Personazh /Adem Cemurati, administratori që transformoi tërësisht hyrjen e pallatit

Personazh /Adem Cemurati, administratori që transformoi tërësisht hyrjen e pallatit
Komplekset e pallateve “Hawai” në zonën e Komunës së Parisit janë ndër të parat objekte që u ndërtuan në këtë zonë dhe që kanë një numër të madh banorësh për shkak të kateve të shumta. Por me kalimin e viteve nevoja për rikonstruksion të ambienteve të përbashkëta, mirëmbajtje të ashensorit ishte shumë e nevojshme. Duke u përballur përditë me këto vështirësi, Adem Cemurati një prej banorëve të këtij kompleksi mori iniciativën për të kryer administrimin e pallatit të tij. Fillimisht zgjidhi problemin e ashensorëve, më pas duke rregulluar hyrjen e pallatit, duke vendosur këndin e njoftimeve, duke vendosur numrat e domosdoshëm si ai i policisë, urgjencës, zjarrfikëses etj. “Fillimi ishte i vështirë, pasi nisi si një iniciativë personale pa e ditur se do të shkoja deri këtu. Ashensori mbeti prej disa ditësh i bllokuar për shkak se firma nuk vite të kryente kolaudimin. Po në të njëjtën periudhë patëm edhe probleme me furnizimin me ujë. Duke u përballur çdo ditë me vështirësi nisa të merrem me riparimin e tyre. Banorët filluan të kishin besim dhe të më mbështetnin duke u treguar edhe korrektë me pagesat”, - pohon Ademi, administratori i një prej pallateve në Tiranë.

Ndryshimi duket që në hyrje, përveç ambientit të pastër, në murin përballë janë vendosur numrat e emergjencave dhe shërbimeve të përditshme të banorëve. Rastet e vjedhjeve, apo ndotjeve janë të shpeshta e të rëndomta në vendin tonë, por Ademi duket se e ka gjetur zgjidhjen duke vendosur kamera të cilat janë elemente të sigurisë për vetë banorët e këtyre pallateve. Sa i përket ndriçimit dhe ashensorit, Ademi tregon për “Albanian Free Press” se janë dy elementë shumë të rëndësishëm ndaj dhe për to u investua që në fillim. “Qytetarët kanë nevojë të ndjejnë siguri sidomos në këtë të fundit, ku nuk kanë munguar aksidentet. Kolaudimi i ashensorit bëhet një herë në muaj, faktuar me këto dokumente” pohon administratori i pallatit. Ndërkohë në projektet e tij të afërta është heqja e depozitave të ujit në tarracën që korrespondon mbi ashensorët. Sipas tij ato janë jo vetëm një element që e shëmtojnë metropolin nga ana estetike, por edhe janë të rrezikshme për papastërtitë dhe peshën në tarracën e tyre. Këto përpjekje duket se kanë lehtësuar jetën e banorëve.

 

 

Por sa paguhet ai për gjithë këtë përkushtim? “Për të arritur pagesën minimale duhet që minimalisht të kesh 100 hyrje apartamentesh. Unë momentalisht menaxhoj 3 hyrje pallatesh, por ende nuk e kam e kam arritur këtë pagesë. Banorët e pallatit paguajnë çdo muaj 1000 lekë nga të cilat 300 shkojnë për ashensorin, 300 për paketën higjieno-sanitare dhe pastruesen, 100 lekë për shpenzime dhe 300 lekë për pagesën e administratorit”, - pohon Adem Cemurati. Sipas tij, në disa raste është e vështirë të bindësh banorët, por kur ata shohin punën e bërë binden për të bashkëpunuar. Adem Cemurati është ndër të parët administratorë që është certifikuar nga bashkia e Tiranës.

Një rast i tillë duhet të jetë shembull për mijëra pallate që ende nuk e kanë një administrator, e në raste të tilla kur mungon vullneti i 2/3 të banorëve, sipas ligjit do të jetë bashkia që do të zgjedh administratorin për të mirën e përbashkët të komunitetit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: