshta në të ardhmen, do ta kenë në plan për ta diskutuar në një seancë parlamentare, për t'i dhënë zgjidhje sipas kohës.

Lufta e klasave dhe heqja e titullit “oficer”

Periudha 1972 -1975, u karakterizua nga “zbulimi” dhe asgjësimi i një sërë “grupesh armiqësore”. Kjo patjetër që do thellonte luftën e klasave në të gjithë segmentet e shoqërisë. Në këtë kuadër edhe mua, më hoqën titullin oficer dhe më lanë ushtar të thjeshtë, në një togë me kooperativistët, më të cilët punoja në kooperativë. Unë kryeagronom e ata kooperativistë. Natyrisht, që nuk u ndjeva mirë, por e kisha të qartë kush dhe pse e kishte bërë. Ata dyshonin se mos unë nga kredibiliteti që kisha siguruar, mund të më emëronin kryetar kooperative dhe kjo do të bënte që shumë njerëz do humbnin benefitet që i kishin politikisht. Mua as më kishte shkuar e as më shkonte mëndja, që të merrja një detyrë të tillë përsipër, se isha në kushte më komode, kryeagronom. Të gjitha problemet që kishin të bënin me organizatat e partisë i mbulonte kryetari me sekretarin, ndërsa mua më duhej vetëm specialiteti im. Po nuk ke ç'të bësh: jeta ka plotë dallgë me të cilat përplasesh. E rëndësishme është të mos e ndiesh veten fajtor, gjë që unë nuk e ndieja.

Në mars të vitit 1976, unë u transferova në NB Levan të Fierit, agronom i sektorit të Shtyllasit. Menjëherë më rreshtuan në zbor ushtarak, pranë repartit të tankeve, në pozicionin e ushtarit të këmbësorisë pas tankeve. Në vitin 1977, sekretari i partisë të sektorit, Ajet Buzi nga Progonati i Tepelenës, më propozon, nëse doja të emërohesha oficer apo jo. Unë i thashë: ”arsimimin ushtarak e kam për oficer, por për arsye që "unë nuk i di" në vitin 1975 më zbritën në funksion të ushtarit. Në rast se partia e gjykon se unë mund ta bëj oficer, më bëni”. Kështu u emërova përsëri oficer i një toge këmbësorie, pas tankeve, me qendër në Qafë të Koshovicës. Që kur isha në Burrel e kudo si ushtarak, me të gjitha armët, që kam bërë qitje kam marrë pikët maksimale, po marrja e pikëve në masën 29 nga 30 me pistoletë "habiti" pjesëmarrësit që unë qëlloja kaq mirë. Armikun duhet ta vrisnin ata e jo një i dyshimtë për origjinën e tij politike.

Në vitin 1979 më futën në listë për t'u kualifikuar prapë për oficer. U them: "unë e kam bërë një kurs 6-mujor, ç'nevojë ka të bëj prapë kurs?". “Është e nevojshme, -thanë, -që të mësohesh me të rejat e artit ushtarak popullor”. Kuptohej, që duhej të plotësohej plani me ndonjë tjetër, e ai ka gjetur shokë që të mos e çonin, por plani duhej plotësuar dhe kështu më gjetën mua, që vajta në Vlorë për tre muaj, prill, maj, qershor. Atje ishim 28 rezervistë, nga të cilët katër ishin me arsim 8-vjeçar e të tjerët me arsim të lartë. Stërvitja ishte e fortë, por unë u thosha që “nuk kam moshë për këtë intensitet, prandaj më kufizoni nga ndonjë ngarkesë”.

 

NË VLORË

 Bëmë rrugicën për gjithë natën, që të dilte Enveri shëtitje

 Në një nga netët e stërvitjes, na vunë të bënim për gjithë natën një rrugicë, në territorin me portokalle që dilte Enver Hoxha më këmbë. Në darkë e filluam, në mëngjes e mbaruam. Kështu, shoku Enver shëtiti qetësisht, pa e ditur kush kishte punuar për t'ia bërë atë rrugë. Gjatë kohës, që qëndronim në Vlorë, në kohën e pushimit dilnim e pinim ndonjë birrë tek tuneli i Ujit të Ftohtë, me një shok nga Bolena, që quhej Lame Hysi, samarpunues i kooperativës së Bolenës dhe dy të tjerë, nga Gjormi, njëri brigadier blegtorie ndërsa tjetri thjesht blegtor. Ishin burra të shtruar dhe me një inteligjencë natyrale, me një humor të admirueshëm.

 

Shakaja ime me Kadri Roshin

Në një nga këto pasdite, në lokal shikojmë të madhin Kadri Roshi, që kishte ardhur se po xhironin filmin "Ballë për Ballë", e skenat kryesore ishin në Vlorë. U them shokëve “do të vete të bëj shaka me Kadriun”, pa e njohur. Po binte një vesë shi, ne ishim me rroba ushtarake, pro pa çadër. Vete tek tavolina i uroj: :ju bëftë mirë” e i drejtohem Kadriut: “shoku Kadri, di që jeni "Artist i popullit" dhe prita. Pas një hutimi të shkurtër nga ana e tij, më thotë: “po, po jam”. “Atëherë unë jam pjesë e popullit, a ka mundësi të në japësh mushamanë tënde të vete deri në repart se mos lagem, pa mushama!”. Pas një heshtje më thotë: “posi, posi merre, po të lutem ma kthe prapë, se edhe unë nuk kam tjetër”... Qeshëm dhe u ndamë miqësisht.

BIOGRAFIA

Kush është Hasan Halili

Hasan Halili u lind më 21 nëntor të vitit 1943 në Dukat, Vlorë.  Mësimet e para i mori në fshatin Dukat, me mësues Velo Gjikondin nga Vranishti. Shkolla quhej, ashtu si dhe sot "Shkolla e Kuqe". Kryen shkollën e mesme bujqësore në Golem dhe më pas Institutin e Lartë të Bujqësisë, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Ka qenë drejtues i disa ndërmarrjeve dhe kooperativave bujqësore. Në vitet 1993-1997 kryen detyrën e ministrit të Bujqësisë, ndërsa në vitin 1997 emërohet ministër pa portofol. Ka qenë në dy legjislatura deputet i Partisë Demokratike.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: