Hasan Prishtina, lufta në Stamboll për arsimin shqip

Hasan Prishtina, lufta në Stamboll për arsimin shqip
Betejat e deputetit të Kosovës për hapjen e shkollave shqipe dhe konsolidimin e alfabetit që përdoret edhe sot. Fjalimet e zjarrta në Stamboll, përpara parlamentit Osman dhe përpjekjet në terren për të ndezur zjarrin e kryengritjes. Deputeti që mbante rekordin për letrat dhe telegramet që merrte nga populli

Për AFP: Gani Demiri (Ratkoceri), "Mësues i Popullit"

Hasan Prishtina ka një kontribut të çmuar për arsimin shqiptar që kur ishte deputet i Perandorisë Osmane. Ai e shikonte zhvillimin e arsimit e të kulturës të barabartë mes tri feve në Shqipëri dhe në unitet të plotë mes tyre. Propaganda greke kishte bërë punë të madhe në Perandorinë Osmane, duke i paraqitur ortodoksët shqiptarë si grekë e që nuk u duhej shkolla shqipe, po shkolla greke.

Lidhur me këtë, Hasan Prishtina bëri një dyluftim të vërtetë në parlament me ministrin e brendshëm perandorak, Telat Beun, duke argumentuar se ortodoksët në Shqipëri janë shqiptarë që do t'u lejohet edhe atyre të hapin shkolla shqipe e jo greke.

Ja çfarë shkruante gazeta "Shqiptari": "... Gjendja kombëtare e ortodoksëve ndodhej në një gjendje, më të mjerë sesa besimet e tjera që ka në Shqipëri... Hasan Prishtina shfaqi, sheshazi, se është një nga të zgjedhurit e kombit, që di të mbrojë si duhet çdo çështje kombëtare...".

Si u miratua alfabeti

Kongresi i Parë i Manastirit dha një kontribut shumë të madh për hartimin e një alfabeti të vetëm, por që s'ia arriti qëllimit, sepse nga shumë alfabete që u paraqitën, dy ishin kryesorë, ai i Stambollit dhe i "Bashkimit", hartuar nga poeti kombëtar, shumë i mirënjohuri e shumë i nderuari, Atë Gjergj Fishta.

Me gjithë përpjekjet e mëdha për të unifikuar një alfabet, nuk u arrit qëllimi dhe, si përfundim, mbetën të dy alfabetet përkohësisht. Mirëpo për Hasan Prishtinën dhe për mjaft të tjerë, nuk ishte gjë e mirë, sepse dashje pa dashje, kjo bënte një ndarje, në mes dy krahinave të mëdha, toskë e gegë, e që do t'u shkonte për shtat armiqve të Shqipërisë, të cilët bënin propagandë të madhe me shtyp e me libra se këto dy krahina nuk ishin një komb.

Rolin kryesor për shpalljen e Kushtetutës osmane, e luajtën shqiptarët e Kosovës, prandaj lindi nevoja të futej në shkollat ekzistuese gjuha shqipe. Për këtë duhej një qendër drejtuese. Prandaj, me nismën e Hasan Prishtinës e nën drejtimin e Bajram Currit, Bedri Pejanit, Nexhip Dragës, Rrok Berishës, Salih Gjukës, Nail Hysenit etj., u krijua Klubi Shqiptar i Shkupit, i cili kishte për detyrë të organizonte arsimin e kulturës në vilajetin e Kosovës. Ndërsa propaganda e huaj po bënte një punë të madhe antishqiptare e sidomos kundër alfabetit shqip dhe përhapjes së arsimit në Shqipëri.

Kundër asaj propagande armiqësore u kundërvu një grup deputetësh me në krye Hasan Prishtinën si: Ismail Qemali, Nexhip Draga, Shahin Kolonja etj., që hartuan një program politik për punën e deputetëve në Parlamentin Osman. Ky program parashihte luftën e deputetëve shqiptarë për sigurimin e barazisë kombëtare me kombësitë e tjera të perandorisë.

Në program parashihej:

  1. Të njihet gjuha (shqipe), të vihet në të tëra shkollat që mësohej turqishtja dhe greqishtja dhe në shkollat e reja që do të hapen.
  2. Në Shqipëri, gjuhë e parë në administratë të jetë gjuha shqipe.
  3. Të njihet zyrtarisht kombësia shqiptare nga Perandoria Osmane (qeveria).

Qeveria xhonturke s'kishte ndër mend të njihte kombësinë shqiptare, prandaj organizoi si kundërpeshë të Kongresit të Manastirit, Kongresin e Dibrës më 23 korrik 1909. Kongresi Xhonturk, i thirrur në emër të osmanëve, duhej ta miratonte rezolutën që ishte hartuar në Stamboll, turqisht e shqip. Në kongres ishin ftuar edhe përfaqësues të shoqatave serbe e maqedonase. Mirëpo ky kongres, në sajë të një pune të madhe kombëtare, të Hasan Prishtinës, Hafëz Ali Korçës, Nexhip Dragës etj., mori një drejtim kombëtar shqiptar dhe u njoh alfabeti latin i Kongresit të Manastirit. Kongresi II i Manastirit vendosi, përfundimisht, alfabetin "Bashkimi", këtë që kemi sot.

Kongresi i Elbasanit

Për t'i treguar opinionit botëror se janë vetë shqiptarët ata që luftojnë për ardhmërinë e vet kombëtare dhe jo osmanët, pa vonuar, organizuan Kongresin e Elbasanit më 2-9 shtator 1909. Edhe për organizimin e këtij kongresi dhe për programin e tij kombëtar, një rol shumë të rëndësishëm luajti po Hasan Prishtina.

Në këtë kongres, veç shumë vendimeve të rëndësishme kombëtare, u miratua hapja e Shkollës Normale në Elbasan.

Ndërkohë, atdhetari i pakursyer për çështjen e Kombit e i pashoq, Hasan Prishtina, me kohë, kishte krijuar një fondacion në Stamboll, pranë Komitetit Qendror "Bashkimi" në të cilin i kishte grumbulluar ndihmat në të holla që kishin dhënë atdhetarët për përhapjen e arsimit e të kulturës, duke çuar vetë një shumë të madhe të hollash në krahasim me të tjerët. Me t'u hapur Shkolla Normale në Elbasan, ai menjëherë ia dërgoi ato drejtorisë së shkollës dhe në anën tjetër iu drejtua me një thirrje të gjithë dhuruesve, botuar në një gazetë, ku njoftonte se tash e tutje ndihmat e tyre për shkollat shqipe që i dërgonin në Stamboll, t'i dërgonin në Shkollën Normale në Elbasan.

Me të filluar nga puna Shkolla Normale, patrioti Hasan Prishtina dërgoi 50 nxënës, që tani mund të themi pa frikë se: "është e përfaqësuar e gjithë Shqipëria". Hasan Prishtina, Normalen e Elbasanit e çmonte jo vetëm si një vatër arsimi e kulture kombëtare, por dhe si një qendër politike, ku përgatiteshin kuadro të afta për lëvizjen kombëtare. Ai e quante Normalen: "Qendra e parë e Vëllazërimit të rinisë shqiptare".

Gazeta "Liria" shkruante: "... Mirë se na erdhët o djelmtë e Kosovës trimoshe, o bijtë e atij vendi që ka qenë gjithmonë e është shtyllë e fortë e Shqipërisë..." dhe përfundonte: "... Rroftë Shqipëria! Rroftë Hasan Prishtina...".

Gjuha shqipe në shkolla

Ndërkohë, me përpjekjet e Hasanit në gjimnazin e Shkupit e të shkollave fillore, krahas turqishtes kishte filluar të mësohej edhe gjuha shqipe. Mësuesit e parë kanë qenë patriotët e nderuar Bedri Pejani, Salih Gjuka, Jashar Erebara etj. Ndërsa vetë ai kishte hapur katër shkolla me shpenzimet e veta, duke i paguar edhe mësuesit, një në qytetin e lindjes, në Vushtri, një në Drenicë në Polac, një në Gjilan dhe një në Pozhoran të Gjilanit. Ndërsa në shkollat ekzistuese nëpër qytetet e Kosovës me përpjekjet e tij u fut gjuha shqipe të mësohej si lëndë më vete, atje ku gjente mësues.

Hasan Prishtina gjatë gjithë kohës nuk e gjen veten në kolltukun e deputetit si shumë të tjerë, por në qytetet e në fshatrat e Vilajetit të Kosovës e të Manastirit, duke propaganduar për konsolidimin e alfabetit latin, për zhvillimin e arsimit, të kulturës, për padrejtësitë e qeverisë xhonturke, për parapërgatitjen e popullit për kryengritje të armatosur kundra sundimit shekullor osman, për të fituar lirinë e pavarësinë etj.

Më 16 tetor 1909 i bëri një vizitë klubit "Bashkimi" të Manastirit ku zhvilloi një mbledhje me anëtarët e klubit lidhur me problemet kombëtare e ku mbajti një fjalim të zjarrtë. Ja si shkruante shtypi i kohës:

"... Hasan Prishtina kudo që vajti, me këdo që foli, bëri një përshtypje fort të madhe. Ky burrë i ditur, i zgjuar dhe fort i mirë tregoi se zemra e tij qenka e përvëluar për kombin e vet dhe për ta ndihmuar atë në dituri e për çdo gjë tjetër..." dhe përfundonte: "Zoti i dhëntë shëndet e jetë të gjatë Hasan Prishtinës".

Financat? 5% nga rrogat

Atdhetari i madh Hasan Prishtina, duke i qenë i bindur se qeveria xhonturke, nuk do t'i ndihmonte materialisht shkollat shqipe, kërkoi që vetë klubi qendror "Bashkimi" të merret me çështjen e arsimit dhe me anën financiare, duke dhënë secili anëtar i klubit, deputet e pasanik nga pesë për qind të të ardhurave të tyre si nga rroga, ashtu dhe nga pasuria e tyre vetjake, duke dhënë vetë shembullin i pari.

"Ky pesë për qindsh i Hasan Prishtinës, nuk ishte i vogël. Me këto mjete, ai mund të mbante nja dy shkolla shqipe në Kosovë dhe të shkollonte në Normale të Elbasanit më se 60 nxënës... Të gjitha premtimet i vuri në jetë". (dr. Tahir Abdyli "Hasan Prishtina", f. 69).

Poeti patriot Hil Mosi, lidhur me këtë shkruante: "... Z. Hasan bej Prishtinën duhet të gjithë ta marrim për shembull për ndershmëri e tij e që pasurin e përdori për lulëzim të kombit".

Faik Konica shkruante: "... Po, dolën dy burra Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga dhe fuqia e Kosovës nisi të ndërtohet. Fanatizmi i tërbuar dhe keqbërës gjeti dy burra kundërshtar të zotët, të cilët pushuan intrigat, vendosën ABC–në latine, hapën mësonjëtore, dërguan djem në shkollën Normale, futën kudo një shpirt thjesht shqiptar...".

“Beteja” në Stamboll

Në dhjetor të vitit 1911 patrioti Hasan Prishtina bëri një vizitë në shumë qytete e fshatra të Kosovës ku mbajti fjalime legale e bëri bisedime patriotike të veçanta e ilegale. Më pas u kthye në Stamboll për ta demaskuar qeverinë xhonturke për krimet që kishte bërë në popull, pas shtypjes së kryengritjes së vitit 1910 e mbylljes së Shkollës Normale të Elbasanit e shkollave fillore në Kosovë. Në parlament demaskoi ministrin e Arsimit që kishte njoftuar se kishte hapur 200 shkolla, ndërsa në fakt i kishte mbyllur 200 shkolla, shtypshkronjën ku botoheshin tekstet në gjuhën shqipe. Të gjitha këto i quajti antikushtetutë dhe kërkoi me zë të lartë që të hapeshin menjëherë.

Shtypi i kohës shkruante: "... Më tepër zani stendor i luanit, të Hasan bej Prishtinës, do ta trembi qeverinë që të urdhënojë që mos të ndalohet hapja e shkollave tona...".

Premtimi i qeverisë xhonturke se do t'i rihapte shkollat dhe klubet shqiptare, që u detyrua ta bëjë një gjë të tillë nga shtrëngesa në parlament e Hasan Prishtinës dhe e deputetëve të tjerë në dhjetor të vitit 1910, nuk u zbatua menjëherë, prandaj bëri që shumë deputetë të afrohen rreth Hasan Prishtinës dhe Dervish Himës dhe të lidhen me deputetët opozitarë osmanë e jo osmanë, me personalitete të larta të arsimit e të kulturës, për t'iu kundërvënë qeverisë edhe ma me forcë që ta zbatonte vendimin për njohjen zyrtarisht të alfabetit latin dhe rihapjen e shkollave në gjuhën shqipe.

Kështu, në qendër të perandorisë, në Stamboll formuan shoqërinë kulturore botuese, e cila do të punojë në lokalet e gazetës shqiptare, organ i klubit qendror dhe rol kryesor për hapjen e saj do të luajë Hasan Prishtina. Shtëpia botuese për tekstet shkollore filloi botimin me 4 maj 1911.

Qeveria osmane, pas shumë shtrëngimesh u detyrua që më 2 gusht 1911 të shpallë ligjin për njohjen e përdorimit të mësimit shqip me alfabetin latin në shkollat shqipe.

Patrioti Hasan Prishtina si diplomat i përkryer e arsimdashës i madh, më 2 maj në seancën parlamentare e shtroi kërkesën: ":.. Të çelet një shkollë bujqësore në Kosovë, që është një vend pjellor i rrethuar me dy-tre shtete të huaja dhe që, si nga pikëpamja e shumë e popullsisë, nga pjelloria e tokës si dhe nga gjerësia e saj, konsiderohet një nga vilajetet më të rëndësishme...".

Ndërsa Shkolla Normale e Elbasanit, tempulli më i dashur dhe më i shtrenjtë për Hasanin, për mbarëvajtjen e së cilës shkriu pasurinë e vet që luftoi aq shumë për të, e filloi punën vetëm më 5 mars 1912.

Në këtë kohë atdhetari i madh Hasan Prishtina e kishte braktisur kolltukun e Parlamentit Osman dhe në vilajetin e Kosovës po organizonte Kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare kundra Perandorisë Osmane për të fituar lirinë e pavarësinë kombëtare me të katër vilajetet shqiptare, për një Shqipëri etnike, për të cilën shkriu mendjen, zemrën, pasurinë dhe shpirtin e tij.

Dhe e mbylli jetën e tij ashtu siç pat deklaruar në deklaratën e tij "Deri në vdekje" më 22 maj 1928.

Deputeti ku “përplasej” mileti

Veprimtaria e Hasan Prishtinës për zhvillimin e arsimit e të kulturës kombëtare, është kaq e madhe sa nuk mund t'i gjendet krahasimi me asnjë nga bashkëkohësit e tij.

Në parlamentin Osman kishte 25 deputetë shqiptarë, në gjendje ekonomike shumë të mirë, - përndryshe, në bazë të ligjit osman, nuk mundej të zgjidheshin deputetë. Por asnjëri prej tyre nuk krijoi fondacion për të ndihmuar që të hapeshin shkolla e klube kombëtare. Asnjëri prej tyre nuk hapi një shkollë me shpenzimet e veta. Asnjëri prej tyre nuk bëri një mbledhje në vilajetin e vet, ku e kishin zgjedhur deputet, që të fliste për rëndësinë e hapjes së shkollës së parë Normale në Elbasan e t'u bënte thirrje zgjedhësve për të dërguar nxënës në këtë shkollë. Asnjë deputet dhe asnjë pasanik i madh, në të katër vilajetet shqiptare, nuk ka kontribuar materialisht për zhvillimin e arsimit e të kulturës, sa Hasan Prishtina.

Asnjë deputet s'ka marrë telegrame urimi nga populli për kontributin e tij në të gjitha fushat, sa Hasan Prishtina. Asnjë deputet nuk ka marrë telegrame nga populli për padrejtësitë që i bëheshin nga qeveria osmane, sa mori Hasan Prishtina. Jo vetëm nga Vilajeti i Kosovës, por nga të gjitha vilajetet. Për asnjë deputet, nuk ka shkruar shtypi i kohës, për kontribut kombëtar, sa për Hasan Prishtinën etj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: