Marjana Kondi: Brenga ime e vetme

Marjana Kondi: Brenga ime e vetme
Aktorja Marjana Kondi, në një rrëfim të gjallë mbi jetën e saj, familjen, miqtë, pasionin për sportin dhe 35 vitet e karrierës si aktore, mes teatrit dhe komedisë. Aktorja e njohur ndalon në rininë e saj dhe si u bë aktore, pasionin për sportin, mendimet “pa doreza”mbi familjen dhe jetën, kolegët e saj në Estradë dhe në Teatrin Kombëtar dhe arsyet se përse nuk është më pjesë e tij.

 

Intervistoi për Albanian Free Press: Juela Meçani

 

AFP: Sa herë ju shoh, shoh një femër moderne, sportive, të hedhur. Je paragjykuar diskur si femër moderne dhe a ke paragjykuar?

Unë asnjëherë nuk kam paragjykuar. Kam qenë e re dhe e kam pasur parim, nuk paragjykoja asnjëherë njeri. Në ato vite po të ndaheshin përshembull femrat, të gjithë e gjykonin. Edhe në punë në teatër, ku ambienti duhet të ishte më i moderuar, paragjykonin. Dhe unë mërzitesha, kundërshtoja. Pse duhet të akuzohet femra për shumë gjëra dhe jo mashkulli. Nëna ime ka qenë femër moderne, por edhe konservatore në të njëjtën kokë. Edhe unë i kam ngjarë, jam midis modernes dhe konservatores, sepse e shikoj që me kalimin e moshës, jam bërë më konservatore. Për mua është me rëndësi kapitale. Në punë dhe në jetën time shkoja nga shkoja dhe aty e gjeja atë kënaqësinë time. Me rritjen e vajzës, kur ajo duhet të kalonte fazat e rinisë dhe adoleshencës, brenda vetes isha shumë konservatore, por tek ajo hiqesha si shumë moderne. Fatmirësisht, vajza nuk më ka zhgënjyer kurrë. Për këtë jam shumë e lumtur.

AFP: Ka qenë edukimi juaj aty, sigurisht.

Ka qenë ekuilibri, unë kam qenë “llafazane”, ndërsa im shoq shumë i qetë e i matur. Ai fliste vetëm një herë dhe prerë. Im shoq nuk është artist, bazohet tek logjika, tek shkencat ekzakte. Ai vjen nga një familje akademikësh, geni i tij, thelbi i tij është intelektual. Stërgjyshi i tij ka qenë mësues, gjyshi mësues populli, babai i tij profesor-doktor. Vajza ime, si dhe unë, është rrethuar nga librat. Më kujtohet se humbi një libër në shtëpi dhe babi (vjehrri) përpara se të vdiste, e kërkonte. Në një moment tha, mos e kërkoni më, lëreni, ai që e ka marrë kulturohet.

AFP: Po ju vetë e keni dashur leximin?

Unë siç e thashë jam rrethuar nga librat, kam qenë natyrë romantike dhe lexoja shumë. Im shoq, edhe ai lexonte, por ka qenë shumë racional, natyrë e ftohtë, racional, shumë i qetë. E ka dashur shumë botën e tij, radion, televizorin, librat, një liri e bukur kjo brenda botës së tij. Edhe sot ne jemi po ashtu, me radion ndezur, sepse të dy dashurojmë radion dhe im shoq me dy pulte, sepse kërkon të jetë i informuar për gjithçka.

AFP: Si vajtët drejt aktrimit, teatrit?

Unë kam dashur të bëhem mjeke. Edhe tani unë lexoj shumë për mjekësinë, saqë jam bërë dhe mjeke e vetes. Por nuk kam qenë nxënëse shumë e mirë. Sot takoj ish-mësueset e mia e më thonë, jo, ke qenë nxënëse e mirë. Por unë e di që më bëjnë qejfin, se nuk kam qenë. Gjyshja ime nguli këmbë që të shkoja në Akademinë e Arteve për t’u bërë aktore sepse adhuronte aktoren Roza Anagnosti. Sot, po të ishte gjallë do ishte shumë e lumtur po ta dinte që Roza Anagnosti së bashku me bashkëshortin e saj, janë miqtë tanë më të mirë familjarë. Paralelisht me akademinë unë praktikoja sport, së bashku me vëllain tim, ka qenë në kërcim me shkop. Unë edhe sot e kam pasion. Merrem me not.

AFP: Pra ke qenë një vajzë e shkathët?

Shumë e shkathët, bëja një orë e gjysmë palestër dhe kam qenë një ndër vajzat e para që i kam hipur motorrit në ato vite. Më pas u rrëzova nga motorri dhe që nga ai moment nuk ngas as makinën. Më pas u lidha me tim shoq e krijuam atë familjen tonë modeste. Kam jetuar me prindërit e tij si të ishin gjaku im. Bashkëshorti ka qenë ndër të parët e specializuar në Gjermani për dy vite dhe i kujtoj me nostalgji ato kohë për letrat që shkëmbenim dhe romantikën e mallit. Unë kam ushqyer një dashuri dhe respekt të jashtëzakonshme për prindërit e bashkëshortit. Shpesh më akuzonin se shtiresha, se nuk ishte e vërtetë. Por marrëdhënia ime me ta ka qenë si me dy prindër.

AFP: Nuk dukesh, por je një gjyshe. Vajza të ka gëzuar me një mbesë. E ke problem që të thërrasin gjyshe?

Unë jam shumë e lumtur që vajza ime më bëri një mbeskë, ajo është gëzimi i tërë familjes. Me aq sa mundem edhe shkoj dhe e ndihmoj, pavarësisht se vjehrra e saj e ndihmon më shumë. Më thërret ‘nona’ në fakt dhe nuk ka emër më melodi se ky. Unë nona jam e kjo nuk më heq asgjë. Më vjen të qesh me shumë femra të moshës time që publikojnë fotot, në rrjetet sociale, në palestër, të parukierja, sikur duan t’i tregojnë tërë botës që ja, ne po merremi me sport. Po a shijojnë gjë vallë? Nuk kam bërë kurrë asgjë për t’u dukur, por vetëm për kënaqësinë time e të familjes time. Nuk jetoj për të tjerët.

AFP: Si ka qenë bota e profesionit tuaj?

Bota e profesionit tim ka qenë një botë shumë e bukur, por i kam pasur idetë e qarta. Ka qenë bota e punës dhe jo e të ngrënave e të pirave me aktorë e regjizorë me kolegët e mi artistë. Bën për mua një dallim shumë të madh. Nga Teatri i Estradës kam kujtime shumë të bukura. Por nga Teatri Kombëtar, ashtu siç është katandisur, jo. Ka shumë shtirje, nuk janë me këmbë në tokë. Flasin me filozofi, me fjalë të mëdha, por brenda kanë vese dhe janë bosh. Në skenë adhurohen, në jetën e përditëshme nuk mbahen, nuk vishen siç duhet, femrat, disa sigurisht nuk janë të kuruara dhe aktorët meshkuj, disa edhe ata, pijnë shumë, nuk janë të disiplinuar e të rregullt. Shpesh provat shtyhen për orën dy të drekës, sepse aktorët nuk janë në gjendje të dalin në skenë. Unë nuk kam qenë e nuk jam kjo. Ndaj nuk kam shumë për të thënë për Teatrin, sepse nuk kam mundur dot kurrë ta pranoj delirin e madhështisë. Të të tregoj një histori të vërtetë. Në Qerret ku unë pushoj, shikoj dy aktorë që i njihja të mbështjellë më shalla, kapele e syze. Pyes kujdestarin e plazhit, Berti quhej, ore se ku i kam parë ata të dy. Rri, -më thotë, -mos fol, ata rrinë ashtu se nuk duan t’i njohin njerëzit. Në fakt ishte e kundërta. VIP-at e teatrit donin të binin në sy si “Big” që e mbanin veten.

AFP: Pra, ke pengje në jetë?

Pengu im i vetëm në jetë është sjellja e paskrupullt dhe e padrejtë e drejtuesit të Teatrit, Hervin Çuli. Unë kam defektet e mia si çdo njeri, por nuk i kam hyrë askujt në hak. Unë nuk u bëra pjesë e enturazhit që ai ndërtoi, po normal, sepse unë nuk rrija me ta, nuk pranoja të ndaja role në tavolina kafenesh në mes të alkoolit. Mua madje m’i merrnin rolet, sepse unë ndërkohë mbaroja punën dhe shkoja në pazar e në shtëpi. Nuk mund të bëja jetë nate unë, sepse jeta ime ishte punë dhe familje duke jetuar shëndetshëm. Unë pra, kam pësuar traumë pas largimit nga Teatri Kombëtar sepse u hoqa pa arsye. Por e kam marrë me shumë qetësi. Sepse u hoqa nga një drejtues pa dinjitet dhe karakter. Dhe mbi të gjitha ia kam lënë në dorë “karmës” tek e cila besoj fort. Dhe ja që po shikoj, po shikoj që tani veprat e mbrapshta të një drejtuesi të paaftë i cili po e shkatërron Teatrin Kombëtar. Dhe në këtë pikë, unë dua të veçoj rëndësinë e regjisorëve që bien në kompromise edhe kur nuk duhet. Ndaj dua të falënderoj regjisorët e spektakleve, që na zgjedhin ne aktorëve sepse jemi karizmatikë. Por në rastin tim, spektaklet e Vera Grabockës ose Altin Bashës më dhanë vlerësim në një situatë shumë të vështirë. Aty më ka dhënë dorë sërish Estrada e Tiranës, ku ne kishim monologun, komedinë, kllounat, muzikën. Dje në një mënyrë të vjetër, sot më moderne, por është po ajo. Ishte përmes “Dancing with the stars” dhe Vera Grabockës që unë arrita të largoja të keqen nga vetja e të mbillja pozitivitetin dhe humorin.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: