Mësuesit e komunizmit ishin heronj, flinin edhe në klasë

Mësuesit e komunizmit ishin heronj, flinin edhe në klasë
Intervistoi për Albanian Free Press, Albert. Z. ZHOLI

Drejtor Mevludi, - pasi kështu i thërrasin të gjithë, - ka, ndoshta, një rekord në mësuesi. Ai ka punuar 46 vjet në arsim, ku nga këto plot 40 vjet ka qenë drejtor shkolle. Nga vitet si mësues, 23 vjet i ka bërë në Dibër dhe 23 në Tiranë. Në “duart” e tij kanë kaluar mbi 32 mijë nxënës.

Rruga e tij e mësimdhënies ka lëvizur nga Qaf Murr, në Selishtë të Dibrës, pastaj në Laknas të Tiranës, në gjimnazin "Sandër Prosi" dhe, në fund, në gjimnazin "Kol Jakova", sërish drejtor. Ditën e daljes në pension, kolektivi mësues nxënës i bënë një mbrëmje përcjellëse shembullore.

Në intervistën për Albanian Free Press, njeriu që për gati gjysmë shekulli i është përkushtuar arsimit, flet edhe për diferencën ndërmjet dy kohëve: Periudhën e diktaturës komuniste dhe atë të pluralizmit politik.

Mevlud Buci thotë se sot kushtet janë shumë më të mira se vite të shkuara, por janë shfaqur dy dukuri të shëmtuara që nuk haseshin më parë: Mitmarrja nga mësuesit dhe mungesa e respektit për figurën e arsimtarit nga nxënësit.

Ai thotë se, pavarësisht kushteve, në kohën e komunizmit kishte më shumë idealizëm nga arsimtarët dhe më shumë dëshirë për të mësuar nga nxënësit.

 

Kur keni dalë mësues dhe në ç’moshë ishit?

Unë kam dalë mësues në vitin 1969, kur mbarova normalen e Elbasanit. Isha vetëm 18 vjeç. Pra, isha ende nxënës vetë dhe u bëra mësues.

 

Si ishte mësimi në shkollën Normale të Elbasanit?

Ajo shkollë mbetet në histori. Shkollë model, me mësues model. Kudo që shkoje, shihje vetëm pastërti, nxënës të edukuar dhe mësues tepër të përgatitur. Shkollë që, me të vërtetë, e kujtoj me nostalgji.

 

Ku fillove të japësh mësim në atë kohë?

Fillova të jap mësim në Qaf-Murrë, në zonën e Katër Grykëve. Një zonë me tradita të theksuara patriotike, zonë arsimdashëse midis Matit dhe Dibrës. Një zonë me dhjetëra heronj dhe dëshmorë, bazë e luftës për liri dhe pavarësi.

 

Sa nxënës kishte ajo shkollë dhe si ishin kushtet e shkollimit?

Atëherë, pra në vitin 1969, ajo shkollë kishte rreth 1 mijë nxënës dhe ishte një ndër shkollat më të mira të Dibrës. Kushtet nuk ishin si sot, por çdo gjë mirëmbahej dhe shikohej me përgjegjësi nga mësuesit dhe nxënësit. Ne kujdeseshim për pastërtinë, për rregullin, për laboratorët, punonim orar pa orar dhe përcillnim dashuri dhe ngrohtësi tek nxënësit. Kishim 20 klasa me tre cikle të ulëta dhe një cikël tetëvjeçar. Kishte disa klasa paralele. Duhet të dini se, deri në atë kohë, ishte sistemi 8-vjeçar i shkollimit dhe vetëm në vitet e më vonshme të demokracisë, u kalua në sistemin 9-vjeçar.

 

Po ju, çfarë lënde jepnit dhe a ishin të interesuar nxënësit për të mësuar?

Jepja dhe kam dhënë në vijimësi gjuhë-letërsi. Mund të them se nxënësit ishin shumë të interesuar për këtë lëndë, pasi unë u bëja prezent të gjithë shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj në botë dhe ato libra që blija apo lexoja ua tregoja edhe nxënësve,  i informoja. Nuk ka lëndë të mirë apo të keqe për nxënësit. Të mirë apo të keqe, të lehtë apo të vështirë, ia bën mësuesi. Qëndrova 2 vjet mësues dhe më pas u emërova drejtor. Pas këtij emërimi, deri në daljen në pension, kam qenë drejtor në disa shkolla 9-vjeçare dhe të mesme, pasi mbarova Universitetin me korrespondencë shkëlqyeshëm dhe më pas mora titullin Doktor Shkencash.

 

Si do ti cilësoje mësuesit e periudhës së regjimit komunist?

Ishin mësues heronj! Sakrifikonin pa masë. Mësimin e zhvillonin në mënyrë korrekte. Mësuesit e djeshëm, me ata që janë sot, me 4-5 diploma, as mund të krahasohen. Ishin mësues, me sedër, me kulturë, plot dinjitet, të dashuruar me mësimdhënien, të dashuruar me lëndën dhe punonin vazhdimisht për të pasuruar dijet. Mund të them se puna e tyre ishte shkencore. Kishte mësues që vinin nga zona të tjera dhe flinin në klasa apo dhe në dhoma beqarie që u jepte këshilli i fshatit. Për 46 vjet arsimtar, mund të them se si ata mësues nuk vijnë më. Ata ishin male për punën e tyre.

 

Si veprohej atëherë për nxënësit me ecuri jo të mirë me mësime? Kishte kurse individuale nga mësuesit, apo ishte detyrë e mësuesve t’i ndihmonin pas mësimit?

Ne kishim organizuar punën e diferencuar. Shikonim cilët nxënës ishin me nota jo të mira dhe me ta organizonim në shtëpi ose në klasë nga vetë mësuesit, punë të diferencuar. Njëkohësisht, krijonim grupet e ndihmës për mësime. Kjo do të thoshte se ata nxënës që ishin shumë mirë me mësime, i bënin mësimet bashkë me një nxënës jo të mirë. Kjo ishte puna sistematike. Por, nga ana tjetër, bënim dhe aktivitete të shumta kulturore, artistike por edhe sportive, si festivale mes shkollave, spartakiada apo dhe konkurse. Shkollat kishin gjallëri. Puna e diferencuar ishte në program shkollor.

 

Si silleshin nxënësit atë kohë me mësuesit?

Sjella e nxënësve ishte shembullore. Nuk mund të mendohej që nxënësi të bënte zhurmë në klasë, apo të kundërshtonte mësuesin. Nxënësit vinin me përparëse të zeza me jakë të bardhë. Kishte uniformë dhe korrektësi. Nuk them që nuk kishte nxënës të padisiplinuar, por për ta kishte masa disiplinore, kishte kolektiv, mbledhje me prindër. Të gjitha gjërat zgjidheshin në mënyrë kolegjiale. Duhet të dish se në atë kohë kishte nxënës që vinin nga 5 km larg me këmbë. Kishte mësues që vinin dhe më larg se aq, por kjo s'do të thoshte që mësuesit të mos u përgjigjeshin kërkesave të nxënësve. Sakrifica kishte nga të dy krahët. Nuk punohej për para, por për dije. Kishte heroizëm dhe idealizëm ajo kohë, paçka se regjimi dhe lufta e klasave ishin ana e errët. Flas për shkollën, për rregullin. Kishte dhe ideologjizma në programet e teksteve shkollore, që nuk duheshin, por ajo nuk ishte pjesa e madhe.

 

Po sot, sa nxënës kanë shkollat ku keni shërbyer në Dibër?

Ah, sot! As mos e zë me gojë! Nga një mijë nxënës, kanë nga 200 ose më pak. Fshatrat janë zbrazur. Është fatalitet. Në disa fshatra nuk ka shkolla fare. Për shkollat e mesme nuk bëhet fjalë.

 

Si janë shkollat sot, krahasuar me ato të regjimit komunist?

Shkollat sot janë më të bukura, me kushte më të mira, nxënësit të veshur më bukur, të ushqyer më mirë. Shumë shkolla kanë laboratorë të mirë, madje, dhe palestra. Shkolla e fundit ishte me një numër nxënësish prej 2200 vetë, që zinte vendin e dytë në Republikë.

Por konstatoj, për fat të keq, se sot nuk ka përkushtim. Konkurset bëhen formale. Mësuesit nuk respektohen, por dhe vetë mësuesit kanë nxitur, deri diku, mitmarrjen. Atëherë nuk njihej mitmarrja. Ka pasur raste, në vitet e fundit, që nxënësit janë kapur dhe me hashash. Mësuesit janë “në thikë” pasi ende ekziston miqësia, hatëret, tarafet dhe jo përvoja, rezultatet dhe dijet.

 

Kush është parimi i mësuesit?

Përkushtim, lexim, mësimdhënie korrekte, respekt dhe dashuri për nxënësit. Pa këto norma, mësuesi është i detyruar të dështojë.

 

Po vetë nxënësit, a kanë respekt për mësuesit sot?

Ka rënë ndjeshëm respekti i nxënësve për mësuesit, kjo edhe për faj të prindërve. Mund të them se më shumë se 30% e nxënësve, nuk i respektojnë. Mësuesi matet nga puna dhe përkushtimi, jo vetëm nga diplomat. Por mund të them se jo çdo përgjegjësi për edukimin e mban mësuesi. Mësuesi është 90% përgjegjës për rezultatet e nxënësve, ndërsa për edukimin 10%. Kur flasim për edukimin, familja është baza e edukimit të çdo fëmije, pasi mësuesi plotëson disa boshllëqe profesionale në edukimin e fëmijës, që prindi nuk i jep dot.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: