Problemet me shëndetin, ushqim falas dhe i kontrolluar për fëmijët e shkollave

Problemet me shëndetin, ushqim falas dhe i kontrolluar për fëmijët e shkollave
Ushqim i kontrolluar dhe falas, për fëmijët e arsimit parauniversitar është projekti më i fundit që do të vihet në zbatim në një pjesë të shkollave të vendit. Arsyeja e nisjes së këtij projekti janë shifrat alarmante që kanë dhënë ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, në lidhje me obezitetin dhe anemitë tek kjo grupmoshë e fëmijëve. Të dhënat konkrete tregojnë se 17.4 për qind e fëmijëve jetojnë në varfëri të plotë, ndërsa 2 për qind e tyre jetojnë në familje pa të ardhura. Kjo nuk u mundëson atyre mirëushqyerje dhe mirërritje. Por përveç mosushqyerjes, problem është edhe mbipesha. Aktualisht, ai ka prekur 27 për qind të fëmijëve shqiptarë.

Të gjendur përballë kësaj situate, ekspertët e shëndetit dhe ata të institucioneve të tjera, kanë marrë vendimin që, shumë shpejt, të fillojnë një projekt pilot për ofrimin e ushqimeve të kontrolluara falas për fëmijët në arsimin e detyruar. “Ne nuk mund të lejojmë që brezi i ri të jetë i ekspozuar ndaj një ushqimi sporadik dhe ofertave spontane që bëhen pas kangjellave të shkollave. Nuk mund të lejojmë ofrimin e ushqimit nga burime jo të certifikuara, dhe jo të balancuara nga pikëpamja e vlerave ushqimore. Një brez që është në rritje, ka ndikim ndaj këtyre faktorëve, prandaj mirëushqyerja është me rëndësi. Ne këtë problem e kemi në qendër të vëmendjes dhe është në qendër të politikave të zhvillimit si nga qeveria ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtare. Ushqimi në sistemin shkollor dhe parashkollor do të jetë i kontrolluar dhe i mirëbalancuar. Kjo për një rritje të mirë të brezit të ri” - tha ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

 

Nga ana tjetër, ekspertët kanë pohuar se ushqimet që do të përgatiten për këtë kategori nxënësish, do të jenë të kontrolluara dhe do të bashkëpunohet me ferma apo kompani të cilat prodhojnë kryesisht ushqime BIO dhe të certifikuara, duke hequr dorë nga ëmbëltuesit sintetikë dhe do të kërkohen oferta serioze për një ushqim të shëndetshëm dhe të balancuar. Ky është një program i rëndësishëm për fëmijët në shkolla dhe do të japë shumë rezultate,”- theksuan ekspertët.

Shumë prej fëmijëve sot, gjatë orarit të pushimit ushqehen me fast-foode që ofrohen nga individë të ndryshëm pas kangjellave të shkollës, ushqim totalisht i pakontrolluar. Ose mënyrë tjetër, është edhe konsumimi i patatinave apo moltove të paketuara, të cilat nuk kanë aspak të kontrolluar.

Por si e kanë pritur prindërit këtë vendim? Shumë prej tyre janë treguar entuziastë duke pohuar se kjo është nga zgjidhjet më të mira që mund të bëhet për mirëushqyerjen e brezit të ri. “Ja jap me vete nga shtëpia, ushqim të kontrolluar. Nuk është se i jap lekë me vete që të blejë çfarë gjen. Por kjo nismë qenka zgjidhja ideale që mund të ndërmerret për mirëushqyerjen e fëmijëve, nëse bëhet nga një institucion apo biznes i kontrolluar dhe i certifikuar” - pohon Vinjola Thaçi, nëna e një fëmije 7-vjeçar.

Por, nga ana tjetër, ka edhe nga ata prindër të cilët në pamundësi të kohës për shkak të angazhimeve të tyre zgjidhjen e kanë gjetur me blerjen e produkteve të gatshme. “Më duhet të iki në punë shumë herët, dhe fëmija im në të shumtën e rasteve, i duhet të blejë tek kangjellat e shkollës ushqimet e gatshme që shiten aty. Ofrimi i produkteve të kontrolluara, është zgjidhja më e mirë, madje jam e gatshme edhe ta paguaj, por vetëm ushqimi që merr fëmija të jetë me produkte BIO” - pohon Lira Mata.

Ministria e Bujqësisë, në bashkëpunim me katër institucione të tjera, do të ofrojë një paketë me ushqime BIO falas për fëmijët që ndjekin institucionet e arsimit parashkollor dhe atij shkollor të detyrueshëm në vend.

 

Varfëria, shkak për kequshqyerje tek 17% e fëmijëve

Të dhënat tregojnë se 17.4 për qind e fëmijëve, jetojnë në varfëri të plotë, ndërsa 2 për qind e tyre jetojnë në familje pa të ardhura. Për shkak të këtyre kushteve financiare, shumë prej familjeve nuk arrijnë të sigurojnë ushqim të shëndetshëm për fëmijët. Nga ana tjetër, rezulton se për shkak të kequshqyerjes 19% e fëmijëve, nën moshën 5 vjeç, janë të shkurtër (për moshën që kanë) dhe 39% e fëmijëve të moshës 0-6 muaj ushqehen vetëm me qumësht gjiri ashtu siç rekomandohet nga OBSH-ja dhe UNICEF-i; vetëm 25% e fëmijëve ushqehen sipas praktikave të rekomanduara të ushqyerjes për foshnjat dhe fëmijët.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: