Kozeta Shabani: E fillova me një këngë kineze para Çu En Lait

Kozeta Shabani: E fillova me një këngë kineze para Çu En Lait
Një këngëtare që kurrë nuk ka kënduar me superpozim. Ka një zë kumbues dhe një çiltërsi fëminore. Kudo që ka shkuar është pritur me duartrokitje. Kozeta Shabani vjen nga muzika e lehtë, por këndon edhe këngë polifonike. Por vetëm kur është e shoqëruar nga idhulli i saj, Paro Ziflaj. Ajo u bë e njohur në skenën e Estradës së Vlorës, por fillimi i saj në skenë është shumë i veçantë. Atëherë ishte vetëm 6 vjeç dhe këndoi përpara kryeministrit të famshëm kinez. Nga ajo kohë, repertori i saj është disi i veçantë, por në përshtatje me vokalin e saj. Në intervistën e saj, Kozeta Shabani flet për mësuesit e saj të muzikës, por edhe për kolegen e skenës, të paharruarën Anita Bitri...

Intervistoi për Albanian Free Press: Albert Z. ZHOLI

Si erdhi kënga tek Kozeta, rastësisht apo ishte një trashëgimi familjare? 

Kënga me mua ka lidhje që në fëmini. Isha e angazhuar qysh në Festivalin e Yllkave, në Festivalin e Pionierit, më vonë me Pallatin e Kulturës dhe më vonë në Estradën e Vlorës, që ishte dhe mbetet një estradë e madhe.

Si i mban mend lidhjet me Festivalin e pionierëve dhe kush ju etiketoi si këngëtare e madhe?

Ah, e mbaj mend atë moment! Ai që më veçoi ishte muzikanti i madh, Reshat Osmani. Ai më zbuloi dhe më ofroi ndihmë në çdo drejtim. Pastaj, në Pallatin e Kulturës, ai që më ndihmoi, që më dha shumë forcë ishte "Mjeshtri i Madh", Haxhi Dalipi. Këta dy njerëz të lidhur me muzikën dhe që sot nuk jetojnë, ndikuan shumë në rrugën time të artit. Ishin këta dy korifenj që më çuan në Festivalet e Pionierëve apo ato të klasës punëtore dhe, më vonë, në Festivalin madhështor të Gjirokastrës.

 A e mban mend se cila ishte kënga e parë që keni kënduar në skenën e Estradës së Vlorës?

Po, e mbaj mend si sot, por nuk do ta besoni. Kam kënduar një këngë kineze (qeshim). Po, po kineze. Atëherë kishte ardhur Çu En Lai në Vlorë, dhe mua më kishin zgjedhur si fatose të këndoja një këngë kineze. Këngën ma mësoi dikush që dinte gjuhën. Ndenjëm gjatë për ta mësuar. Pra, unë shqiptare dhe ngjitem, për herë të parë, në një skenë me një këngë kineze. Unë kam pak dhe fytyrën si kineze, flokët i kisha me balluke dhe nga prapa m’i mblodhën bishtaleca. Nuk kisha dallim nga një kineze (qesh). Kur mbarova, gjithë salla u ngrit në këmbë me duartrokitje dhe Çu En Lai erdhi më takoi. Ishin mbresa vegjëlie. Nuk kisha emocione, se nuk e kuptoja mirë rëndësinë e asaj vizite. Isha vetëm 6 vjeç. Mund të ishte vitit 1975. Pas kësaj kam marr pjesë në të gjitha festivalet e pionierëve, deri në moshën 16 vjeç.

Kur kaluat në Pallatin e Kulturës dhe si ishte organizimi aty?

Në Pallatin e Kulturës në Vlorë, kam kaluar nga mosha 16 vjeç deri në 22 vjeç. Aty mësova shumë, pasi dhe aktivitetet ishin të shpeshta dhe cilësore. Në atë kohë kam kënduar vetëm këngë të muzikës së lehtë. Këndoja këngë të këngëtareve me emër, pasi ne ato imitonim.

Po në Festivalin e Gjirokastrës, kur keni shkuar dhe a keni marrë çmim?

Në Festivalin e Gjirokastrës kam shkuar në vitin 1988. Ishte gëzim i madh, pasi ishte gjigant si festival dhe u paraqitëm me një trio vlonjate. Isha së bashku me Etleva Kolën dhe Mentor Dukën dhe kënga u bë hit në atë kohë "Sikur të kisha trupin tënd" shoqëruar nga sazet e Vlorës. Në këtë festival ne morëm çmimin e tretë. Pas këtij festivali, disa drejtues, donin të më shmangnin.

Nga shumë aktivitete ku keni qenë pjesëmarrëse, keni marrë çmim?

Pothuajse, po. Kam marr pjesë në dy festivale të klasës punëtorë në Elbasan, ku njëherë kam marrë çmim të parë me këngën e Parashqevi Simakut "Sonte, në këtë natë". Ndërsa herën e dytë, kam marr çmim të dytë, po me një këngë të Parashqevi Simakut. Në këtë festival, Feim Ibrahimi erdhi më takoi dhe më tha: Nuk duhet të thuash kurrë që jam nga Vlora (qesh).

Estrada e Vlorës është një legjendë. Kur fillove bashkëpunimin me këtë trupë?

Kam filluar qysh në vitin 1987. Me ata njerëz jam ndier mjaft mirë. Estrada kishte reputacion të madh, të paparë. Kështu, në këtë estradë fillova të këndoj dhe këngë popullore. Këtu u njoha më mjaft këngëtarë të tjerë të mirënjohur.

Mund të na thuash emrat e atyre këngëtarëve dhe këngëtareve që ke bashkëpunuar në Estradën e Vlorës?

Ah, ajo kohë nuk vjen më! Shoqëria e asaj kohe ishte e rrallë! Nuk harroj, kurrë, këngëtaren e madhe Anita Bitri! Këngëtare shpërthyese! Një mike e rrallë! Njeri i jashtëzakonshëm! Me të kam kënduar shumë duete. Kujtoj Kleoptara Skarçon, Milika Memina, etj. Kujtoj dhe Milika Nerenxi. Nuk harroj miqësinë me parodistët e rrallë të Vlorës, Afrim Agalliu, Agron Hamo dhe Muhamet Aliko. Mbeten heronj të skenës! Por, mbi të gjitha, ajo çka kujtoj ishte se ne shkonim jepnim shfaqje nga Vlora në Konispol. Ishin rrugë të vështira, por nga miqësia dhe dashuria për artin, nuk ndjenim asgjë. Ajo kohë nuk vjen më! Miqësia ishte e pastër.

Si e mban mend bashkëpunimin me Anita Bitrin?

Eh, mos ma kujto! Gjithmonë do këndonim bashkë, ajo zërin e parë, unë të dytë dhe anasjelltas. Ishte njeri i pastër, nuk e njihte xhelozinë, të ndihmonte në çdo rast! Këndonim këngët më të mira të këngëtareve tona. Madje këndonim edhe këngët e festivaleve. Në mjaft aktivitete kemi takuar Zeliha Sinën, Naile Hoxhën, Bujar Qamilin, Frederik Ndocin, e mjaft këngëtarë të tjerë që lidhëm miqësi. Pastaj, Anita iku dhe më mungoi shumë.

Mund të jetohet sot me këngë?

Mua më duket sikur kënga është mbijetesa.

Po këngën polifonike, a e këndoni?

E dua shumë, mundohem ta këndoj kur ma kërkojnë, por kur dëgjoj Paron, hesht! Ajo, në këtë gjini, është idhulli im! Paro është mbretëresha e këngës polifonike. Me zërin e saj të shtang! Shpesh, kur jam me Paron dhe na kërkojnë të këndojmë, mundohem ti mbaj ison. Por, magjepsem prej saj!

Ke ndonjë peng deri në këtë moshë?

Po, kam ide, projekte për këngët, klipe që thuajse i kam gati, por nuk kam mundësi financiare.

A ka konkurrencë mes këngëtarëve?

Sigurisht, por ajo të nxit të punosh më mirë. Më pëlqen konkurrenca!

Kush të nxit më shumë në drejtim të muzikës?

Djali im, Sandro, i cili është 25-vjeç dhe ka mbaruar inxhinieri informatike. Ai më nxit dhe është kritiku im më i mirë.

Sa klipe keni realizuar?

Kam realizuar 7 klipe, dy albume dhe dhjetëra këngë. Nga klipet mund të përmend "Ah, moj belo, moj belike!", "Fustani, nuse fustani". "Mos më dil këmbëzbathur!", "Kënga myzeqare", etj. Pra, repertori im është rritur nga viti në vit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: