Irena Kita: Veshja është komunikim

Irena Kita: Veshja është komunikim
Irena Kita, juristja sharmante qw ndan kohën e saj mes vajzës Sofi, bashkëshortit artist të kulinarisë dhe një pasioni për të bukurën dhe modën, na flet për pak nga jeta e saj. Ku e bukura është fija lidhëse mes figurës së blogeres më të ndjekur në Shqipëri dhe profesionit që rregullohet nga ligjet.

 

 intervistoi për Albanian Free Press Juela Meçani

 

AFP: Ju jeni një nga blogeret më të ndjekura në Shqipëri. Por ndërkohe jeni një juriste e afirmuar. A i shikoni me rëndësi blogeret e modës në një vend ku nuk ka gazetari të mirëfillte të modës?

Blogu nisi si pasion për modën dhe u ndërthur shumë mirë edhe me profesionin e juristes. Për fat të keq akoma në Shqipëri nuk ka një "Javë të modës" të mirëfillte dhe mund të them, që blogeret e modës janë ato që e bëjnë këtë të prekshme në blogjet e tyre, apo në rrjetet sociale. Më parë kur nuk ekzistonin web-et dhe blogeret, gazetarët e modës të Vogue, Elle, Glamour etj, ishin ato që informonin publikun e gjerë me shkrimet nëpër gazeta dhe revista për gjithçka ndodhte në fushën e fashion-it. Në epokën e internetit lulëzoi edhe këtu fenomeni "fashion blogger", duke u përqendruar tek risitë e trendeve te fundit të modës.

Së bashku me ta u perfeksionuan edhe fotografët streetstyle, të cilët tashmë gjenden edhe në vendin tonë. Ata janë kudo duke fiksuar me aparatet e tyre blogeret dhe trendet e fundit në evente të ndryshme, duke bërë që të ketë një interes të veçantë për atë që këto blogere përcjellin. Tashmë nuk mund të mendohet që industria e modës të punojë pa fashion blogger-at. Ato janë sfilata e vërtetë që paraprin çdo koleksion të stilistëve të mëdhenj. Të gjithë së bashku stilistët, blogerët, gazetarët e modës dhe fotografët e modës, bëjnë të mundur që industria e modës të jetë në majat e saj duke e bërë atë ndër më fitimprurëset e industrive.

AFP: Nga ana ekonomike, si mbulon shpenzimet një blog dhe si bëhet rentabël?

Shpenzimet për mirëmbajtjen e blog-ut fillimisht vitet e para kanë qenë personale, por tani akoma e më shumë ato po bëhen të sponsorizuara nga bisnese që kane lidhje me modën dhe jo vetëm.

AFP: Si do u përgjigjeshit atyre që shpesh ju paragjykojnë si njerëz pa profesion? 

Në botë të jesh një fashion blogger është një profesion i afirmuar. Mbrapa çdo blogere është një staf i kualifikuar, i cili merret me kurimin dhe marketimin e figurës së blogeres. Edhe pse kjo gjë nuk funksionon siç duhet në Shqipëri, mund të them që bizneset po orientohen gjithnjë e më shumë që marketingun t'ia besojnë fashion blogereve, me anë të marrëveshjeve të lidhura me to. E gjitha kjo përkthehet në fitim monetar. Shumë blogere janë ambasadore të markave më prestigjoze të modës me kontrata dhe fitime marramendëse.

AFP: Ju ndjekin mijëra vajza çdo ditë. Cila mendoni se është influenca pozitive e një blogereje në shoqëri?

Fashion blogger-et janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Çdo njërën prej tyre e karakterizon një stil i veçantë dhe kjo gjë pikaset nga një target-grup i caktuar që e ndjek. Mendoj që influenca pozitive ka të bëjë me një sërë gjërash bashkë, në mënyrën se si e përcjell veshjen në sytë e publikut që të ndjek, kujdesin që ke për veten në përditshmërinë tënde, atë që komunikon në rrjetet sociale etj.

 AFP: Ju keni mbaruar studimet në Itali. Mendoni se ju ka ndikuar eleganca apo stili italian?

Pa diskutim që stili italian me ka dhënë një kuptim tjetër për të bukurën, shijen dhe elegancën. Ndihem me fat qe kam kaluar vite shume te bukura dhe te rëndësishme në formimin tim, në një shtet që ka në vetvete shumë kulturë dhe bukuri.

AFP: Bija juaj, ju ka ngjasuar në këtë pasion për modën?

 Sofi është gjashtë vjeç dhe po rritet me shumë përkushtim nga ana jonë. Mendoj se më ka ngjarë shumë për sa i përket dashurisë që ushqen për artin dhe sportin. Që tani i vesh kukullat dhe i kombinon ngjyrat në mënyrën e saj.

AFP: Ju dhe si çift jeni me stil, mendoni se eleganca, stili dhe të qenit estetë e ndihmon lidhjen?

Pa diskutim që po. Ne përveç përditshmërisë ndajmë me njëri-tjetrin edhe pasionin për të bukurën jo vetëm në veshje por Arvini edhe në artin e kulinarisë. Mund të them me plot bindje që Arvini është një artist dhe këtë e pasqyron kudo si në veshje si në profesionin e tij.

AFP: Veshja tek ju rrjedh bukur edhe nga silueta, shtati. Si ja arrini të jeni në formë me një bashkëshort chef i njohur kuzhine? Nuk tundohesh?

Unë kujdesem shumë për shëndetin dhe veshjen, për vete dhe për familjarët e mi. Të jetosh shëndetshëm është çelësi i harmonisë së trupit dhe mendjes. Përsa i përket ushqimit, të gjithë meritën e ka Arvini që është një Shef i përkryer, ndërsa për pjesën fizike kujdesem prej vitesh duke praktikuar sporte të ndryshme.

Veshjen dhe pastërtinë e konsideroj si paraqitjen më të mirë që mund të kem në punë apo në evente të ndryshme. Mendoj se veshja bën pjesë në komunikimin jo verbal dhe është një  lloj komunikimi me botën  e me veten dhe mënyra se si veshësh dhe sillesh përcjell tek të tjerët personalitetin  tënd.

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: