Matura, MAS publikon formularin, si do zhvillohen provimet

Matura, MAS publikon formularin, si do zhvillohen provimet

Testet e provimeve me detyrim do të përmbajnë 25 pyetje, kurse ato me zgjedhje do të kenë 20 pyetje. Çfarë duhet të kenë parasysh maturantët

Maturantët që do t’i nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore do të njihen sot me Formularin A1 dhe A1Z. Ky fakt është bërë i ditur nga zv/ministra e Arsimit Nora Mala në një prononcim për "Albanian Free Press" ku ka sqaruar se prej datës 11 Mars formulari është dërguar në të gjitha Drejtoritë Arsimore dhe Zyrat Arsimore. Në rregulloren e ministrisë së Arsimit, pikërisht në nenin 13 të saj në pikat 1 dhe 2 përcaktohen afatet e publikimit të këtyre formularëve. “Mas-i, deri në datën 10 mars 2017, miraton formularët A1 dhe A1Z, si dhe udhëzuesit përkatës. Deri më datë 11 mars 2017, në portalin e MAS-it dhe në faqen zyrtare të AKP-së, shpallen formularët A1 dhe A1Z, si dhe udhëzuesit për plotësimin e tyre...”, - thuhet në rregulloren e Maturës Shtetërore. Nga ana tjetër, ministria e Arsimit ka nxjerrë vetëm udhëzimin për datat dhe organizmin e Maturës Shtetërore 2017.

Organizimi i provimeve

Në bazë të udhëzimit nr. 7 datë 10. 03. 2017, jepen të gjitha detajet dhe datat e 5 provimeve të maturës shtetërore. Më konkretisht, 3 provimeve me detyrim dhe 2 atyre me zgjedhje. Testi për secilin nga provimet e detyruara, do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat, 13 pyetje do të jenë me alternativa dhe vlerësohen me 13 pikë, kurse 12 kërkesa do të jenë me zhvillim dhe vlerësohen me 37 pikë. Secili prej provimeve do të zgjasë 2 orë e 30 minuta. Ndërsa testi për secilin nga provimet me zgjedhje, do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me alternativa dhe vlerësohen me 10 pikë, kurse 20 pyetje janë me zhvillim dhe vlerësohen me 30 pikë. Koha që do të kenë maturantët në dispozicion për dy provimet me zgjedhje, është 3 orë. Sipas udhëzimit të ministrisë të Arsimit, provimet e maturës në sezonin e vjeshtës, nisin në orën 10:00, ndërkohë kandidatët që kanë vetëm një provim me zgjedhje hyjnë në orën 11:00. Maturantët që japin provim vetëm në njërën nga lëndët me zgjedhje, e fillojnë atë në orën 11:30 dhe e përfundojnë në orën 13:00. Maturantët që rezultojnë mbetës në provimet e maturës, i japin sërish në sesionin e dytë.

Rregullat e provimit

Maturanti paraqitet në qendrën e provimit 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të tij. Kur paraqitet në mjediset e provimit, duhet të ketë dokumentin e identifikimit dhe mjetet e nevojshme si: laps, vizore, kompas, makinë të thjeshtë llogaritëse. Kandidati plotëson testin me stilolaps me një ngjyrë. Në pyetjet me alternativa, maturanti/kandidat rrethon vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë. Nëse kandidati rrethon më shumë se një alternativë, ose nuk rrethon asnjë, vlerësohet me 0 pikë. Maturantët e seksioneve dygjuhëshe shkollore, vendosen nga AKP-ja në një mjedis për shkak të monitorimit nga përfaqësitë përkatëse dhe në zbatim të marrëveshjeve dypalëshe. Për ata që nuk mund të lexojnë apo të shkruajnë, PAP­i autorizon një person jo të profilit, për plotësimin e testit sipas përgjigjeve të dhëna me gojë nga maturanti. Maturantët që dorëzojnë testin, firmosin për dorëzimin e tij në listën që zotëron AP­ja. Kandidatët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk mund të dalin nga qendra e provimit para kohës së përfundimit të tij. Ata grumbullohen brenda qendrës, në një mjedis të përcaktuar më parë. Kur maturanti vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit, ka të drejtë të informojë AP­në, PAP­in dhe përfaqësuesit e MAS­it. Kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve. Kërkesa me shkrim për fotokopjen e testit paraqitet në KSHMSH, e cila do t’i kthejë përgjigjen.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: