Pas ballokumes pagane, vjen sultjashi bektashian

Pas ballokumes pagane, vjen sultjashi bektashian
Një tjetër festë sjell pranverën. Pas ditës së Verës mbërrin Sulltan Novruzi, dita e ripërtëritjes pas dimrit, dita e gjallërimit të bimëve dhe njerëzve. Edhe festa e bektashinjve ka ëmbëlsirën e vet...

Alket Aliu

Dita e Sulltan Novruzit është ndër më të rëndësishmet për bektashinjtë. Korrespondon me ekuinoksin e pranverës dhe konsiderohet si dita e ripërtëritjes dhe gjallërimit pas dimrit. Në selinë e Kryegjyshatës Botërore po kryhen përgatitjet e fundit. Nesër vijnë jo vetëm besimtarë të thjeshtë, por edhe politikanë të lartë e drejtues të shtetit për të bërë urimet e rastit. Kudo shikon lule, simbol i kësaj dite të përtëritjes së natyrës dhe njeriut.

Duket e ngjashme me Ditën e Verës, por Baba Mondi shpejton të thotë se nuk kanë ngjashmëri.

Njëra është festë pagane, tjetra fetare. Por në të dyja rastet nuk mungon ëmbëlsira. Ballokumja pagane në këtë ditë, i lë vendin sultjashit islam.

Dervishi Hisen Sulejmani, na shoqëron në mjediset e Kryegjyshatës. Në teqenë e madhe po vendosen disa drita, ndërsa kupola me afreske fut dritën e diellit nga të gjitha anët. Poshtë dyshemesë, një tjetër mjedis. Është muzeu i historikut të bektashizmit.

Figurat më të shquara janë në buste dylli, sikur të ishin të gjallë, ndërsa në stenda janë të ekspozuara objekte të rrallë dhe me vlerë historike. Diku më tutje, është një imitim i një dhome tradicionale të baballarëve të teqeve.

“Në vitin 1940 kishte 280 teqe dhe po aq baballarë”, - thotë dervishi.

Në stenda bie në sy një foto e vitit 1938. Mbreti Ahmet Zog pozon me drejtuesit e të gjithë komuniteteve fetare në Shqipëri.

Jashtë, bien në sy disa gurë të vjetër me shkronja të gdhendura, të mbajtura me kujdes me shufra hekuri. “Janë varret e kryegjyshërve të shquar, të gjyshërve dhe baballarëve që datojnë që në kohët e mesjetës”, - thotë dervishi Hisen.

Në dalje, një pllakat me një yll të kuq. Tregon se në këtë vend, rinia e Tiranës ka organizuar një demonstratë antifashiste, përpara varrit të Naim Frashërit, më 28 nëntor të vitit 1939.

Foto: 1937, eshtrat e Naim Frashërit vijnë në Tiranë

“Pa fe, nuk ka atdhe”, - tregon dervishi, moton historike të bektashinjve, duke shpjeguar se me këtë moto ata u angazhuan në periudhën e Rilindjes Kombëtare, në kryengritjet që sollën pavarësinë e vitit 1920, por edhe në Luftën Antifashiste. Ai shpjegon se një ndër arsyet pse bektashizmi hyri shpejt në trevat shqiptare, ishte se faljet dhe lutjet bëheshin në gjuhën amtare.

Edhe pse baballarët u reshtuan “me partinë”, kjo nuk e pengoi komunizmin të ndalonte e persekutonte edhe bektashizmin, sikundër gjithë fetë e tjera. 57 klerikë u vranë dhe shumë të tjerë u burgosën. Por terrori nuk i ndaloi bektashinjtë e devotshëm të vijonin ritet e faljes, edhe pse me rrezikun e burgut.

Selajdin Leka është 81 vjeç, dhe thotë se nuk i ka ndërprerë ritet e faljes edhe në kohën kur feja u shpall e ndaluar me ligj. “Ishte e ndaluar çdo festë fetare, por shumë njerëz vazhdonin të festonin fshehurazi. Më kujtohet një rast kur situata politike ishte shumë e keqe dhe njerëzit ishin të trembur sa nuk thuhet. Ne e kemi kaluar natën me perde të trasha në mure dhe vetëm me një qiri të ndezur për të festuar. Nuk ndiznim dot as dritat, se kishim frikë se mund të përfundonim të nesërmen në burg”.

Selajdini sot feston i lirë, por thotë se nuk harron t’ua tregojë historitë e asaj kohe, nipërve dhe mbesave.

Nga kodra, syri të zë një pjesë të Tiranës tej në horizont, ndërsa rreth e rrotull, disa shtëpi mes lëndinave me barin e ri. Qetësi dhe paqe.

Teqeja e Tiranës, atje ku u bënë dy vrasje të mëdha

Teqeja e madhe në Tiranë, ka përfunduar në vitin 1941. Por ajo, në dy raste, u bë skenë e krimeve të mëdha.

28 nëntor 1941, rreth orës 23:00, u vra me armë zjarri në Kryegjyshatë Salih Niazi Dede, bashkë me dervish, Aziz Levani. Kryegjyshi ishte 80 vjeç.

Motivet mbeten ende të panjohura. Mediat e kohës raportuan se ai u vra nga persona që kishin hyrë për të grabitur. Por një tjetër hipotezë është se vrasja ishte organizuar nga italianët, pasi Dede nuk kishte firmosur ende një deklaratë përshëndetëse për Musolinin, ndryshe nga përfaqësuesit e feve të tjera. Të paktën, këtë shpjegim jep një prej dervishëve të tij besnikë, Selim Kaliçani. Por ka edhe një hipotezë të tretë, nga studiuesi Tanush Kaso, sipas të cilit vrasja është kryer nga komunistët, në tentativë grabitjeje për të siguruar fonde për luftën.

Varrimi në datën 1 dhjetor, ishte madhështor, ndërsa u shpall zi kombëtare dhe u anuluan aktivitetet e programuara.

Në varrim ishte i pranishëm edhe mëkëmbësi i Mbretit, Francesco Iacomoni.

Në 18 mars 1947, pas dreke, në selinë e kryegjyshatës ndodh një nga krimet më të bujshme të kohës. Baba Faja Martaneshi dhe Baba Fejzo Dervishi vriten nga kryegjyshi botëror, Dedej Baba Abazi, i cili më pas vret veten. Krimi ndodhi për shkak të kontradiktave të brendshme të drejtuesve të bektashinjve. Baba Faja dhe Baba Fejzo ishin rreshtuar në anën e komunistëve në pushtet, madje kishin të dy gradën e kolonelit në ushtri. Të dy baballarët u varrosën me funeral shtetëror, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i kohës, Enver Hoxha.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: