Hip në kullën e Rilindjes e shih Stambollin

Hip në kullën e Rilindjes e shih Stambollin
Nga Sonila Meço

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Populizmi autoritarist është tendenca e pushteteve në Ballkan. Ka shumë analiza që shpjegojnë mënyrën e funksionimit, tiparet e liderëve respektivë, por çfarë më intereson në këtë artikull, është një karakteristikë: “Për të arritur objektivat, populizmi gjeneron një fenomen të rrezikshëm, pushtimin e hapësirës publike, duke e kontaminuar me fjalime partizane, arrogante, duke vendosur vijëzime ndarëse mes qytetarëve (edhe kur nuk është e nevojshme). Për këtë arsye, hapësira publike është gjithnjë nën efektin e adrenalinës, gënjeshtrës, madje asaj të trashë. E për ta realizuar, ndihmon fiksimi gati patologjik për të kapur median. Për të mos e lejuar të bëjë kontrolle faktesh, duke i servirur ato alternative, të vetat, gatuar në kuzhinën e pasur të propagandës”.

Në vijim kam vendosur të bëj vetëm kontroll faktesh, nga burime të brendshme e të jashtme, të cituara dhe lehtësisht të verifikueshme. Me të do të kuptojmë, jo vetëm sesi ky pushtet është brenda perimetrit të përkufizimit të populizmit autoritarist, por edhe se çfarë na kanoset nga mënyra se si shpërndahet informacioni në publik dhe temat që hidhen për konsum, duke fshehur të vërtetat e mëdha.

Në një vështrim të përgjithshëm të ekonomisë: Plani i të ardhurave në buxhet, vitin e kaluar, nuk është realizuar me 100 milionë euro. Më pak para në buxhet, edhe pse taksat janë të larta, edhe pse rripi është shtrënguar. Punësimi i premtuar prej 300.000 vendesh në 2013-ën, nuk është larg, ngjan i një planeti tjetër. Jemi më të varfër, por të pasurit janë bërë më të pasur. Pabarazi e egër, emigracion i lartë, i dyti për numër popullsie, ku i pari i takon një vendi në luftë. Ekonomia rritet në përqindje, por s’kemi mirëqenie… etj., etj.

Ngjan si fjalim opozite në Kuvend? Dakord, unë jam gazetare, do bëj atë që më takon, kontrollin e fakteve. Mandej, opozita le të vijojë në çadër dhe pushteti në universin paralel të rilindjes edhe të planetëve:

Taksat

Në qershor të vitit të kaluar, qeveria rishikoi planin për mbledhjen e të ardhurave, duke e ulur me 1%. Në mbyllje të vitit, mosrealizimi i të ardhurave ishte 2.3%. Pra, janë mbledhur 100 milionë euro më pak se parashikimi. Për më tepër, borxhi tatimor është rritur me shpejtësi vitet e fundit, bizneset janë përpjekur të mbijetojnë në një mjedis të rritjes së vijueshme të taksave, rënies së kërkesës dhe mungesës së kredisë bankare. Me një kontroll të thjesht faktesh, sipas të dhënave zyrtare nga tatimet, borxhi ndaj institucionit arriti në fund të vitit 2016, në më shumë se 147 miliardë lekë ose 1.07 miliardë euro. Kjo shumë zotërohet nga mbi 780 mijë biznese dhe individë në të gjithë vendin. Revista Monitor ka publikuar një analizë të plotë, sipas së cilës stoku i borxhit, deri në fund të 2016-ës, përbëhet kryesisht nga detyrimet tatimore të lindura 2-5 vite më parë. Nga të dhënat rezulton se, edhe në vitin e fundit, deri në 31 dhjetor 2016, është shënuar rekord sa i takon krijimit të borxhit tatimor, që në total, për të njëjtën periudhë, arrin në 45 miliardë lekë, ose 330 milionë euro, apo gati 31% e stokut të borxhit tatimor të krijuar në vite.

Për të qëndruar tek kontrolli i fakteve (ushtrim i padëshiruar i medias), Shqipëria renditet në vendet me normën më të lartë tatimore në rajon, sipas një studimi të Al-Tax. Dhe si për të çuar deri në fund, kontradiktën tonë ekzistenciale, vendi pagoi më pak taksa se çdo shtet tjetër i rajonit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në vitin 2016. Norma e taksave në Shqipëri, është 36.5%, duke u rritur me gati 6% në krahasim me vitin 2014. Kjo normë në Maqedoni është 13%, në Kosovë 15%, në Kroaci 20.9%, në Bosnjë-Hercegovinë 22.6% dhe Bullgari 27,0%. Edhe në renditjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Shqipëria paguan taksa në raport me PBB më pak se të gjitha vendet e rajonit. Për të kuptuar se sa ndikon kjo kontradiktë në ekonomi, mjafton të saktësojmë se të ardhurat tatimore ne Shqipëri janë pjesa kryesore e buxhetit. Pra, duke rënduar me norma të larta taksash, jo vetëm që ekonomia nuk është ndihmuar, por është tkurrur.

Punësimi

Vetëm pak ditë më parë, ministri i Financave do të fliste me krenari për rritjen e punësimit me 178.000 vende pune. Asnjë analizë, por shifra dhe propagandë lëshuar pa dert, me një garanci se media, gjithsesi, do të prekë tangent apo asfare, të vërtetat e pasfasadës, formës, sepse për këtë qeveri, forma është përmbajtja dhe e dikton fort gjithçka perceptohet. Po le ta bëjmë një kontroll faktesh, sepse vetëm kaq do të mjaftonte të çmontoheshin deklaratat e ministrit, me gjithë foltore. Biznesi i vogël dhe i mesëm në Shqipëri, mbulon mbi 1/3-ën e të punësuarve. Këtu përfshihet edhe bujqësia. Qeveria prezantoi me bujë politika që nxisin arsimin profesional. Dhe e drejtë si logjikë e qasje, më shumë krah pune i kualifikuar, duke mundësuar zhvillimin e profesioneve që nuk kërkojnë arsim të lartë. Kjo do të sillte edhe një vlerë të shtuar në ekonomi. Por të dhënat zyrtare të INSTAT-it, tregojnë se pjesëmarrja e të rinjve në shkollat profesionale mesatarisht çdo vit, nuk është më e lartë se sa në fund të viteve 2004-2005, dhe disa herë më pak se fillimi i viteve ’90. Pra, sado e lartë cilësia e ustallarëve, tregu është në pamundësi për të thithur këtë forcë pune.

Ndërkohë, biznesi i vogël dhe i mesëm, që punëson pjesën më të madhe të popullsisë, konsumon 1/10 e xhiros vjetore të ekonomisë, pasi pjesa më e madhe u takon bizneseve të mëdha. Taksat për të vijojnë të jenë të larta, klima e pafavorshme. Ndërsa tregu ndërkombëtar bëhet gjithnjë e më tërheqës për punonjës të kualifikuar, kjo krijon të tjera hulli në panoramë ‘optimiste’ të ministrit të financave. Por le të vijojmë kontrollin e fakteve për të parë nëse e ka patur këtë mundësi privati për të punësuar 178.000 persona, apo shteti është bërë kaq i madh sa të strehojë mijëra e ne nuk dimë asgjë. Nuk dimë ende ndonjë masë për të nxitur stimulin fiskal, gjë që do të ndihmonte rritjen e vëllimit të sipërmarrjes private në ekonominë kombëtare. Pra është e pamundur të besosh se biznesi në vend është përfshirë në investime thelbësore, gjë që mund të garantonte punësim në masë. Ky pohim mbështetet edhe nga një tregues tjetër, ai i kredititimit të ulët të ekonomisë nga sektori bankar. Kërkesa për huamarrje mbetet gjithnjë modeste, aq më e brishtë në një vit elektoral.

Pra, të ardhurat tatimore nuk realizohen, investimet e huaja nuk thithen (raporti i fundit i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në vend dëshmon si një tjetër kontrollues faktesh), investimet e sipërmarrjes vendase janë të tkurrura, e të tilla do të mbeten të paktën deri në përfundimin e procesit zgjedhor. Ku t’i gjejmë rrënjët e optimizmit të z. Ministër? Apo tek rritja mbresëlënëse e punësimit në biznesin kriminal të kultivimit të kanabisit? Po, këtu tërhiqem e sikur të mundnin, do ta kishin bërë efektiv për statistikat këtë lloj punësimi.

Duhet pranuar, situata aktuale ekonomike e Shqipërisë, kërkon më shumë se përkushtimin e një krahu politik, të një mandati, apo filozofie. Këtu duhet një strategji e cila sheh përtej një katërvjeçari, kërkon përuljen që patën kryeministra të ekonomive lokomotivë të kontinentit, si Sarkzoy, ish-kryeministri francez që, në vitin 2007, thirri teoricienin dhe ekonomistin e njohur, Jacques Attali, të udhëheqë një komision bipartizan prej 300 specialistësh, për ringjalljen e ekonomisë franceze.

Rritja ekonomike 3%

E thonë statistikat, por a prodhon mirëqenie? E ka zbutur varfërinë? Çfarë thotë kontrolli i fakteve? Nuk ushqen më ideja e rritjes ekonomike, edhe sikur 6% ta çojë me fantazinë rilindëse ministri e çdo guru i lëmisë. Sa vlerë krijon sot, për shoqërinë ekonomia? Na e thonë dot sot? Ky punësim fantazmë i rritur, sa vlerë të shtuar ka krijuar? Se një ekonomi që rritet në përqindje, duke mos shtuar vlerën, mund t’i duhet pushtetit të plotësojë normën e minutave dhe orëve të së enjtes parlamentare, por jo atij shqiptari që popullon me rekorde botërore kafenetë. Raportet e Bankës Botërore dhe të dhënat e INSTAT-it, vijojnë të buçasin për pabarazinë, varfërimin e shumicës e përqendrimin e pasurisë tek pakica, dhe shqeto, ky fakt lexohet vetëm nën dritën e së vërtetës: varfërinë nuk e zbut as ai shtimi (megjithëse i pavërtetuar) i punësimit e as rritja me 3%, por vlera që ka përftuar ekonomia. Perceptimi se rritja ekonomike në Shqipëri, nuk ka krijuar mirëqenie e nuk është shpërndarë, konfirmohet nga një tjetër raport, ai i Forumit Ekonomik Botëror, i cili krahason rritjen gjithëpërfshirëse me rritjen ekonomike. Në këtë klasifikim, Shqipëria është përfshirë në zonën portokalli, që do të thotë se nga rritja ekonomike kanë përfituar vetëm pak, ndërsa rritja ekonomike nuk është përkthyer në një shtim të mirëqenies për shumicën. Për më tepër, të dhënat tregojnë se raporti mes rritjes së PBB-së dhe rritjes gjithëpërfshirëse është përkeqësuar 5 vitet e fundit në Shqipëri. Pra modeli mbi të cilin kjo qeverisje ndërtoi filozofinë e saj të rilindjes ekonomike, prodhoi vetëm atë urbane që mesa duket të varfrit i bëri më të varfër e të pasurit më të pasur. Pra nuk qarkullojnë dot zarzavatet e bujqësisë sonë për të patur akses mjaftueshëm në tregje, por mund të hipim në kullat e rilindjes e të shohim Stambollin. Por pabarazia shfaqet edhe tek pasuria e krijuar në këto vite. Vetëm 1 për qind e bizneseve kanë mbi 90 për qind të xhiros së gjithë subjekteve në vend. Pasuria është përqendruar vetëm në pak biznese, në marrëdhënie klienteliste me qeverinë përmes prokurimeve e koncesioneve të dyshimta.

Dhe meqë ra fjala…

Si për t’u siguruar se me këtë filozofi, punësim dhe mirëqenie vështirë të ketë, na garanton coha e butë dhe e ëmbël e projektit 1 miliard, që ekonominë e mbështet tek koncesioni (a thua se e ndritën ato të dhëna gjer më tash). Përsëri, me një siguri mbresëlënëse Ministri i Financave, në muajt e fundit të mandatit qeverisës, në një klimë të egër politike, me një sërë akuzash për koncesione të dështuara dhe para publike të hedhura dëm, na shpjegon se duke siguruar 1 miliard euro nga investimet e vetë biznesit, borxhi publik nuk do të rritet. E vërtetë, hedhja në ekonomi e shumës bëhet nga biznesi (një Zot e di ku do t’i gjejë këto para biznesi që në çdo raport ndërkombëtar del i frustruar dhe me kredinë për investime të ngecur në vlera minimale), por dikur do të shfaqet si detyrim. Qeveria do ta kthejë. E kur qeveria kthen do të thotë se po flasim për borxh. Dhe do shlyhet nga buxheti i shtetit që mbushet me taksat tona. Kujdes! Ministri i Financave është rrekur të bëjë edhe të pabëshmen, duke pohuar në sallën e kuvendit se koncesionet nuk i paguajnë qytetarët, por buxheti. Kur buxheti, në fakt, mbushet nëpërmjet taksave e kontributeve të…qytetarëve, jo alienëve, apo krijesave të tjera. Pra, një tjetër borxh në shpinën e kërrusur, me një barrë 71% të borxhit publik. Por, ndoshta, për pritshmërinë e kësaj qeverie, mban ende kocka e këtij populli.

TAP i mrekullisë ekonomike

Do të na plasin me megafonë edhe projektin e gazsjellësit TAP, me madhështinë e shifrave, bollëkun e investimit, me tundimin e një qasjeje të re gjeopolitike, por a ka pyetur kush e aq më pak të jetë përgjigjur aksh tjetër se cili është ndikimi real ne ekonomi? Projekti zgjat vetëm dy vite dhe ngjan e pamundur të mbushë për aq e më shumë vite xhepat tanë mjaftueshëm për t’u ndjerë në mirëqenie.

Qeveria në 2013-ën, erdhi me filozofinë e Robin Hood-it, taksim i të pasurve dhe lehtësim i të varfërve, por as pabarazinë nuk e uli, as varfërinë e luftoi e as mirëqenie nuk prodhoi. Më pak investime, më shumë kredi me probleme, më pak mirëqenie. “Gënjeshtër!” mund të thotë ministri i financave? Por, ja një kontroll faktesh: Shqiptarët shpenzojnë gati gjysmën e buxhetit për ushqime, madje ka një rritje me 2% vitin e fundit, sipas anketimit të fundit të buxhetit të familjeve të INSTAT. Shqipëria e ka 48,7% këtë raport, rajoni mes 33% - 37%, Kosova 43%.

Sikur të mos mjaftonte…

Dhe në trishtimin e një keqpërdorimi të parasë publike, rezulton edhe një faturë të cilën fillimisht e paralajmëroi ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, që përmendi procedura joligjore në pajtimin e studiove avokatore që mbrojnë shtetin, në gjyqet e panumërta të arbitrazhit. Historia ofron një statistikë të dhimbshme për kostot e rënda në buxhetin e shtetit, nga aventurat e përfunduara keqas në gjyqe arbitrazhi nga qeveria shqiptare. Gazetarja Lindita Çela, ka bërë një hetim të detajuar në Report.al, tejet profesional, duke zbuluar se gjatë tre viteve të fundit, Avokatja e Shtetit ka harxhuar më shumë se 6 milionë euro për të kontraktuar studio të huaja ligjore me procedura të dyshimta e joligjore, sipas dokumenteve të përpiluara nga vetë ish-ministrat e drejtësisë së kësaj periudhe. Pra, përpos faturës që vendos gjykata, ku shteti shqiptar del i humbur me dëme kolosale në kurriz të taksapaguesve shqiptarë, shtohen edhe kostot e procedurave të dyshimta të pajtimit të studiove të huaja.

Pra, mjafton një kontroll faktesh për të kuptuar të vërtetat e ekonomisë shqiptare, të vërteta që zbehen nga krizat politike, nga mediat e mbërthyera në menynë e dreka-darkave Rama-Meta, apo cilësisë së muzikës e farave të lulediellit në Çadrën e Lirisë. Ndoshta, kjo e fundit, duhej këto të vërteta t’i vendoste në vend të CD-ve me muzikë, hartimeve në fjalimet brenda saj. Të niste e të mbaronte me ekonominë e tharë dhe drobitur, ngecur në rrjetën ku ushqehet edhe i varfri, edhe i pasuri e ku gardianin për kush merr sa e bën krimineli, trafikanti, klienti dhe pushteti. Më falni, lapsus, edhe një herë; krimineli, trafikanti, klienti, ata që sot kanë pushtetin autoritarist. Me përkufizim e praktikë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: