Kostoja e jetesës, në Shqipëri ende ia vlen

Kostoja e jetesës, në Shqipëri ende ia vlen
Eglantina Nasi

Të drekosh në një restorant shqiptar, do të nxjerrësh nga xhepi mesatarisht 1 mijë lekë. E nëse porosit një kapuçino, rreth 140 lekë. Kurse, po të hash në një fast-food, nuk shpenzon më shumë se 500 lekë, shoqëruar edhe me ujin, i cili vërtitet tek vlera e 60 lekëve...

Mesa duket, të shpenzosh në Shqipëri, duket një gjë që ende ia vlen. Të paktën, për të huajt që marrin përsipër ta krahasojnë koston e jetesës në Shqipëri, me atë të vendeve të tjera dhe që sipas përllogaritjeve të tyre, u rezulton e leverdishme.

Konkretisht, është qendra e njohur ndërkombëtare “Numbeo”, e rendit sërish vendin tonë si një vend me një kosto jetese ende të ulët. Në listimin e saj të fundit, ajo i rezervon Shqipërisë pozicionin e 107-të, mes 121 vendeve të botës. Sikundër, edhe agjencia tjetër e njohur ndërkombëtare për listimet e kostos së jetesës, “Expatistan”, i dhuron gjithashtu një vend mjaft të ulët në renditjen globale prej  215 vendesh të botës, respektivisht të 206-tin. Por në të njëjtën kohë, e vlerëson Shqipërinë gjithashtu si një vende ende të lirë sa u përket shpenzimeve kryesore të jetesës, krahasuar me 26 vende të Europës, duke i dhënë pozicionin e 23-të.

Madje, “Expatistan” vijon edhe me një listim konkret krahasues të kostos së jetesës në Tiranë, kundrejt metropoleve të tjera të botës. Konkretisht, sipas saj, të jetosh në Tiranë, aktualisht është 17% më lirë se në Ankara; 55% më lirë se në Frankfurt; 68% më lirë se në Londër; 10% më lirë se në Prishtinë; 51% më lirë se në Berlin; 69% më lirë se në Oslo; etj.

Që të gjitha këto, shifra të cilat e paraqesin vendin tonë krahasueshmërisht në avantazh kundrejt vendeve të tjera të botës lidhur me shpenzimet kryesore të një qytetari të cilat formësojnë atë që cilësohet si “kosto jetese”. Përmendim këtu atë të qerasë, të cilin për “Numbeo”-n Shqipëria e ka në nivelin prej 6.30; ende shumë të ulët krahasuar me vende të tilla si Italia që e ka 21.49%; Kroacia 10.09%; Greqia 10.20%; apo Zvicra që e ka atë në nivelin më të lartë, prej 56.57% etj. Pasuar edhe me Indeksin e Ushqimeve, i cili gjithashtu zë një vend të rëndësishëm në llogaritjen e kostos së jetesës si e tillë dhe që po për “Numbeo”-n Shqipëria rezulton ta ketë mjaft të ulët, vetë, 26.07%, kundrejt niveleve të tilla prej 35.03% që e ka Mali i Zi; 43.48% që e ka Sllovenia; 65.77% që e ka Belgjika; 53.89% Italia; dhe deri 103.88% që është niveli më i lartë i këtij treguesi, shënuar pikërisht nga Zvicra, vendi i parë në botë i listuar në botë nga agjencia e lartpërmendur, pikërisht për nivelin e lartë të kostos së jetesës.

 

Çmimet të lira për të huajt,

por aspak për shqiptarët

Çmimet që paraqesin agjencitë e huaja të cilat matin koston e jetesës në Shqipëri, rezultojnë në fakt të favorshme për qytetarët e vendeve të tjera, por aspak për shqiptarët, të cilët po përballen me rritjen e vazhdueshme të tyre. Ndërkohë që sipas ekspertëve, për të matur në fakt nivelin e jetesës së qytetarëve të një vendi, duhet të nisemi nga niveli i pagave e të ardhurave në tërësi të tyre. Pasi janë pikërisht këto të fundit të cilat e amortizojnë koston e lartë të jetesës nëse është vërtet e tillë. Sepse është e vërtetë që Shqipëria mund të ketë çmime ende të ulëta dhe konkurruese krahasuar me vendet e tjera, për konsumin e përditshëm, qiratë apo restorantet, porse nëse ato i vëmë përballë nivelit të pagave që kanë realisht shqiptarët (paga minimale deri tani nuk i ka kaluar 22 mijë lekët), situata paraqitet krejt e ndryshme.

 

Eurostat: Çmimet, Shqipëria

lë pas saj vetëm Maqedoninë

Maqedonia figuron të jetë vendi i vetëm të cilin Shqipëria e lë pas ndër vendet e Evropës dhe ato kandidate për anëtare, sa i përket nivelit të çmimeve dhe të jetesës në tërësi. Kjo konfirmohet nga shifrat e Institutit Evropian të Statistikave, Eurostat, sipas të cilave, rezulton se vendi ynë e ka këtë tregues në nivelin prej 47%, kundrejt atij 45% të Maqedonisë, krahasuar me 100% që është norma e vendeve anëtare të BE-së. Çka do të thotë në praktikë, se sipas Eurostat-it, në Shqipëri niveli mesatar i çmimeve dhe i kostos së jetesës është dikur tek gjysma e atij që ekziston sot në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ndërsa vendi evropian me nivelin më të lartë të çmimeve figuron se është Danimarka, e cila për nga niveli i çmimeve e tejkalon mesataren evropiane deri në 145%. Më tej, në detaje, referuar gjithmonë shifrave që jep Eurostat-i, rezulton se Shqipëria i ka çmimet e ushqimit, të pijeve joalkoolike sa 68% e mesatares evropiane, kurse grupin e pijeve alkoolike dhe të duhanit e ka ende edhe më të leverdisshëm për qytetarët e saj, me vetëm 51% të normës mesatare që paguajnë qytetarët europianë për t’i përfituar këto produkte specifike etj.

Qiratë e larta

Qiraja duket se është një nga zërat që u kushton më shumë shqiptarëve, për të jetuar. Kështu, sipas listimit të “Expatistan”, rezulton se qiraja mujore për 85 m2 në një zonë qendrore, shkon deri në 600 mijë lekë (438 euro). Shifër kjo që në një zonë normale gati përgjysmohet, deri në 31.2 mijë lekë (232 euro). Shifra këto edhe më të larta nëse të njëjtat mjedise do të shërbenin për zyra apo studio. Duke e bërë kështu Tiranën, në këtë këndvështrim të konkurrueshme me vendet e tjera të rajonit. Pa përfshirë këtu, në fakt, edhe kosto përkatëse për ujë, energji dhe gaz që u nevojiten shfrytëzimit të tyre, që sipas listimit në fjalë, kapin shifra të cilat variojnë nga 45 deri në 75 euro në muaj.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: