Përse po e paguajmë kaq shtrenjtë arin e zi?

Përse po e paguajmë kaq shtrenjtë  arin e zi?
Nga Edison Kurani

Një organizatë shqiptare njoftoi dje nismën për protestë civile në Tiranë, kundër çmimit prej shumë vitesh të lartë të karburanteve në vend.

Kjo është një nismë për t’u përshëndetur, për shumë arsye.

Sepse me karburantet hanë shumë duar në Shqipëri, duke rrjepur shqiptarët padrejtësisht.

Grosistët duket se kanë krijuar situatë monopoli në kushtet e një morie kompanish që shesin naftë dhe benzinë. Ata mbajnë çmime thuajse të njëjta dhe i ndryshojnë ato, kryesisht me tendencë rritjeje, përnjëherësh.

Argumenti që japin sa herë rriten çmimet, është shtrenjtimi në tregjet ndërkombëtare. Një justifikim ky që nuk ngjit shumë, po të shohësh se rritja bëhet pak orë pasi vërehet rritje në bursën e naftës.

Ndërkohë, shteti shqiptar prej vitesh po bën ç’është e mundur që ta mbushë litrin e naftës dhe benzinës plot e përplot me detyrime fiskale që e kanë dyfishuar koston reale të tyre.

Janë të paktën shtatë taksa që paguhen: Taksë qarkullimi 27 lekë për litër, akcizë 37 lekë, rilicencimi, 10 lekë, karboni 3 lekë, skanimi 1 lek, markimi 1 lek dhe TVSH 21 lekë për litër.

Të gjitha këto i shtohen vlerës diku te 55 lekë që vjen karburanti i importuar nga jashtë dhe ca lekë më pak atij që prodhohet në vend. Më tej, paguajmë kostot e ndryshme që ka nafta dhe benzina derisa të përfundojnë në serbatorët e mjeteve tona dhe në fund edhe normën e fitimit që marrin tregtarët me shumicë dhe ata me pakicë.

Por nëse do të ishin vetëm këto, telashet me të cilat përballen konsumatorët shqiptarë, nuk do të ishte dhe fort keq.

Qytetarët përballen me probleme që u kushtojnë edhe më shumë se litrat e naftës që paguajnë më shtrenjtë, nga abuzimi që bëhet me cilësinë dhe peshën.

Janë të pafundme raportimet e drejtuesve të mjeteve, për naftën apo benzinën që u vidhet nga pika karburantesh ku furnizohen. Sasia që ata paguajnë, është më e ulët se ajo që marrin në serbatorë.

Që ky nuk është një perceptim, mjafton të citosh krahasimin që disa drejtues mjetesh i bëjnë mbushjes së mjetit me karburant në Shqipëri dhe mbushjes në një vend fqinjë si konkretisht në Maqedoni. Për të njëjtin numër kilometrash dhe trafiku, harxhohet deri në dy herë më shumë naftë kur ajo blihet në vend.

Edhe më keq akoma, cilësia e karburantit është mjerane në shumë nga pikat e shitjes.

Që edhe ky nuk është thjesht një perceptim, mjafton të bësh vëzhgim në disa servisë makinash, ku përditë përfundojnë me probleme teknike dhjetëra mjete, pikërisht për shkak të cilësisë së keqe të karburantit të blerë në vend.

Të gjitha këto, të bindin se nisma për të protestuar mbi çmimin dhe cilësinë e karburanteve që tregtohen në Shqipëri, jo vetëm duhet përshëndetur, por edhe duhet mbështetur fuqishëm nga shqiptarët. Sepse edhe ne kemi të drejtë t’i gëzohemi karburantit të lirë dhe cilësor, si fqinjët maqedonë.

 

 

PROPOZIMI

Tre taksat ekzistuese të naftës,

 të reduktohen vetëm në një

Propozimi konkret që shoqëria civile, përmes Nismës Thurje i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë, është pikërisht ai i kthimit në një të vetme të tre taksave kryesore me të cilat shteti ngarkon aktualisht biznesin e tregtimit të karburanteve. Në detaje, fjala është për akcizën 37 lekë, taksën e qarkullimit 27 lekë dhe atë të karbonit 3 lekë. “Ky propozim synon që të unifikojë tre taksat e dedikuara në një taksë të vetme për naftën dhe ta ulë nivelin e taksimit duke e çuar atë në nivele të pranueshme për xhepat e shqiptarëve”, citohet në shkresën në fjalë.

 

PROTESTA

Nisma: Nga sot, në rrugë për

çmimin e cilësinë e karburanteve

“Duke filluar nga sot, do dalim në rrugë për çmimin dhe cilësinë e karburanteve. Vidhemi tre herë. Në taksim, në cilësi dhe në sasi. Nëse nuk bëjmë diçka, nuk do të marrë fund kurrë”. Ky është apeli publik, që përfaqësues të shoqërisë civile, përmes Nismës Thurje, u kanë drejtuar dje të gjithë qytetarëve shqiptarë, duke i ftuar ata në një protestë të hapur në kryeqytetin e vendit, në orët e mbrëmjes. Duke shtuar se teksa i kanë dorëzuar tashmë Kuvendit sipas tyre, zgjidhjen ligjore të kësaj situate, “do të presin në rrugë nga e enjtja përgjigjen pozitive”.

 

 

Në Shqipëri, asnjë ent shtetëror

 që të caktojë kufijtë e çmimeve

Në Shqipëri mungon një organizëm apo ent i posaçëm shtetëror, i cili të ketë detyrimin ligjor për të caktuar kufijtë e çmimeve të produkteve të naftës në tregun vendas të karburanteve. Një fakt të tillë e pohojnë posaçërisht për “Albanian Free Press” vetë burimet zyrtare të ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Teksa sqarojnë më tej se tek ne ekzistojnë vetëm institucione të tilla si ai i Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial, i cili është i ngarkuar vetëm me detyrën e inspektimit të cilësisë e të karburanteve që tregohen në vend. Apo edhe ai i Autoritetit të Konkurrencës i cili merret me hetimin e karteleve të këtij tregu, apo nëse brenda tij shkelen rregullat normale të konkurrencës etj. Por deri më sot, nuk ka patur asnjë të tillë i cili të merret në fakt konkretisht me studimin e çmimeve që duhet të kenë produktet e karburanteve në tregun vendas dhe që falë tij, t’i detyrojë më pas kompanitë që operojnë në të, të aplikojnë nivele të caktuara të tyre. Për të mos ndikuar në këtë mënyrë në mënyrë negative tek konsumatori, e mbi të gjitha për të mos i prishur rregullat e “lojës” së këtij tregu. Kur në fakt, ekzistenca e organizmave të tillë është një përvojë e njohur për vendet e tjera, mjafton të përmendim në këtë rast, Maqedoninë fqinje, ku është shteti ai që përcakton çmimet që kompanitë duhet të respektojnë për tregtimin e produkteve të karburanteve. E mesa duket, pikërisht aplikimi i një mase të tillë ka ndikuar që në këtë vend çmimet e të tilla produkteve të jenë përherë konkurruese krahasimisht me ato të vendit tonë. Konkretisht, në Maqedoni, ditët e fundit nafta nuk e ka kapërcyer kufirin prej 92 denarësh, çmim ky i cili në fakt ka ardhur në rënie gjatë ditëve të fundit. Krejt ndryshe në fakt me panoramën e çmimeve në Shqipëri, ku ajo që shitet me shumicë në dy portet e vendit, ditët e fundit u raportua se arriti deri në 140 lekë/ litër, kurse në pikat e tregtimit me pakicë të karburantit vërtitet deri në 175 lekë/litër. E gjitha kjo, në një kohë kur në tregjet ndërkombëtare nafta bruto u kuotua vetëm me 52 dollarë për fuçi, një nivel mjaft i ulët ky, i cili ka shkaktuar një çlirim tek të gjitha vendet. Por mesa duket vetëm në Shqipëri jo, produktet e saj vazhdojnë të shiten ende shtrenjtë dhe pa u ndikuar fare nga kjo situatë e favorshme e tregjeve ndërkombëtare.

 

Biznesi e pranon: Nga taksat preket

vetëm konsumatori. Kundër protestave

Ata që e pësojnë nga barra aktuale e taksave që i rëndojnë tregtimit të karburanteve, me pasojë çmimet e larta të tyre, janë konsumatorët. Këtë e pohojnë vetë përfaqësues të Shoqatës së Hidrokarbureve, sipas të cilëve pakënaqësia e krijuar nga një ekzistenca e një situate të tillë është mirë të zgjidhet në rrugë institucionale e jo me protesta. “Nëse ka pakënaqësi për çmimin, le ta çojnë ankesën pranë institucioneve, siç bëmë edhe ne me rastin e heqjes së taksës së rilicencimit që u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese”, pohon lidhur me një fakt të tillë posaçërisht për “Albanian Free Press”, Luigj Aliaj nga Shoqata e Hidrokarbureve. Duke argumentuar më tej lidhur me sistemin e taksimit të këtij sektori se kjo në fakt është një politikë e qeverisë dhe se kjo çështje i takon asaj. “Qeveria ka politikat e veta të taksimit dhe ne nuk bëhemi palë. Në fund të fundit, qeveria na i shton taksat, ne i shtojmë ato në çmim dhe ne i derdhim në buxhet”, pohon ai. Për të shtuar më tej faktin se sipas tij, në vendin tonë ekziston një treg i liberalizuar dhe i hapur i tregimit të karburanteve, ndryshe nga disa vende të tjera që mund të kenë situatë monopoli. Por ajo që operatorët e tregut të karburanteve nuk e sqarojnë dot është fakti sesi pikërisht në një treg të liberalizuar, çmimet e produkteve luhaten thuajse njësoj tek secili prej tyre, njësoj në fakt si të ishte situatë monopolizuese, me vetëm një kompani në treg. Pa mundur as të të sqarojnë sesa është vërtet norma reale e tyre e fitimit (edhe pse pohojnë se ajo vërtitet te kufiri i 1 deri në 3 lek të reja për çdo litër). Sepse nëse vërtet 67 lekë për litër është taksimi fiks i qeverisë për tre taksat: akcizë, e qarkullimit dhe e karbonit, sërish mbetet një diferencë e madhe deri në çmimin që nafta del në treg me çmimin 175 lekë litri. Këtu edhe nëse përllogarisim TVSH-në prej 20% (e cila sipas operatorëve në Maqedoni për shembull është më e ulët, deri 18% e prandaj atje operatorët janë të favorizuar për çmime të ulëta), apo edhe tarifën e skanimit dhe të markimit të karburantit përkatësisht nga 1 lek për litër, si edhe taksën e fshehur të rilicencimit, e cila mund të shkojë në kufirin e 5-10 lekëve etj. Në çdo rast, argumenti nuk arrin të të bindë, derisa në Maqedoni një litër naftë nuk e kalon ende çmimin prej 92 denarësh për litër dhe ka gati të njëjtën kosto tregtimi apo transportimi.

 

Autoriteti i Konkurrencës, hetim

 të vazhdueshëm ndaj çmimeve

Autoriteti i Konkurrencës ka ndërmarrë hetime të vazhdueshme lidhur me çmimet e shitjes me pakicë të karburanteve. Ku rezultatet e tyre kanë konstatuar problematikat ekzistuese të këtij tregu. “Nga vlerësimi i çmimeve të shitjes u konstatua se ndërmarrjet e shumicës ndjekin çmimin e blerjes (importit) dhe aplikojnë çmime me marzhe të ulëta, ndërsa ndërmarrjet e pakicës s’ndjekin trendin e çmimit të blerjes, duke aplikuar marzhe të larta, kryesisht pas qershorit 2015. Analiza e çmimeve të larta nga ndërmarrjet e pakicës e bën të nevojshëm vlerësimin e treguesve financiarë të tyre, gjë e cila duhet të vlerësohet në mbyllje të pasqyrave financiare”, thuhej vjet në raportin Autoritetit të Konkurrencës.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: