“Luftë” e heshtur për t’u dukur…

“Luftë” e heshtur për t’u dukur…
Ajo hyn… dhe gjithçka shohin të tjerët tek ajo (për momentin) është një model i thjeshtë flokësh, make up natyral, një veshje e këndshme, shumë e përshtatshme për rastin, e matur, jo ekstravagante dhe njëkohësisht joshëse për shumë sy. Fundja, këtë kërkojnë femrat, pak vëmendje… fare pak…dhe nëse dikush e bën me thjeshtësi dhe ia del, atëherë pse disa zgjedhin të jenë ekstravagantë?!...apo mos ndoshta, sepse me versionin e thjeshtësisë nuk ia dalin të kenë “të shumëkërkuarën vëmendje.

Në ndjekje të stilit

Të ndjekësh një stil është e thjeshtë, mjafton ta gjesh atë. Rruga për tek stili personal është mjaft e gjatë, madje duhet të kalojë adoleshenca dhe mosha e rritur e hershme derisa mes profesionit të zgjedhur dhe dinamikës së jetës ti zgjedh, të shfaqesh në këtë apo atë formë.

Rruga drejt paraqitjes perfekte, nuk është e lehtë. Më besoni, nuk është çështje marke apo modeli, është thjesht përshtatje e veshjes me personin që e vesh. Për këtë arsye, jemi vazhdimisht në kërkim të stilit dhe kur e gjejmë nuk e ndërrojmë më (ose pothuajse nuk e ndërrojmë), sepse kemi gjetur tashmë mënyrat tona të veshjes dhe paraqitjes, duke patur përzemër disa modele dhe duke vulosur se nuk do ti vishje kurrë, disa të tjera (po kurrë ama).

 

Ndryshimet radikale në look, lojë apo “kurë”…?

“Më lër të të shoh gardërobën të të them se cili je” - pak a shumë kështu … dhe do të priremi të besojmë se mënyra sesi vishemi, reflekton mënyrën se si ndihemi me veten tonë. Po mënyra se si ndryshojmë çfarë na tregon për veten?! Është kjo një mënyrë për ti thënë botës se sa unik dhe të veçantë jemi, apo thjesht po fshihemi pas rrobave, markave, look-t apo makiazhit?! Prandaj çështja është: Të jeni besnikë të një stili dhe të luani “butë” apo preferoni lojë “të rëndë” për të kuruar mungesat e brendshme dhe gjithëçfarë moskënaqësie… Zgjidhni!

Pa dashur tu nxjerr “kartelat” më lejoni tu përmend këtë shprehje: “Ndonjëherë, një grua e mbushur me shumë pasiguri profesionale dhe emocionale, do të rreket të gjejë vetëbesim dhe pavarësi vetëm në sensin e saj të look-ut dhe veshjes. Kjo është një fatkeqësi, sepse moda nuk mund të shërbejë kurrë si zëvendësuese e guximit dhe karakterit.” Loretta Young

 

Të ndryshosh shpesh, duhet dhe s’duhet

  • Artistët dhe njerëzit e skenës duket se e ndiejnë si domosdoshmëri të ndryshojnë në mënyra radikale për të rënë në sy dhe njëkohësisht për të mos u bërë monoton për sytë e ndjekësve të tyre (sidomos kush nuk është 100% i pozicionuar)
  • Njerëz nëpër pozicione të spikatura, ua ndalon profili profesional të ndryshojnë shpesh (duke qenë se janë tashmë model për tu ndjekur, ndryshimet e shpeshta do të vinin në rrezik besueshmërinë) sepse personalisht mendoj se ndryshimet e shpeshta dhe radikale janë karakteristike e adoleshentëve në kërkim të vetes dhe njerëzve “të sëmurë” për vëmendje dhe konfirmin nga të tjerët.

Mungesa e ndryshimit në look, vetëkënaqësi apo shpërfillje ndaj vetes?

Mënyra sesi vishemi ndikon në kategorizimin në shoqëri, nëse jemi në market, shkollë, punë apo në “xhiro”, ne gjykohemi për pamjen tonë. Ndoshta gabohemi që gjykojmë për së jashtmi, por ky eshte fakt. Duhet ta pranojmë që veshja është një pasaporte, një rrugë kalim për tek ajo portë që rezulton të jetë pranimi (apriori). Pranimi në një grup të cilin ti ndjen se i përket, por nëse pranimi bëhet vetëm dhe ekskluzivisht nëpërmjet lookut dhe veshjes, atëherë kemi arsye ta quajmë këtë grup paksa sipërfaqësor. Në të kundërt me të drejtë besojmë se një femër që nuk e ndryshon stilin, ndihet e pranuar dhe e plotësuar në tërësinë e saj dhe nuk ka nevojë të përdorë lookun e saj në përpjekjet për socializim.

Të zgjedhësh ti rrish besnike një stili, tregon një lloj qëndrueshmërie. Të krijuarit e imazhit fiks nënkupton që ke eksperimentuar dikur dhe ke ndaluar tashmë (mund të kenë një profesion që nuk ua lejon shumëllojshmërinë dhe eksperimentet), femra të tilla janë paksa konservatore.

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: