Ish-komandanti i portit: Tragjedia e Otrantos, as piratët somalezë nuk u sollën si italianët

Ish-komandanti i portit: Tragjedia e Otrantos, as piratët somalezë nuk u sollën si italianët
INTERVISTA / Flet Ylli Meçe, ish-komisar i Brigadës së Katerëve Silurues, ish-Komandant i Kapitanerisë së Portit të Vlorës, anëtar i Komitetit të Shpëtimit dhe më pas anëtar i këshillit bashkiak të qytetit. Pse i duhet hequr titulli i nderit ish-Kryeministrit Romano Prodi

Intervistoi për Albanian Free Press: Albert Z. Zholi

Tragjedia e 28 marsit 1997, nuk është nga ato histori njerëzore që harrohet lehtë, pasi aty humbën jetën plot 84 njerëz, mes tyre gra e fëmijë të nisur nga Vlora drejt Italisë. Ata humbën jetën në mënyrën më tragjike, përfunduan në thellësitë e ujërave të kanalit të Otrantos, duke lënë pas një tragjedi, dhimbja e të cilës ka lënë plagë të cilat zor se koha mund t’i shërojë...

Tragjedia e Otrantos e ndodhur më 28 mars të vitit 1997, ishte incidenti më i madh ndërshtetëror dhe tragjedia me e madhe e ndodhur në det. Sot lindin shumë pyetje... A ishte e qëllimshme goditja nga anija italiane? Cili ishte shkaku i kësaj ngjarje? A u morën ekspertë shqiptarë për zbardhjen e ngjarjes? Po shteti shqiptar si reagoi?

Për të dhënë shpjegim rreth këtyre pyetjeve ngjarjeje, po zhvillojmë këtë bisedë me ish-komisarin e Brigadës së Katerave Silirues, ish-Kapiten i Portit të Vlorës, z. Ylli Meçe, i cili në atë kohë ishte në detyrë.

 

Duke parë një video të vitit 1997, vërej se ju shpjegoni diçka lidhur me incidentin e “Kanalit të Otrantos”. Sa e njihni këtë tragjedi dhe kush ishin fajtorët sipas mendimit tuaj?

Po, është shumë e vërtetë, por më duhet të bëj një korrigjim në pyetjen tuaj, sepse nuk ishte incident i rastësishëm që mund të ndodhë nga pakujdesia si nga drejtuesit e një anije, ashtu dhe nga anija tjetër, por një operacion taktik detar, me dijeni të plotë dhe po me ndërgjegje të plotë, si nga marina ushtarake detare italiane, ashtu dhe nga pala jonë. Dhe kur them nga pala jonë, e kam fjalën për Presidentin e Shqipërisë së asaj kohe, i cili kishte firmosur me qeverinë italiane një marrëveshje e cila e lejonte marinën ushtarake detare të atij shteti, të ushtronte sovranitetin në ujërat tona, për të mos lejuar e për të penguar kalimin e jashtëligjshëm të kufijve nga ana e shqiptarëve.

Të hidhemi te pyetja; çfarë shpjegoni ju në atë video?

Duke qenë se kam punuar oficer marine dhe më vonë si Komandant i Kapitanerisë së Portit Vlorë, i njoh mirë rregullat e detarisë, sikurse edhe ato ndërkombëtare. Me këtë desha të them se pavarësisht marrëveshjes të qeverisë dhe presidencës, autoritet ushtarake detare italiane kanë kryer një krim të qëllimshëm, që kishte prapavijë të fuqishme mbështetëse nga autoritetet më të larta italiane të qeverisë së saj, - në atë kohë kryesohej nga Prodi, - por dhe nga parlamenti italian, me Irene Pivetin në krye. Një ngjarje e rëndë, e pashembullt nga fryma jo etike që manifestoi, kryetarja e senatit italian, pikërisht një ditë para tragjedisë, pra, në datën 27 mars nga ku ajo shprehej: Tutti gli albanesi li buttate al mare! (të gjithë shqiptarët hidhini në det! ).

Por, se mos ishte vetëm kjo... Me përjashtime të rralla dhe vetë "masmedia" italiane i bënte jehonë "barbarizmave të shqiptarëve" të shoqëruara këto me filma dhe rubrika, duke përgatitur klimën antishqiptare.

Pra, anija "Sibilla" edhe pse mban emrin e shqipëruar "Profeti", veproi në kundërshtim dhe të vetë emrit që mbante. Unë natyrisht e bëj fajtor komandantin, F. Laudado, sepse ai veproi në kundërshtim me kodin detar ndërkombëtar.

Së pari: Asnjë anije të huaj, qoftë kjo dhe luftarake, në kushte paqësore nuk i lind e drejta të ushtrojë nëpërmjet detyrimit të forcës të drejtën e sovranitetin të vendit të vet, në një vend tjetër. Këtë nuk e bënin as anijet pirate të Somalisë, jo më një vend mik, sikurse është Italia.

Së dyti, anija "Kateri i Radës" ishte e imbarkuar me civilë dhe nuk ishte nisur për agresion ndaj vendit fqinj. Përkundrazi, vendi fqinj historikisht ka kryer agresione ndaj vendit tonë edhe pse ne në momente të vështira i kemi ndihmuar me aleancat e bëra kundër armiqve të vet, sikurse bëri Skënderbeu apo dhe shqiptarët që morën pjesë nën udhëheqjen e Garibaldit për bashkimin e Italisë. Pa folur këtu për atë bujari të pashembullt që, kur na erdhën me armë për të na pushtuar e më vonë, pas kapitullimit, ne i mbajtëm në shtëpitë tona. Ka patur raste ku, nga krahina jonë e Labërisë, ushtarët italianë të lenë “jetimë”, për t’i mbrojtur nga reprezaljet e nazistëve, familjet labe i morën nëpër shtëpi dhe nazistët pasi i gjenin, i kanë pushkatuar bashkë me familjet shqiptare.

Marina italiane, jo vetëm nuk u shkoi në ndihmë, por përkundrazi...

Ç’duhet të bënin ?! E thjeshtë fare, t’i shoqëronin në një nga portet më të afërta që në rastin konkret ishte Brindisi, dhe prej andej le t’i riatdhesonin. Këtë të bënin, si Prodi ashtu dhe qeveritarët e tjerë.

Por, me sa di unë, pala italiane e ka pranuar fajin, dhe madje i dëmshpërbleu familjarët e viktimave ...?

Nuk është e vërtetë. Ata i shtynin gjyqet aq shumë saqë, pas gati-gati 13 viteve dhe pas gati 300 seancash gjyqësore, dhanë përfundimisht vendimin ku komandantin e anijes "Sibilla" e dënuan me 2 vjet e 4 muaj, ndërsa komandantin e "Katerit të Radës" e dënuan me 3 vjet e 10 muaj. Ky dënim qesharak tregon cinizmin apo, pse jo, dhe racizmin e tyre (jo të popullit italian, por të disa prej piramidës shtetërore).

Shikojeni me kujdes dhe raportin apo shifrat e dënimit. Rezulton se fajtorët qenkan shqiptarët! Me këtë rast, meqenëse pala jonë del fajtore, pse nuk dëmshpërblehet marina italiane?

E dini ju, i dashur gazetar, se ata i manipuluan provat? E dini ju se si kudo në ushtri edhe në marinë veprohet me urdhra?! Kush e urdhëroi mbytjen?! Çfarë urdhrash janë dhënë dhe kush i dha?!.. Pse dy admiralët e flotës me komandën e bazës dhe hierarkë të tjerë u takuan urgjent? Pse u fsheh dokumentacioni dhe nuk u bllokua direkt nga prokuroria, por u lanë në dorë të komandave për të korrigjuar apo edhe fshirë urdhrat që i komprometonin rëndë?!

Ju e dini se, dy nga prokurorët e çështjes më në zë, midis tyre dhe De Castris që sapo kishte mbyllur dosjen, gjetën vdekjen aksidentale në një kohë kur ata kishin rënë në përfundimin e saktë se provat ishin manipuluar dhe se ky nuk ishte një krim i thjeshtë... E di kush e përforcon këtë gjë? E përforcon thjesht fakti se, kur u realizua nxjerrja e "Katerit të Radës" dhe kur viktimat i nisën për në Brindisi, asnjë nga autoritetet nuk shkoi për t’i pritur në shenjë nderimi, kur ministra, presidentë, e kryeministra nuk lënë ndeshje futbolli pa marrë pjesë.

Ju, si ish-oficer i marinës shqiptare, a keni shkruar për këtë tragjedi dhe a e bëtë prezent mendimin tuaj të specializuar?

Jam çuditur vërtet, kur një nga përfaqësuesit familjeve të kësaj tragjedie më njoftoi se kishin vendosur të më merrnin si specialist apo ekspert për të drejtën detare dhe ligjet ndërkombëtare për t’i përfaqësuar. E pata të vështirë, por e mora përsipër dhe i vura detyrë vetes t’i mbroja denjësisht, edhe pse viktimat nuk kishin nevojë të mbroheshin. Ashtu sikurse thekson dhe Ciceroni, e vërteta është avokati më i mirë që të mbron. E mora përsipër, sepse ishte dhe detyrë e madhe humanitare ndaj bashkëqytetarëve të mi, por dhe një detyrë atdhetare. Më vonë, më njoftuan se më kishin hequr nga përfaqësimi nga ku kishin caktuar një tjetër. Si, qysh, tek, kush e bëri e për çfarë arsyesh, edhe sot nuk e di dhe as dua ta di. Po të isha atje, do të kisha thënë po këto që ju thashë dhe juve në këtë bashkëbisedim, natyrisht edhe diçka më tepër, bazuar në anën profesionale. Veçse dua të theksoj se, në çfarëdo kushtesh favorizuese të ishim, ne e kishim të humbur gjyqin, sepse “padronët” e Shqipërisë na patën shitur te “kujdestarët” e tyre.

Fakti që i dëmshpërblyen familjet e viktimave, a nuk tregon se vërtet ata i përulen fajësisë?

Jo! Ata u diskredituan keq dhe për të përmirësuar disi imazhin e keq që lanë te shqiptarët apo dhe në arenën ndërkombëtarë, sikurse dhe për të qetësuar disi shpirtrat e lënduar, bënë këto manovra qesharake, ku disa i pajisën me viza, disa me soggiorno, disa me premtime etj, etj dhe për t’u treguar humanë, nisën drejt Shqipërisë operacionin "Arkobaleno" ku një pjesë të ndihmave, italianët i vodhën vetë. Madje, me sa më kujtohet, pikërisht për këtë problem ata hapën dhe një proces gjyqësor në Brindisi, ku ishin shpërdoruar shuma marramendëse që nuk erdhën kurrë në Shqipëri.

Në kohën e trazirave të vitit ’97, keni qenë në Vlorë?

Po, në Vlorë kam qenë deri vonë, madje edhe në vitin 2002, kur Prodin, bashkia e Vlorës e propozoi si qytetar nderi! E kam kundërshtuar vendosmërisht, sepse kur Prodi dekorohej tek ne, nuk ka se si shpjegohet deklarata e B. Andreates (në atë kohë ish-ministër i mbrojtjes së Italisë) ku deklaronte qartazi për interesat e Italisë në Ballkan në përgjithësi dhe në Shqipëri, në veçanti. Nuk di nëse keni dijeni për kërkesën që bënë në atë kohë 100 investitorë italianë me aktivitet në Shqipëri, senatit të tyre, që të ndërhynin me trupa për të mbrojtur interesat ekonomiko-financiare të tyre! Unë i kam parë dhe përjetuar vetë këto gjëra. Nuk e harroj ditën kur, së bashku me studentët dhe kolegët e mi, gjatë një praktike detare, na ndaluan brenda ujërave tona, anija e financës italiane e na pyeste se kush ishim, ku shkonim, pse kishim dalë në det, cilët kishim njoftuar etj.etj! E di çfarë u thashë? Po! Jam në atdheun tim, në Shqipërinë time, në ujërat e mia! Ku e kini flamurin shqiptar, kush jeni ju që kini shkelur sovranitetin tonë, dilni jashtë nga ujërat tona ju jo unë! Po ç'të të them... ne ishim të pambrojtur, na patën lënë detin ta ruanin të huajt dhe dukeshim të huaj në Atdheun tonë.

Në kuadrin e 20-vjetorit të "Tragjedisë së Otrantos" jo vetëm që përulem me respekt ndaj kujtimit të tyre, por me këtë rast, si ish-anëtar i këshillit të bashkisë, i propozoj këtij këshilli t’i heqë titullin "Qytetar nderi" Romano Prodit, pasi nuk e çoi në fund atë që premtoi, drejtësinë, dhe të shpallë të padëshirueshme në Shqipëri Irenë Pivetin, pasi nuk ishte në anën e së drejtës!

 

28 MARS 1997

Kur luftanija italiane goditi anijen me refugjatë

Tragjedia nisi në bregun e Vlorës dhe përfundoi në thellësinë e Otrantos, kur anija me të cilën tentuan të largohen 120 persona nga Shqipëria, u godit nga një luftanije italiane. Disa vjet pas tragjedisë, mbërritën në Vlorë dy objekte të anijes relike, "Kateri i Radës", përkatësisht busulla dhe feneri i anijes, por jo trupat e viktimave të cilët, prej kaq vitesh, janë në fund të Otrantos. Si, kur dhe pse ndodhi kjo ngjarje?

Anija shqiptare "Kateri i Rades", me 120 persona në bord, kishte arritur të hynte në ujërat territoriale italiane, por pak pasi i ishte afruar brigjeve të Otrantos në Itali, u përplas me anijen luftarake italiane, "Sibilla". Si pasojë e përplasjes, u mbytën 84 persona, mes të cilëve 46 gra dhe fëmijë. Prej tyre, 57 trupa u kthyen, ndërkohë që 24 rezultojnë të zhdukur. Anija e tragjedisë u nxor nga deti 6 muaj pas ngjarjes, bashkë me një pjesë të trupave të viktimave, ndërkohë që më pas ajo u vendos në Brindisi. Në lidhje me tragjedinë e Otrantos, në Gjykatën Penale të Leçes në Itali, është në proces një çështje gjyqësore ndërsa një tjetër çështje civile po zhvillohet në Brindizi.

Kapiteni i anijes italiane "Sibila", Fabrizio Laudadio dhe Namik Xhaferri, kapiten i anijes "Kateri i Radës", janë dënuar në shkallën e parë në gjykatën e Brindisit.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: