Misteri i mirënjohjes

Misteri i mirënjohjes
Nga Juela Meçani

Mirënjohja, ky mjet i jashtëzakonshëm i mirëqenies sociale. Personat që kanë tendencën e të qenit mirënjohës, shquhen qartësisht nga një sens më i madh afërsie me të tjerët, kjo nuk duhet mohuar, i ndihmon ata për të ndërtuar rrjet të fuqishëm social, e të mos harrojmë kurrë, rrjeti ynë social, është faktori thelbësor i mirëqenies personale.

Pra, le ta quajmë mirënjohjen një nga trajtat personale më të lidhura me mirëqenien psikologjike. Hyra të lexoj dhe mësova se ka studime klinike të psikologjisë, që kanë vërtetuar se personat e orientuar drejt mirënjohjes, janë më vitalë, optimistë, emfatikë dhe shijojnë më shumë se të tjerët emocione si gëzimi, mrekullimi dhe frymëzimi. Të shprehësh mirënjohjen, nuk është vetëm komunikim i një ndjenje, por ka edhe efektin e të ndjerit mirë.

Mirënjohja është edhe një mister i madh, sepse është si thesar i pazbuluar, ose që zbulohet, shpesh, mjaft vonë. Është si një mister që duhet të mësosh ta zbulosh në jetë dhe gjatë eksperiencave të tua. Në morinë e energjive negative, që thithim apo provojmë çdo ditë, është e mistershme se si jeta na vë në provë, duke na sjellë, herë pas here, në jetën tonë persona të cilët, me vetëdije apo jo, na tregojnë rrugën e duhur, na dhurojnë zgjidhje, ide, na japin mbështetje në momente kyçe, kur jemi në udhëkryq.

Nëse ndalemi t’i bëjmë pyetjen vetes, se çfarë do të bënim në të kundërt, atëherë kuptojmë se sigurisht do të vazhdonim të jetonim, por me një panoramë krejt tjetër. Të jesh vetvetja është vlerë, dhuratë, fat, por ndodh shpesh që jemi vetvetja, sepse persona pozitivë, rreth nesh, na kanë mundësuar të jemi vetvetja. Pra, edhe egon e kemi, sepse të tjerë persona kanë lënë mënjanë egon e tyre. Ja, pra, sa e mistershme është mirënjohja.

Jeta na ofron shumë momente rritjeje. Shpesh, tepër të bukura, shpesh të dhimbshme dhe vendimtare. Dhe ja, te kjo e fundit, mirënjohja zbulon misterin e saj. Ne do të ishim të tjerë njerëz, me tjetër ndërtim, në këto momente vendimtare, e më e pakta që duhet të bëjmë, është të jemi mirënjohës, të provojmë mirënjohje e nëse jemi koherentë me veten, ta tregojmë mirënjohjen, ta shprehim, ta faktorizojmë.

Por duhet edhe në këtë rast, të zgjedhësh që në krye të herës se do apo jo ta kesh këtë mister me vete në jetën tënde. Po, është me zgjedhje. Zgjedh vetë ti, nëse do të jesh mirënjohës në jetë. Mund edhe të të edukojnë me mirënjohjen. Unë vetë jam bijë e një babai që më ka mëkuar me mirënjohjen, që në vogëli. Por më pas, je vetë ti që zgjedh, e je vetë ti që e vë në peshore jetën tënde dhe zgjedh, nëse do që tek ty të fitojë e mira mbi të keqen, sepse mirënjohja është akti më sublim i të mirës dhe një urë e pathyeshme e lidhjes tënde me Zotin, kjo, sigurisht, tek unë që besoj fort.

Pra, e thënë shkoqur, të zgjedhësh MIRËNJOHJEN si stil jete. E ke vetë në dorë, e këtë mos e harroni! Si çdo veprim i mirë, ka koston e vet në këtë botë ku mbizotërojnë energjitë negative. Por është kosto që vlen ta marrësh, sepse vitet kalojnë për të gjithë. Deri në një farë moshe, e tejkalon këtë ide, mendon se ke kohë për të gjitha, por një ditë do të jesh vetëm përpara pasqyrës, e do kuptosh, mendoj të gjithë do kuptojmë, se me emër e mbiemër, kemi disa persona në jetë që na kanë sublimuar, të cilët kanë lënë një tatuazh emocional në mendjen tonë, kanë ndërruar kursin e gjërave e na kanë bërë ata që jemi.

Albert Camus fëmijë ishte shumë i varfër. Kishte humbur të atin dhe jetonte me të vëllanë dhe nënën analfabete, gati të shurdhër. Në fillore, mësuesi i tij Louis Germaine, mbeti i habitur nga inteligjenca Camus dhe e inkurajoi me ngulm të shkruante. Vite më pas, pak ditë pasi tërhoqi çmimin Nobel në Stokholm, Albert Camus, tashmë, i famshëm, i shkruan:

“I dashur zoti Germain,

Prita të shuhej zhurma që më ka rrethuar këto ditë, përpara se të flisja me ju me gjithë zemër! Më kanë bërë një nder shumë të madh, të cilin as e kërkova dhe as e shtyva. Por, sapo mora lajmin, mendimi im i parë, pas atij për nënën, ishit ju! Pa ju, pa dorën tuaj të dashur, që i shtritë një fëmije të varfër si unë, pa mësimet dhe shembullin tuaj, nuk do të kisha asgjë nga këto. Me këtë gjest, të cilin nuk e mbivlerësoj, dua të gjej rastin t’u them çfarë ishit dhe jeni për mua, e dua t’u siguroj se përpjekjet, puna dhe zemërgjerësia juaj, është e gjallë tek unë edhe sot! Unë vazhdoj të jem nxënësi juaj mirënjohës! Ju përqafoj me të gjithë forcën time!”

Ja, kaq mjafton për të qenë njeri! Kjo është aroma e jetës. Mirënjohja ka aromë lumturie. Një gjest mirënjohjeje, përuljeje fisnike dhe devotshmërie, na bën më të mirë. Larg çdo egoizmi për shlyerjen e mëkateve të ndërgjegjes, mirënjohja na përmend e na kujton cilët qemë e cilët mund të kishim qenë. Një mister i madh sa vetë krijimi i njerëzimit. Thjeshtë, saktë, pa gabime.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: