Klosi: Basha s’ka me kë qeveris ndaj justifikohet. Ndoka: Ndryshimet në qeveri, qoka për Metën

Klosi: Basha s’ka me kë qeveris ndaj justifikohet. Ndoka: Ndryshimet në qeveri, qoka për Metën
FORUM/ Flasin për Albanian Free Press, ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi dhe kryetari i PDK, Nard Ndoka

Më pak se tre muaj para zgjedhjeve, Kryeministri Rama vendosi të bëjë ndryshimin e kabinetit qeveritar me katër ministra. Të katërt ishin ministra të Partisë Socialiste, 2 prej të cilëve me postet më delikate në qeveri, Saimir Tahiri ministër i Brendshëm dhe Ilir Beqaj, i Shëndetësisë. Ndërsa dy të larguarit e tjerë ishin Blendi Klosi i Mirëqenies Sociale dhe Bledi Çuçi i Ministrisë Antikorrupsion. Disa ditë pas zëvendësimeve, në foltoren e Kuvendit Ben Blushi vijoi të bëjë opozitën ndërsa Partia Demokratike prej 18 shkurtit vijon bojkotin e Parlamentit duke bërë të qartë nëpërmjet kryetarit Basha se nuk do të tërhiqet nga kërkesa për qeveri teknike, pavarësisht ndryshimeve në qeveri.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të premten (17.03.2017) ka bërë edhe një herë të qartë se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesa për një qeveri teknike me vullnet të gjerë politik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. "Bashkë me përfaqësuesit e tjerë të koalicionit opozitar, bëmë të qartë vendimin tonë për të mos u tërhequr nga beteja qytetare, nga beteja popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, deri në realizimin e kushtit të vetëm të opozitës që është një qeveri teknike me vullnet të gjerë politik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme", ka thënë Basha.

Kur ka kaluar një muaj nga dita kur opozita ngriti çadrën e protestës para Kryeministrisë, kryetari i PD-së Lulzim Basha thotë se kjo lëvizje nuk lodhet dhe as nuk dorëzohet deri në largimin e qeverisë “Rama” dhe krijimin e qeverisë teknike që sipas tij, do të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Lind pyetja: A ishte efikas, i domosdoshëm dhe a solli ndonjë efekt në politikën shqiptare zëvendësimi i katër ministrave? Pas këtyre ndryshimeve cilat janë tonet e opozitës për zgjedhjet e ardhshme? Kush do të dalë i fituar nga gjithë kjo situatë politike kaq komplekse kur ndërkombëtarët bëjnë thirrje për debate në parlament?

Klosi: Ndryshimet në qeveri nuk ishin të domosdoshme

Për publicistin e njohur, Fatos Klosi, ish kryetar i SHISH, ndryshimet në qeveri nuk ishin të domosdoshme. “Nuk ka ndonjë argument serioz për ndryshimet. Nuk ishin aq shumë të nevojshme në këtë kohë. Nuk besoj se ndodhi diçka e madhe me këto zëvendësime”, - thotë Klosi. Sipas tij, “argumenti i Ramës për të shkuar në një detyrë tjetër më të rëndësishme për zgjedhjet ndoshta nuk ka ndonjë argument dhe domosdoshmëri”.

Duke u ndalur te kjo çështje, Klosi vlerëson se në Shqipëri, në proceset zgjedhore drejtuesit e qeverisë, ministrat janë më bindës, janë më të suksesshëm. “Pra ata që kanë një pushtet nga mbrapa dëgjohen më shumë. Këtu nuk flitet për të mobilizuar partinë, pasi ata njerëz të partisë janë, por kishin fituar një reputacion, kishin fituar shumë mbështetës. Populli është më ndryshe nga partia. Populli do përpara një njeri me pushtet që ta quajë bindës, ta quajë të sigurt”, - mendon z.Klosi.

Ndoka: Ndryshimet në qeveri ishin qoka për Metën

Për kryetarin e Partisë Demokristiane (PDK) Nard Ndoka, ndryshimet në qeveri ishin qoka për Metën dhe “një luftë brenda koalicionit”.

“Këto ndryshime Rama i bëri për të qetësuar partnerin strategjik të PS, kreun e LSI, Ilir Metën. Pra qoka për Metën”.

Ashtu si Klosi, edhe Ndoka mendon se “këto ndryshime nuk japin impakt, as në mirëqeverisje, as për komunitetin”.

Ndoka ka dhe një vlerësim tjetër: “Këto ndryshime janë dhe një zvarritje ndaj kërkesave të opozitës për një qeveri teknike”.

“Çadra, një proces marketingu që po bën PD”

Publicisti Klosi analizon dhe protestën përmes çadrës. Sipas tij, ajo është “një proces marketingu që po bën PD”.

“Pasi nuk bëri dot asgjë në opozitë për 3 vjet e gjysmë tani sajoi çadrën që të paktën të kthejë në qendër të vëmendjes së medieve”.

Klosi mendon se “me këtë politikë PD nuk mund të imponohet”, duke vlerësuar se opozita ka gjetur vetëm një rrugë “të sabotojë zgjedhjet”.

Në këtë pikë ai shton: “Po mirë le t’i sabotojë, se nuk ka rrugë shpëtimi. Derisa të bëhen zgjedhjet qeveria do qëndrojë, sepse është zgjedhur nga populli dhe vendi nuk do qëndrojë pa qeveri. Ata do këmbëngulin në këtë rrugë pa arsye, derisa të binden se nuk është kjo rruga për të justifikuar humbjen në zgjedhjet e ardhshme. Por deklaratat e tyre çdo ditë mund të ndryshojnë”.

Për z.Klosi, “PD është shumë larg një fitoreje të mundshme”. Sipas tij, Basha nuk ka ekip qeverisës. “Me kë do të qeverisë Luli? A ka rreth vetes potenciale intelektuale? Edhe largqoftë të fitonte, cili është ekipi qeverisës i Lulit? Mos vallë ai ekip që kishte në bashki dhe nuk bënë një punë?” – janë pyetjet që shtron z.Klosi.

“Protesta nuk ndalet, Rama nuk dha asnjë garanci për zgjedhjet”

Duke u ndalur te kërkesa thelbësore e opozitës, Ndoka thotë se vazhdimi i protestës deri në fund është logjik “edhe për faktin se është hera e parë që një qeveri nuk i ofron kurrgjë opozitës për zgjedhjet”.

“Në zgjedhjet e mëparshme Rama e kishte marrë konsensusin nga Berisha si për zgjedhjet parlamentare po ashtu edhe për ato lokale. Ndërsa Rama e ka ndryshuar Kodin Zgjedhor për interesa personale. Ai ka ndryshuar Kushtetutën për të anashkaluar presidentin gjatë qeverisjes së tij. Nga një President me një shumicë të cilësuar e ktheu në të kundërt - duke i bërë dëm të madh sistemit - duke e marrë konsensusin në formën e një pazari”, - thotë z.Ndoka.

Ai siguron se në rastin konkret, “opozita thjesht kërkon standarde dhe nuk është në kuadrin e pazareve, apo ndryshimin e Kodit Zgjedhor kundër partive të tjera politike”. “Ndaj protesta jonë për qeveri teknike është e panegociueshme”, - thotë Ndoka, duke vlerësuar se “në këto kushte opozita nuk ka asnjë lloj garancie për zgjedhjet”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: