Partitë shqiptare: Ivanov, shkelësi më i madh i Kushtetutës

Partitë shqiptare: Ivanov, shkelësi më i madh i Kushtetutës
REAGIMET/ Aleanca për Shqiptarët: Vendimi i Ivanovit përshkallëzon situatën. Lëvizja Besa: Nuk do të lejojmë shpërdorimin e ligjeve, Buxhetit dhe jetëve të personave të pafajshëm”

Pas vendimit të presidentit George Ivanov kanë reaguar partitë shqiptare, pjesë e koalicionit me në krye z.Zaev. Aleanca për Shqiptarët tha se fjalimi i George Ivanov drejtuar kombit, më shumë i ngjau një fjalimit të një aktivistit mediokër të pushtetit, se sa një Presidenti republike, që në raste të këtilla do të duhej të ishte vigjilent dhe t’i shërbente interesave të gjëra, qetësimit të gjakrave dhe të amortizojë përshkallëzimin e situatës.

Aleanca thekson se “Platforma e partive shqiptare nuk cenon shtetin e as identitetin dhe të kaluarën e historike të asnjë etniteti të caktuar. Ajo në radhë të parë parasheh parandalimin e zgjedhjes së një Presidenti, Kryeministri dhe Qeverie jo kompetente dhe kriminale siç kishim deri tani”

Aleanca siguron se “nuk do të lejojmë shpërdorimin e ligjeve, Buxhetit dhe jetëve të personave të pafajshëm”.

Ndërsa Lëvizja Besa vlerëson se z. Ivanov, është shkelësi më i madh i Kushtetutës. Pas deklarimit të Ivanov, se ai nuk do ia japë mandatin partisë së dytë dhe se këtë e bën për arsye të mbrojtjes së shtetit nga shqiptarët, Kryesia Qendrore e Lëvizjes BESA mbrëmë zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme.

Ajo konstatoi se ky është një moment shqetësues për vendin. “Në të vërtetë, z. Ivanov është shkelësi më i madh i Kushtetutës, duke mos i dhënë mandatin kryetarit të LSDM-së”.

Për Lëvizjen Besa, është alarmant fakti që Ivanov, i cili përfaqëson institucionin më të lartë të vendit, në emër të këtij institucioni gati sa nuk bëri thirrje për linçim të shqiptarëve të Maqedonisë, vetëm për arsyen e vetme se shqiptarët paskan nënshkruar një Deklaratë të Përbashkët të Partive Shqiptare.

“Prandaj i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, që ta kenë parasysh se vendimi i sotëm është rrezik potencial për komunitetin shqiptar në Maqedoni. Ndaj i ftojmë që të ndërhyjnë në rikthimin e shtetit të së drejtës, për të garantuar paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe për ta vendosur shtetin në binarët e integrimit euro-atlantik”., - thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

“Po ashtu u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për gjakftohtësi dhe maturi, si dhe për kujdes të veçantë. Lëvizja BESA do të jetë këtu, si gardian i interesave shqiptare në Maqedoni”, - vijon deklarata duke përfunduar: “Kjo që ndodhi sot është edhe një argument më shumë se shpëtimi i vetëm këtij vendi është ridefinimi i tij konform realitetit multientik të vendit”.

“Dokumenti paszgjedhor i partive politike shqiptare është nënshkruar në një shtet tjetër, kurse përmbajtja e saj është jashtë Kushtetutës. Me platformën, Maqedonia është shantazhuar dhe rrezikohet sovraniteti i vendit, – tha Ivanov. – Platforma na ka futur në një krizë ende më të madhe, ku vihen në pikëpyetje themelet e interesave të Maqedonisë dhe qytetarëve të tyre”

 

Gjuha shqipe, Presidenti refuzon Zaevin

Ivanov shpalli vendimin që mos i japë Zaevit mandatin për kryeministër edhe pse kishte votat e mjaftueshme. Pretendon se platforma është përgatitur në Shqipëri dhe se gjuha shqipe si e dytë zyrtare bie ndesh me Kushtetutën e Maqedonisë

SHKUP - Presidenti maqedonas George Ivanov, refuzon t’i japë mandatin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev për krijimin e qeverisë së në koalicion me partitë shqiptare.

Ivanov, i cili njihet si përkrahës i Gruevskit, në konferencën për shtyp që mbajti dje tha se i ka kërkuar liderit të LSD,  Zoran Zaev të hedhë poshtë dhe të mos pranojë platformën shqiptare si kusht për formimin e Qeverise së re.

“Dokumenti paszgjedhor i partive politike shqiptare është nënshkruar në një shtet tjetër, kurse përmbajtja e saj është jashtë Kushtetutës. Me platformën, Maqedonia është shantazhuar dhe rrezikohet sovraniteti i vendit, – tha Ivanov. – Platforma na ka futur në një krizë ende më të madhe, ku vihen në pikëpyetje themelet e interesave të Maqedonisë dhe qytetarëve të tyre”, - shtoi ai.

Sipas Ivanov, bashkësia ndërkombëtare duhet të dënojë platformën shqiptare pasi rrezikon sipas tij sovranitetin maqedonas. “Platforma është e përgatitur në vend të huaj dhe kjo është pengesë që të mos ia japë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev”, tha Ivanov, në konferencën për shtyp.

Sipas tij, me Platformën e Shqiptarëve, Maqedonia është shantazhuar dhe është peng i platformës së shtetit të huaj. Në vend që ta hedhin poshtë, disa menjëherë filluan që të bëjnë pazare me të. Por kur vjen puna për të ardhmen e shtetit, nuk mund të diskutohet. Pranimi i platformës së huaj është i dënueshëm”, tha Ivanov, duke shtuar se “qytetarët le të flenë rehat” pasi siç u shpreh, “nuk do t’ia japë mandatin Zaevit”.

Ivanov pranoi se shumica është arritur, por duke cituar ekspertë juridikë, shtoi se e rëndësishme është të respektohet neni 90 i Kushtetutës, ku siç theksoi, është e patjetërsueshme që pushteti të jetë legal dhe legjitim.

***

Vendimi i Ivanov erdhi dy ditë pasi kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, i dorëzoi 67 nënshkrimet e deputetëve të cilët janë dëshmi se partia e tij ka siguruar shumicë në Kuvend duke kërkuar mandatimin për të krijuar qeverinë.

Nikolla Gruevski e cilësoi këtë zhvillim si rënie e unitetit të shtetit duke shtuar se “populli duhet të mbrohet”. Tensionet politike shihen edhe nëpër rrugë ku simpatizantë të VMRO-së po protestojnë, kundër Platformës Shqiptare.

 

 

“Zaevit i kërkova që ta hedhë poshtë platformën”

Presidenti Ivanov tregoi dje para mediave se çfarë i ka thënë liderit socialdemokrat maqedonas. “Zaevit i kërkova që ta hedhë poshtë platformën, pasi maqedonasit votuan për reforma, - pohoi presidenti maqedonas dhe shtoi: “Një gjykim publik i platformës nuk ndodhi”. Sipas z.Ivanov, “platforma është një mohim i sovranitetit të Maqedonisë”.

“Ndërgjegja nuk më lejon t’i jap mandat dikujt që e rrënon sovranitetin e Maqedonisë. Çdo vendim i keq mund të sjellë pasoja katastrofale për të ardhmen e Maqedonisë. Qytetarët të jenë të qetë, sepse deri sa të jem President i Maqedonisë, nuk do t’i jap mandat dikujt që angazhohet, ose që në program të tij ka rrënimin e pavarësisë së Maqedonisë”, - tha Ivanov.

Po tani çfarë do të ndodhë?

Zoran Zaev siguroi mbështetjen e 67 deputetëve, përfshirë këtu të BDI-së dhe partive të tjera shqiptare, pas përfundimit të afatit të Nikolla Gruevskit, që megjithëse fitoi zgjedhjet, nuk arriti të formojë mazhorancën në Parlament. Tani që Presideni e refuzoi Zaevin, pritet që kriza të thellohet edhe më shumë dhe qytetarët e këtij vendi t’u drejtohen sërish kutive të votimit.

 

 

Zaev: Grusht shteti, vendimi të tërhiqet

Në një konferencë për shtyp, lideri I LSDM, Zoran Zaev ka deklaruar se Ivanov duhet ta tërheqë vendimin dhe t’ia japë mandatin, me argumentin se ai zotëron numrin e duhur të deputetëve.

“Ivanov, me vendimin për të mos e dhënë mandatin goditi shtetin. Ai thelloi edhe më shumë krizën, duke injoruar 67 nënshkrimet e deputetëve. Me këtë sjellje, edhe një herë ai doli në mbrojtje të Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së”, vuri në dukje z. Zaev.

Ai shtoi se forca politike që drejton nuk do të lejojë që dikush të luajë me shtetin. “Platforma që e mbështetën shumica e qytetarëve është e ardhmja e Maqedonisë. Ju bëj thirrje qytetarëve të mos bien prè të provokimeve”, apeloi Zaev.

Për kreun e opozitës maqedonase, e gjitha kjo që ndodh tani është përgatitur me regji të Gruevskit, duke vënë në dukje dhe faktin sipas tij se bashkëpunimi me Ivanov i liderit të VMRO-DPMNE është i përsëritur.

Zaev e ka një apel tjetër, për z.Ivanov: “Presidenti duhet ta tërheqë këtë vendim dhe të shpallë dhënien e mandatit, sepse këtë e garanton Kushtetuta”.

 

Komisioneri Hahn: Në një demokraci, shumica duhet pranuar edhe nëse dikujt nuk i pëlqen

Komisioneri për negociata për zgjerim i BE, Johanes Han, reagoi mbrëmjen e së mërkurës për vendimin e presidentit të Maqedonisë Ivanov që të mos i jepet mandati për krijimin e Qeverisë, liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

Nga Brukseli, Han u bëri thirrje të gjithë liderëve politikë në Shkup, përfshirë edhe Ivanovin, ta respektojnë rezultatin nga zgjedhjet e parakohshme në vend.

"Lidhur me zhvillimin e fundit të ngjarjeve në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, të gjithë liderët politikë, përfshirë edhe presidentin Ivanov, duhet ta respektojnë rezultatin nga zgjedhjet paraprake. Në demokraci, duhet të njihet shumica parlamentare, madje edhe nëse këtë nuk e doni. Për këtë shkak pres liderët politikë dhe institucionet t'i lejojnë procesit demokratik të zhvillohet në rrugën e tij, në interes të qytetarëve", tha Hahn.

Gjatë ditës së sotme (e enjte), përfaqësuesja e Bashkimit Evropian Frederika Mogerini pritet të jetë në Shkup. Rekomandimet nga Bashkimi Evropian, ajo pritet t’ia transmetojë drejtpërdrejt liderëve politikë të Maqedonisë, si dhe presidentit Ivanov.

 

Ish-ministri Drejtësisë: Ivanov shkeli rëndë Kushtetutën

Eksperti juridik, Naser Zyberi, thotë se presidenti Ivanov, me vendimin e tij ka bërë shkelje të rëndë të kushtetutës.

Ekspert juridik, ish deputet dhe ish ministër, z.Zyberi evidenton se dorëzimi i mandatit nuk është çështje vullneti e Ivanovit, por Kushtetuta e obligon atë. Sipas tij, nuk ka rrugëdalje kushtetuese në këtë rast, sepse “në kushtetutë nuk është paraparë se mund të ketë një president i cili do të bëjë një shkelje të rëndë të kushtetutës”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: