“Plani B” për të frenuar call-center-at jashtë Italisë, kriteret shtrënguese

“Plani B” për të frenuar call-center-at jashtë Italisë, kriteret shtrënguese
Tjetër plan i ministrit italian të Zhvillimit Ekonomik, pas miratimit të ligjit. Ndërmarrjeve më të mëdha do t’u kërkohet të firmosin protokollin që i angazhon të përdorin shërbim nga punonjës italianë. Kërkesa të veçanta: Punonjësit jashtë Italisë, të pajisen me certifikatë për njohjen e gjuhës

Alket Aliu

Nuk ka mjaftuar ligji që, tashmë, ka hyrë në fuqi dhe vendos kritere të forta për shërbimet call-center të vendosura jashtë vendit. Italia ka një tjetër plan për të risjellë investimet në sektorin call-center dhe për të hapur kështu 20 mijë vende të reja pune. Për të qenë më të saktë, bëhet fjalë për vende pune që janë humbur pasi bizneset janë transferuar në vende të tjera, ndër të cilat edhe Shqipëria.

Gazeta italiane “La Repubblica” shkruan se ministri i Zhvillimit Ekonomik, Carlo Calenda, ka gati planin për të ulur në një tryezë klientët më të mëdhenj të kompanive call-center, ndërmarrjet që operojnë në fushat e telekomunikacioneve, energjisë, sigurimeve, bankave, platformave televizive me pagesë dhe të tjerë sektorë shërbimesh. Ministri ka gati një protokoll që do të kërkojë ta firmosë secila prej këtyre kompanive. Nëpërmjet këtij protokolli, bizneset e mëdha do të marrin përsipër ta zhvillojnë të gjithë aktivitetin e tyre brenda territorit italian dhe të mos shfrytëzojnë trafikun jashtë vendit.

Kompanitë duhet të garantojnë se të paktën 80% të vëllimit të punës ta kryejnë në Itali dhe jo nëpërmjet kompanive që operojnë në vende të tjera. Në këtë grup hyjnë si shërbimet inbound, pra ato të përgjigjes së telefonatave të klientëve që kanë nevojë për sqarime apo suport, si ato të quajtura outbound, pra ato të reklamimit të produkteve që ofron kompania në klientë potencialë.

Sipas medias italiane, bëhet fjalë për një lëvizje të bazuar në sloganin e presidentit amerikan, Donald Trump, që e përshtatur “sipas vendit” po transformohet në një tjetër slogan: Italia para së gjithash.

Projekti i ministrit italian është mbështetur nga sindikatat që, prej vitesh, kërkojnë një angazhim më të madh të qeverisë për të frenuar “emigrimin” e bizneseve call-center nga Italia. Por vetë ndërmarrjet e kanë konsideruar më shumë si një pakt moral se sa si një detyrim ligjor, përderisa nuk janë të detyruara të firmosin protokollin e propozuar.

Nisma e fundit e ministrit italian, në rast se konkretizohet dhe aplikohet, rrezikon të shkaktojë probleme serioze në Shqipëri, ku sektori i call-center është në zgjerim, duke u bazuar kryesisht në shërbime që iu ofrohen kompanive italiane. Bëhet fjalë për dhjetëra miliona euro të investuara, ndërsa të punësuar llogariten rreth 25 mijë, kryesisht të rinj të shkolluar.

 

 

PROJEKTI

Çfarë parashikon protokolli i hartuar nga shteti italian

Ndërmarrjet që përfitojnë nga shërbimet e kompanive call-center për të menaxhuar raportin me klientët, brenda 6 muajsh nga firmosja e dokumentit angazhohen që:

  • T’u kërkojnë kompanive-furnitore të shërbimit call-center, parametra të tjerë të cilësisë. Ndër to bëhet fjalë që të sigurohet qartësi, thjeshtësi dhe korrektësi në informacionin që u transmetohet klientëve, përgjigje të arsyeshme brenda një afati të përcaktuar në kontratë, trajtim të të dhënave personale sipas ligjit italian, dhe respektimi i orareve kur bëhet telefonata. Bie në sy, në këtë pikë, se për punonjësit e huaj të punësuar, do të kërkohet edhe një certifikatë për njohjen e gjuhës italiane.
  • Të garantojnë se 100% e aktivitetit call-center që kryhet drejtpërdrejt për tregun italian, të zhvillohet brenda territorit kombëtar dhe se të paktën 80% e shërbimit me nënkontraktorë të huaj të zhvendoset në Itali, duke shmangur devijimin e trafikut jashtë vendit.
  • Të mos bëjnë tenderë të bazuar në ofertën më të ulët, por të aplikojnë kriterin e ofertës ekonomike më të leverdishme, duke vlerësuar edhe aspektet teknike dhe cilësore të ofertës.
  • Në rastet kur shërbimi i besohet një kompanie jashtë vendit, të bëjnë llogaritë mbi koston mesatare të bazuar në orë pune, sipas legjislacionit italian që përcakton pagesën minimale.
  • Të garantojnë vazhdimësinë e punësimit në territorin ku operojnë dhe, në raste kur kontrata zhvendoset drejt një kompanie tjetër, edhe kjo të garantojë vendet e punës.

Sikurse shikohet, të gjitha pikat e protokollit synojnë tkurrjen e vëllimit të punës call-center që zhvillohet jashtë Italisë dhe që punon për llogari të ndërmarrjeve italiane.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: