Në Maqedoni pritet Zaevi, çfarë po ndodh me shqiptarët

Në Maqedoni pritet Zaevi, çfarë po ndodh me shqiptarët
 

Ndërsa Gruevski nuk arrin të formojë qeverinë, Zoran Zaev përgatitet të bëhet kryeministri i ri, me mbështetjen e shqiptarëve. Marrëveshja parashikon ligj të ri për përdorimin e gjuhës shqipe

Nga Mehmet Latifi

Ky shkrim është shkruar posaçërisht për Albanian Free Press

Pas dështimit të negociatave për formimin e qeverisë ndërmjet VMRO-DPMNE-së të ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, të Ali Ahmetit, situata politike në Maqedoni u ndërlikua.

Dështimi i negociatave ishte rezultati i mospranimit të platformës së partive shqiptare e miratuar nga BDI-ja, Aleanca për Shqiptarët (LR-PDSH, Uniteti dhe RDK e Fadil Zendelit) dhe Besa. Problemi u zmadhua, pasi ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, në pamundësi të sigurojë shumicën parlamentare për formimin e qeverisë në afat prej 20 ditësh, aq sa parashikon dispozita kushtetuese, u detyrua ta kthejë mandatin presidentit të shtetit Gjorgji Ivanov.

Kthimi i mandatit, nënkuptonte automatikisht se presidenti Ivanov, t'ia kalojë mandatin liderit të partisë së dytë për nga numri i deputetëve në parlamentin e Maqedonisë, që në rastin konkret, ishte Partia Social Demokrate  e Maqedonisë (LSDM), e kryesuar nga Zoran Zaev. Mirëpo, presidenti Ivanov, i ndikuar nga partia e ish-kryeministrit Gruevski, VMRO-DPMNE, kandidat i së cilës është edhe vetë presidenti, dhe duke shfrytëzuar hapësirat kushtetuese, refuzoi ta mandatorë Zoran Zaevin për formimin e qeverisë, duke e kushtëzuar të sigurojë shumicën prej 61 nënshkrimeve të deputetëve dhe të garantojë se do të ruajë unitarizmin e shtetit. Këtë kushtëzim, presidenti Ivanov nuk ia parashtroi Nikolla Gruevskit.

Pasuan kontaktet, takimet dhe negociatat e grupeve të punës të partisë LSDM dhe partive shqiptare: BDI-ja, Aleanca për Shqiptarët (koalicioni i tri partive shqiptare) dhe Besa, lidhur me harmonizimin e qëndrimeve rreth platformës së partive shqiptare, ku ndër të tjera ishin pikat e zyrtarizimit të gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në tërë Maqedoninë, vazhdimi i mandatit të prokurorisë Speciale, zbardhja e proceseve të montuara gjyqësore etj.

Zoran Zaev e pranoi Platformën e partive shqiptare. Kryetarët e partive shqiptare ranë dakord që, me nënshkrimet e deputetëve të këtyre partive, të mbështesin Zoran Zaev me 49 deputetë, të marrë mandatin për formimin e qeverisë, edhe pse dhënia e mbështetjes për të marrë mandatin, nuk nënkupton, automatikisht, pjesëmarrjen në qeveri. Për formimin e qeverisë, do të vazhdojnë negociatat me partitë shqiptare, për një qeveri të shumicës ose të pakicës, por, gjithsesi, e mbështetur nga partitë e lartpërmendura.

Në të gjitha këto negociata, Partia Demokratike Shqiptare, e Menduh Thaçit, me 2 deputetët e saj, ka qëndruar jashtë të gjitha aktiviteteve dhe nuk është përfshirë askund.

LSDM-ja ka konfirmuar se Zoran Zaev u takua dje me presidentin Gjorgji Ivanov dhe i ka dorëzuar nënshkrimet e 67 deputetëve, që ky i fundit t'i dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë. Zoran Zaev, para se të takohet me presidentin Ivanov, ka deklaruar se kjo është ditë historike për Maqedoninë dhe pret, sa më shpejt të jetë e mundur, të marrë mandatin për formimin e qeverisë. Zaev theksoi se është  optimist se, gjatë periudhës në vazhdim, do të ketë një transferim të qetë të pushtetit.

 

Çfarë ndodh nëse Ivanov, refuzon Zaevin

Analistët politikë vlerësojnë se ekziston një mundësi që presidenti Ivanov, nën ndikimin e partisë VMRO-DPMNE, të mos mandatojë Zoran Zaev për formimin e qeverisë së re.

Nëse presidenti Ivanov nuk e mandaton Zaev-in, në bazë të dispozitave kushtetuese, 67 deputetët mund të mbledhin parlamentin, të zgjedhin kryetarin e tij dhe të dorëzojnë përbërjen dhe programin e qeverisë së re, ku presidenti nuk ndërhyn dot më. Zgjedhja e organeve të parlamentit, krijon mundësinë edhe për shpalljen e zgjedhjeve lokale, që duhet të mbahen nga fillimi i muajit maj, ndërsa në mungesë të kryetarit të parlamentit, nuk mund të shpallen zgjedhjet lokale.

 

"Nëse LSDM-ja vendos të heqë dorë nga platforma nga Tirana dhe i hedh poshtë shantazhet joparimore për ripërkufizimin e shtetit, atëherë do ta ketë mbështetjen e VMRO-DPMNE-së ", - thuhet në reagimin e partisë së Gruevskit.

 

Parulla antishqiptare në protestat e aktivistëve të Gruevskit

Pas 11 viteve pushtet, aktivistët e VMRO-DPMNE, kanë  protestuar para qeverisë në protestën e organizuar me moton "Ta mbrojmë Maqedoninë". Protestuesit ishin të gjithë aktivistë  të VMRO-DPMNE dhe përkrahës të saj, të cilët brohorisnin edhe parulla antishqiptare. "Mos e shisni shtetin", porosi me të tillë përmbajtje, janë shpërndarë në mbarë Maqedoninë për funksionarët e LSDM-së, pasi ata janë afër koalicionit me BDI-në dhe parti të tjera shqiptare. Po ashtu, në shumë qytete të Maqedonisë, janë shkruar parulla ofenduese ndaj deputetëve të partisë LSDM, të Zoran Zaev, pasi ai ra dakord për një ligj të ri për gjuhën shqipe.

Parullat janë të mbushura me nacionalizëm, fyerje dhe gjuhë urrejtjeje, gjuhë që nuk ka munguar edhe nga klerikët ortodoksë dhe eksponentë politikë për gjoja ruajtjen e shtetit unitar. Mes të tjerash, në këto parulla thuhet: "Vrite, there, që shqiptari të mos ekzistojë"!

Por VMRO-DPMNE ka reaguar edhe zyrtarisht. Partia e Gruevskit i ka kërkuar Zaevit të mos pranojë platformën shqiptare.

“Është koha që LSDM-ja të tregojë nëse është për një Maqedoni të bashkuar ose është për një Maqedoni të krijuar sipas platformës nga Tirana. Është koha që LSDM-ja të tregojë me vepra, nëse dashuria ndaj atdheut është më e madhe se dëshira për pushtet me çdo kusht”, - thekson VMRO-DPMNE.

Partia e Gruevskit i ka ofruar edhe mbështetje qeverisë së Zaevit, nëse “heq dorë nga platforma nga Tirana”.

 

Gruevski kërcënon me “kantonizim” të Maqedonisë

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski , ka kërcënuar me “kantonizim” të Maqedonisë, nëse nuk respektohet parimi i krijimit të koalicionit në bazë të marrëveshjes mes fituesve respektivë të partive nga dy kombet.

Nikolla Gruevski, tha LSDM-ja, - po punon për destabilizimin e Maqedonisë dhe nëse populli qëndron këmbëkryq, atëherë, ky skenar sipas Gruevskit, do të realizohet së bashku me kantonizimin e vendit. Njëkohësisht, Gruevski tha se, në të ardhmen, nuk do të jetë i detyruar të përkrahë parimin “fitues me fitues”, pasi ky parim, nuk u respektua nga shqiptarët.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: