Modë: Tendencat, pranverë-verë 2017

Modë: Tendencat, pranverë-verë 2017
Nga Juela Meçani

Kemi hyrë në sezonin pranverë-verë në modë, dhe kjo duket qartë, në rrugët e Tiranës e kudo gjetkë. Shikojmë më tepër ngjyra, më shumë pambuk, ka nisur dhe linoja, më tepër xhaketa të lehta dhe funde të derdhura. Por kërkuam një mendim prej eksperteje, se cilat do të jenë tendencat e këtij sezoni në veshjen e të rinjve, por edhe të personave në karrierë. Takuam në atelienë e saj, stilisten Anila Konomi, dhe e pyetëm mbi këto tendenca, por edhe kërkuam disa këshilla se cili është çelësi që, këtë pranverë-verë, të jemi sa më të bukur dhe në modë.

Sapo kemi hyrë zyrtarisht në pranverë. Cilat janë tendencat në look për këtë sezon? 

Gjëja e parë që mendojmë kur ndërron stina, është të ndërrojmë, menjëherë, gardërobën dhe pyetja e radhës është se, cilat janë tendencat, çfarë duhet të mbajmë dhe çfarë duhet të blejmë si risi?

Sigurisht pyetja e parë që të vjen në mendje, është cilat ngjyra do të na shoqërojnë. Dhe përgjigjen e gjen tek pantone, e cila udhëheq ngjyrat që do të mbizotërojnë si p.sh., ngjyra blu në të gjitha nuancat e saj. Gjithashtu ngjyra portokalli ose mandarinë, ngjyra vjollcë, ngjyra lejla dhe mbretëresha orkide. Nuk do të mungojë edhe, këtë vit, ngjyra livandë dhe në masë shikohet roza e ftohtë, si dhe ngjyra jeshile. Kjo e fundit e theksoj, sepse do të jetë mbizotëruese.

Këto ngjyra do t’i shohim të kombinuara çuditshëm, por do të rrinë bukur pranë njëra-tjetrës.

Sa i takon se si do të vijnë dhe në çfarë forme, mbizotëruese mendoj se do të jenë copat me lule të mëdha dhe të vogla si dhe grafikët e vijave pikave dhe kuadrateve. Në materiale si mëndafshi dhe taftaja, më pas edhe pambuku.

Sigurisht, të flasësh për tendencat nuk mjafton të flasësh vetëm për ngjyrat, por dhe për formën në të cilat ato vijnë dhe përherë e më shumë, moda po fokusohet tek ky detaj i rëndësishëm.

Do shohim asimetri si këmisha oversajz (oversize), me jaka burrash, flutura volante të gjata si dhe me tepër aksesorë mbi to.

E veçantë do të jetë se, do të shohim veshje me shtresa si p.sh., fustane mbi pantallona, funde të gjera mbi funde slim, fustane me supe jashtë të shoqëruara me rripa të hollë dhe të trashë që theksojnë belin.

Çfarë do të këshillonit për një femër në karrierë, politikë apo biznes në këtë stinë? 

Sigurisht, kur bëhet fjalë për femrat në karrierë e mira është që tendencat ti ndjekin edhe ato. Por kërkohet kujdes, jo shabllon apo pikë për pikë. Zonjat apo zonjushat në karrierë në biznes apo politikë, mendoj se duhet të marrin pak nga të gjitha dhe t’i kombinojnë me zgjuarsi, shije të hollë mbi stilin, moshën dhe fizikun e tyre. Pa diskutim që, një femër e cila është e aftë të bëjë karrierë, duhet të ketë zgjuarsinë të krijojë stilin e saj unik si dhe të dominojë mbi të tjerët.

Kur ngrohet moti, shikojmë jo rrallë deputetë me t-shirt në komisione parlamentare. Cili është mendimi juaj? 

E vërtetë është që kjo dukuri ndodh shpesh dhe mendoj se pikënisja e këtij stili, është dëshira që politikanët të duken më spontanë dhe më të rinj. Por, jo. Do të isha kritike ndaj këtij prezantimi, për arsye se veshja tregon personalitet dhe të ndihmon kur se ke atë dhe sigurisht, imponon respekt kur të mungon. Do të këshilloja veshjet e materialit lino, të lehta e rinore, por që të lejojnë të mbash xhaketë apo këmishë edhe në verë. Me ngjyra pastel, e kaltra, ngjyrë okër, sigurisht ngjyra krem apo e bardhë.

Dhe ja ku hyn në lojë stilisti. Çfarë gjen një klient te stilisti, që nuk ia ofron butiku?

Të realizosh një veshje në atelie, do të thotë që kjo veshje të jetë e personalizuar, unike, si dhe të ketë stil. E veçanta tjetër në atelie, është se veshja punohet me dorë, ku i kushtohet rëndësi detajeve, aksesorëve si dhe më e rëndësishmja, është që, në fund, kjo veshje mbart emrin e stilistit. Pra, nëse ne blejmë një veshje në butik, atë mund ta gjejmë në kopje të tjera, ndërsa në atelie ajo do të mbetet gjithnjë unike.

Po për periudhën e plazhit që po afron, çfarë i sugjeroni lexuesve?

Do të thosha që të përqendrohen tek kostumet e banjës me ngjyra të ndezura dhe të printuara me lule shumëngjyrëshe. Këshilla ime është që kostumin e banjës, mos ta konsiderojnë si një copëz të veshjes nga gardëroba e tyre, por si një kostum i cili i përfaqëson. Këtë këshillë do ia drejtoja kryesisht grave të moshës së mesme, të cilat duhet të kenë kujdes kur të drejtohen për të blerë kostumin e tyre të banjës, duhet ta blejnë një masë më të madhe se masa e tyre, sepse kjo bën të mundur sfumimin e linjave të tyre.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: