Nensi Kola: Pasioni për modën, trashëgim nga nëna ime

Nensi Kola: Pasioni për modën, trashëgim nga nëna ime
 

 Modelja 26-vjeçare thotë se pasioni për modën nuk e ka penguar të ndjekë edhe një tjetër ëndërr: Të bëhet avokate!

 

Nensi Kola është një vajzë tiranase, 26-vjeçare, e cila vazhdon avokatinë pas mbarimit të studimeve të plota në fakultetin Juridik. Por ajo është dhe një fotomodele e afirmuar, tashmë, në mesin e kompanive private dhe industrisë së tregtimit të veshjeve në Shqipëri. Më intrigoi ta intervistoja, sepse, në ndryshim nga shumë modele që njoh, Nensi Kola nuk është nën menaxhimin e ndonjë agjencie mode dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë konkurs bukurie, siç ndodh zakonisht. Ajo ka arritur me vetëmenaxhim të bëhet e kërkuar kudo për pamjen e saj. E takoj në një kafe. Nensi Kola vjen e veshur thjesht dhe këndshëm, e direkt pas takimit me mua, do të shkonte në një kurs profesional për estetikë.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

AFP: Një juriste-fashioniste, binom i çuditshëm... 

 

Pse jo. Një juriste nuk mund të jetë fashioniste? Mendoj që në mjediset ku ushtrohet ky lloj profesioni, është e nevojshme që si një juriste ashtu dhe jurist, duhet të jenë të kuruar deri në detaje.

 

AFP: Si ka ndodhur që je afruar me modën?

 

 

Me modën kam lindur, pasi gjithmonë nëna ime ka qenë e pasionuar pas saj dhe e ka ndjekur, qoftë me ato pak mundësi që ka patur ajo kohë. Më vjen mirë që e kam të trashëguar këtë pasion të saj, ndaj modës dhe të bukurës. Them dhe faktin që për çdo veshje marr gjithmonë miratimin e mamasë time, pa mendimin e saj nuk mund të vendos çfarë do të vesh ose do të blej.

 

AFP: Nëna juaj është juriste dhe ajo, por edhe financiere. Sa dakord ishte për aktivitetin tënd me modën dhe bukurinë? 

 

Po, edhe nëna ime e ushtron profesionin e juristes dhe, në të njëjtën kohë, eksperte kontabël. Siç e thashë dhe me sipër, gjithçka ka lindur prej saj. Mamanë e kam patur gjithmonë mbështetje në rrugëtimin tim për modën. Më këshillon gjithmonë në çdo detaj për bukurinë, arrin deri tek ngjyra dhe modeli i flokëve që duhet të zgjedh për veshjen e duhur. Jam me fat që e kam! Falë saj, jam kjo që jam!

 

AFP: Ju nuk vini nga bota e miss-eve, bëni përjashtim. Nuk i preferoni këto konkurse?

 

Nuk ka lidhje me preferencat, por nuk e kam parë të udhës të investohem në këtë drejtim. Mendoj se njerëzit të ndjekin dhe të vlerësojnë dhe kur ti nuk ngjitesh në pasarelë, kjo për atë çka ti paraqet.

 

AFP: Sa kushte krijon Shqipëria për fushën e bukurisë dhe sa profesionalizëm ka? 

 

Si në të gjitha drejtimet e tjera edhe fusha e modës, ka mangësi, por kjo lidhet edhe me faktin se në Shqipëri aktiviteti i parë i Miss Albania, ka filluar pas viteve ’90, edhe spektaklet e modës dhe të bukurisë kanë filluar shumë me vonesë. Mendoj se ka profesionalizëm sidomos nga individë të cilët ose kanë mbaruar një shkollë ose kanë punuar në ndonjë agjenci jashtë Shqipërisë.

 

AFP: Merresh apo je marrë me sport? 

 

Jam marrë me basketboll. Hoqa dorë nga ky sport në shkollë të mesme, pasi nuk kisha mundësi t’i ndiqja të dyja, edhe shkollën dhe basketbollin, por e kam të domosdoshëm ushtrimin e aktivitetit fizik në palestër ashtu dhe në natyrë, sepse më duhet të mbaj trupin në formë.

 

 

AFP: Ju aktivizoheni pa një agjenci suporti. Është zgjedhje e diktuar nga ndonjë faktor?

 

Kam zgjedhur ta menaxhoj dhe ta organizoj vetë mënyrën time të modelimit dhe blogeres. Kjo pasi në Shqipëri nuk ka agjenci mode të mirëfilltë, që të krijojnë kontrata optimale dhe, nga ana tjetër, nuk ke garanci në kohëzgjatjen e marrëdhënieve me këto agjenci.

 

AFP: Keni qenë pré e paragjykimeve mbi vajzat e bukura që merren me modën? 

 

Jo, asnjëherë nuk kam qenë pré e paragjykimeve. Me mua ka ndodhur pak e kundërta, kam qenë gjithmonë e vlerësuar dhe e përgëzuar nga njerëzit sidomos nga gjinia femërore.

 

AFP: Mendoni ta shfrytëzoni si profesion juridikun? 

 

Masterin e mbarova vitin që shkoi, dhe tani që flasim, vazhdoj shkollën e avokatisë. Mendoj se asnjë profesion nuk është i tepërt për dikë. Besoj se me kalimin e kohës, do e shfrytëzoj profesion e juristes.

 

AFP: Çfarë mendoni për shoqërinë mes femrave. A keni shumë mikesha? 

 

Jam me shumë me fat në pjesën e shoqërisë dhe i falënderoj pa masë, sepse i kam pas mbështetje në çdo pasion timin; madje këtu ku kam arritur, në botën e modës, jam fal tyre dhe familjes time. Probleme kam pasur dhe unë siç kanë të gjithë, por janë gjëra të vogla. Mikeshat i kam aq sa nuk mund t’i numëroj se janë shumë, sa më duhen ditë.

 

AFP: Çfarë vendi ka dashuria në jetën tuaj?

 

Dashuria zë një nga vendet më të rëndësishme në jetën time.

 

AFP: Dikur keni pasur probleme me peshën. Me vullnet e kaluat atë fazë. Ndërkohë anoreksia dhe bulimia po përhapet mes vajzave të reja. Ke ndonjë këshillë për to? 

 

Sa mirë që më bëre këtë pyetje! Unë kam hequr plot 20 kg, nuk kam hequr dorë nga ushqimet në mënyrë drastike, si në dietat apo regjimet e forta, por kam kuruar trupin duke u marrë me aktivitet fizik, 5 herë në javë bëj palestër dhe 2 herë në javë bëj vrap në natyrë. Këshilla ime është që vajzat mos ta kthejnë në qëllim mbajtjen e trupit deri në standardin nënpeshë, pasi këto sëmundje vetëm bukuri nuk mund të paraqesin.

 

AFP: Çfarë kujdesi bën për ushqimin? 

 

Ushqehem shëndetshëm, restorantet i frekuentoj rrallë. Kam hequr dorë nga dy gjërat që e them me plot gojën se i dashuroj: ëmbëlsirat dhe brumërat! Të gjitha ushqimet e tjera, i konsumoj normalisht dhe 3 herë në ditë. Regjimi im përfshin dhe mëngjesin që nuk e kam pas ngrënë asnjëherë më parë, kurse tani nuk dal asnjëherë pa mëngjes nga shtëpia.

 

AFP: Po afron vera. Ku preferon të pushosh?

 

Stacioni me i afërt është Capri në Itali, kurse Greqia është dhe do të mbetet gjithmonë vendi që më pëlqen të kaloj pushime të gjata.

 

AFP: Ke ndonjë projekt të afërt në fushën e modës?

 

Për momentin nuk kam ndonjë projekt të rëndësishëm, por nuk mund të lë pa përmendur një super ftesë që më ka ardhur nga një kompani pijesh në Itali, nga më të famshmet, “Disaronno” e cila më ka ftuar në datë 20 mars, të jem në Milano, të bëj një vizitë në fabrikën e tyre e të bisedoj për një bashkëpunim të mundshëm. Nuk do të flas më shumë, se dua ta lë surprizë.

loading...
loading...