Kreditë e buta për strehim, aplikantët duhet të rinovojnë dokumentacionin

Kreditë e buta për strehim, aplikantët duhet të rinovojnë dokumentacionin
Personat të cilët do aplikojnë prë kredi të buta pranë Bashkisë së Tiranës duhet të rinovojnë dokumentacionin e dorëzuar, duke përditësuar të dhënat e tyre në tre muajt e fundit. Pas vendimit të marrë nga Këshilli Bashkaik dy javë më parë, për përcaktimin e kritereve për përfitimin e kredive të buta për strehim tashmë përcaktohen edhe rregullat për plotësimin e dokumentacionit por edhe afatet që ato duhet të kenë.

Ndonëse deri tani ka rreth 1800 aplikime për përfitimin e kredisë së butë të strehimit, aplikantët e rinj por edhe ata që kanë dorëzuar dokumentacionin duhet të kenë parasysh që ato duhet të jenë të tre muajve të fundit. “Nëse këto kërkesa do të jenë më të vjetra se 3 muaj qytetarët që kanë aplikuar do të duhet të riaplikojnë sepse dokumentacioni vlefshmërinë ligjore e ka 3 muaj” pohojnë burime zyrtare nga bashkia e Tiranës.

Drejtoria e strehimit pranë shërbimit social të Bashkisë Tiranë do të verifikojë dokumentacionin dhe përfituesit do të zgjidhen sipas një sistemi pikëzimi, ku çiftet e reja do të kenë prioritet. Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe afateve të përcaktuara përfituesit e parë të këtyre kredive do të shpallën në fund të muajit mars apo në fillim të prillit, kohë kur do të mblidhet sërisht Këshilli Bashkiak i cili do të miratojë sërisht listën e përfituesve të kredive të buta të strehimit.

Me programin e kredive të buta për strehim, bashkia merr përsipër të subvencionoje një pjesë të interesit të kredisë, duke ndërmjetësuar me bankat e nivelit të dytë. Sipas kritereve të përcaktuara dhe procedurës të njohur tashmë, apartamentet do të zgjidhen nga vetë qytetarët në tregun e lirë brenda normave që janë miratuar me vendim të këshillit bashkiak.

Çdo aplikant së bashku me kërkesën e tij duhet të dorëzojë edhe disa dokumente që variojnë nga Formulari i strehimit i plotësuar pranë Njësisë Administrative në të cilën aplikanti ka vendbanimin. Po kështu dokumente të tjerë janë edhe certifikata e lindjes së aplikantit dhe certifikata e gjendjes familjare; vërtetimi i të ardhurave neto të familjes/individit; dokumentacioni përkatës nga punëdhënësi për detyrën dhe të ardhurat e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune; vendimi i gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara;  vërtetimi nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë etj. Lista me të gjithë dokumentacionet e nevojshëm, për t’u plotësuar nga aplikuesit, mund të tërhiqet nga të interesuarit pranë zyrës së pritjes së qytetarëve pranë Bashkisë së Tiranës, zyrë e cila do të mbledhë më pas dhe aplikimet e plotësuara të të interesuarve

Programi i kredive të buta rinis pas 4 vitesh. Përmes tij Bashkia e Tiranës parashikon të subvencionojë këtë vit interesin e 1000 kredive, me një fond prej afro 1 milion dollarësh.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: