Në maj, gati një agjenci e re për administrimin e tregjeve në Tiranë

Në maj, gati një agjenci e re për administrimin e tregjeve në Tiranë
Agjencia e Administrimit të Tregjeve ka për qëllim menaxhimin më të mirë dhe përmirësimin e strukturës së tregjeve

Sonila Isaku

Një agjenci për administrimin e Tiranës, do të çelet brenda muajit maj nga bashkia e Tiranës. Kjo agjenci do të ketë si qëllim të punës së saj, administrimin e të gjitha tregjeve në kryeqytet, duke u nisur që nga infrastruktura e deri në hapjen e tregjeve të reja. Projektvendimi i cili pritet të kalojë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, parashikon që kjo agjenci të merret me konsolidimin e ecurisë së tregjeve publike dhe hapjen e tregjeve të reja, duke pasur si qëllim zhvillimin ekonomik, urban dhe social. Agjencia duhet të administrojë edhe modele të reja tregjesh, si për shembull tregjet artizanale, tregjet e lëvizshme ditorë, tregjet e natës, tregjet e luleve dhe të librave etj. Në këtë mënyrë pritet që të krijohet lidhja e prodhuesit rural me konsumatorin urban, të stabilizohet rrjeti i tregtisë me shumicë dhe me pakicë, të shtohet punësimi dhe të reduktohet informaliteti, duke pasur si qëllim kryesor rritjen e të ardhurave vendore.

Situata aktuale

Sot në Tiranë gjenden 12 tregje publike, me një sipërfaqe prej 23 303 metrash katrorë me 1870 tezga ku ushtrojnë aktivitet 765 tregtare. Duke qenë se prej 25 vitesh në këtë sektor nuk është ndërhyrë përveç menaxhimit privat, problematikat që hasen janë të shumta duke nisur që nga mirëmbajtja e infrastrukturës fizike të tyre, pastrimit etj. Po kështu nuk ka një institucion përgjegjës që të merret  me planifikimin apo ndjekjen e e zbatimin e investimeve të nevojshme për përmirësimin e tregjeve publike apo atyre të lëvizshme. Aktualisht të gjitha tregjet kërkojnë investime në përmirësimin e kushteve të tregtimit, mungesën e orarit të funksionimit, mungesën e masave mbrojtëse kundërzjarrit, mungesë të ambienteve hidrosanitare, mungesë lejesh aktiviteti, mungesë parkimi automjetesh. Por ajo që është më thelbësorja rezulton mungesa e ambienteve jo të përshtatshme ku në disa raste produktet tregtohen në tokë apo në tezga të improvizuara, jashtë kushteve normale.

Agjencia

Të gjendur përballë kësaj situate bashkia e Tiranës ka menduar për ngritjen e Agjencisë së Administrimit të Tregjeve e cila ka për qëllim menaxhimin më të mirë dhe përmirësimin e strukturës së tregjeve duke përdorur me efikasitet hapësirat publike, përmirësimin e shërbimit, infrastrukturës dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore. Po kështu një tjetër pikë e rëndësishme është edhe hapja e vendeve të reja të punës si dhe ndryshimi i paketës rregullatore për organizimin dhe funksionimin e tregjeve. Promovimi tregjeve të lëvizshëm, do të jetë një tjetër risi që pritet të sjellë kjo agjenci, e gjitha kjo e ndërtuar mbi një plan-veprimi  të mirëpërcaktuar. Sipas projektvendimit agjencia pritet të hapet brenda muajit maj dhe në strukturën e saj do të ketë 36 punonjës.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: