KLSH: Fondet publike “zhvaten”, 72.3 miliardë lekë abuzime të reja

KLSH: Fondet publike “zhvaten”,  72.3 miliardë lekë abuzime të reja
Eglantina Nasi

Kur bie fjala për të shitur ndonjë pasuri publike apo për ta dhënë me qera atë, zyrtarët e shtetit kryejnë abuzimet më të mëdha me fondet e buxhetit. Një dukuri e tillë konstatohet nga ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilëve ky rezulton të jetë zëri ku edhe shpërdorohen më shumë para’ publike. Konkretisht, në raportin e fundit të publikuar prej KLSH-së për auditimet e kryera pranë institucioneve qendrore dhe atyre vendore në rang vendi gjatë vitit të kaluar 2016, ka rezultuar se dëmi ekonomiko-financiar i realizuar prej këtyre të fundit pikërisht në fushën e shitjes dhe dhënies me qera të pasurisë shtetërorë ka kapur një vlerë prej 15.6 miliardë lekësh, ose rreth 62% e totalit të totalit. Pasuar nga dëmi financiar që institucionet i shkaktojnë buxhetit të shtetit përmes abuzimeve apo shkeljeve në prokurimet publike. Me një shifër prej 3.4 miliardë lekësh, këto të fundit zënë 13% të totalit të gjithë shkeljeve të kryera nga administrata publike. Pasuar nga ato që kryhen gjithashtu në sektorin e doganave, rreth 3 miliardë lekë ose 12% e totalit.

Lista vijon më tej me shkeljet financiare të kryera në sektorin e tatim-taksave të cilat me një vlerë prej rreth 1.8 miliardë lekësh, zënë rreth 7% të totalit të shkeljeve etj. Që të gjitha, miliarda lekësh të cilat po t’i mbledhin krijojnë një total prej 72.3 miliardë lekësh, afërsisht 534 milion eurosh. Para’ këto të fondeve publike, të destinuara për të përmbushur misione, procese apo detyrime të caktuara të institucioneve shtetërore, por që në fakt “rrjedhin” rrugës duke shkaktuar një dëm të madh financiar ndaj arkës së buxhetit të shtetit. Dhe që flasin për fat të keq për vazhdimësinë e dukurisë negative të abuzimit dhe shpërdorimit të fondeve publike si të tilla, qofshin këto të akorduara për qeverinë qendrore, por edhe për atë vendore.

Shkeljet financiare, 49 kallëzime penale të kryera brenda një viti

Plot 49 kallëzime penale janë realizuar gjatë vitit 2016 nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndaj zyrtarëve të cilët kanë konstatuar prej tij se kanë kryer shkelje financiare të fondeve publike. “Gjatë kësaj periudhe, nga ana e KLSH-së janë bërë 49 kallëzime penale, për drejtues të rangut të mesëm dhe të lartë”, citojnë drejtuesit e KLSH-së. Për të detajuar më tej se nga këto, 39 kallëzime penale janë në hetim nga degët e prokurorive në rrethe; ­10 indicie i janë përcjellë prokurorisë për vlerësim; ­ 6 kallëzime të pushuara janë ankimuar në gjykatë dhe 1 kallëzim i pushuar është ankimuar në Gjykatë dhe tek Prokurori i Përgjithshëm. Gjithashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit jep edhe listën e kallëzimeve sipas institucioneve përkatëse ku bie në sy ai për drejtorin e Përgjithshëm të ARRSH-së; për kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve; drejtori i spitalit “Shefqet Ndroqi”; drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit. Si edhe disa drejtues të disa bashkive në rang vendi, të tilla si ajo e Skraparit, Konispolit, Mallakastër, Berat, Mirditë etj.

Rreth 25.5 miliardë lekë dëme në “hesapet” e institucioneve

Të ardhurat, por edhe shpenzimet e kryera nga institucionet e ndryshme në rang vendi, qofshin këto qendrore apo vendore, kanë qenë një zë tjetër ku duket se nëpunësit publikë nuk i kanë kursyer abuzimet dhe shkeljet financiare me paratë e shtetit. “Nga auditimet e ushtruara gjatë kësaj periudhe janë konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 25.4 miliardë lekësh, afërsisht 188 milionë euro”, citon raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Duke shtuar nga ana tjetër se një fakt tjetër që ka ndikuar në perfomancën e subjekteve shtetërore të audituara ka qenë edhe ajo e shkeljes së disiplinës financiare si të tillë. “Ajo ka patur ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 46.844 miliardë lekësh, afërsisht 346 milionë euro, nga të cilat: 35 miliardë lekë në fushën e të ardhurave dhe 10 miliardë lekënë fushën e shpenzimeve”, citojnë ekspertët e KLSH-së lidhur me një fakt të tillë.

660 letra dhe ankesa në KLSH, pjesa më e madhe për tenderat

Përveç auditimeve, gjatë vitit të kaluar, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka trajtuar edhe 660 letra dhe ankesa, për probleme të ndryshme. “Nga 342 kërkesa dhe ankesa në kompetencë të KLSH, 209 prej tyre janë verifikuar dhe u është dhënë përgjigja përkatëse, ndërsa 133 janë në proces verifikimi”, cilëson KLSH-ja.

Duke shtuar se sa u përket fushave kryesore të shqetësimit publik për çështje të qeverisjes në Shqipëri, 15% e ankesave të adresuara KLSH-së i takojnë administrimit financiar dhe fushës së prokurimit publik; 52% privatizimit dhe kthimit të pronës; 4%, tatime e dogana dhe 29% fushave të tjera. Duke treguar në këtë mënyrë se tenderat si të tilla mbeten ende një shqetësim për publikun e gjerë shqiptar, sikundër rezulton edhe nga konstatimet e auditiveve të KLSH-së.

Shkeljet e konstatuara, rreth 1104 masa disiplinore e administrative

Për shkeljet e konstatuara nga ana e audituesve. Kontrolli i Lartë i Shtetit u ka kërkuar organeve respektive shqyrtimin dhe marrjen e 1104 masave disiplinore dhe administrative. Konkretisht, 456 prej tyre janë rekomanduar në kuadrin e ligjit “Për Nëpunësin Civil” i cili parashikon vërejtje, mbajtje page, deri edhe në largim nga shërbimi civil. Lista më tej vijon me masat e ndërmarra në lidhje me kodin e punës apo edhe deri zgjidhjen e kontratës, të cilat janë deri 586 të tilla. Apo edhe me masat e tjera administrative, mes tyre edhe gjobat, që sipas ekspertëve të KLSH-së mësohet se kane qenë rreth 470 të tilla. Për të gjitha këto, kontrolli i lartë i shtetit ka parë me vend zbatimin e tyre.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: