Produktet kozmetike, nga viti i kontroll edhe në laborator

Produktet kozmetike, nga viti i kontroll edhe në laborator
Çdo importues apo prodhues i produkteve kozmetike do t’i duhet të raportoje pranë Inspektoratit Shëndetësor dhe një komisioni në Ministrinë e Shëndetësisë 6 muaj para hedhjes së tyre në treg. Ligji për produktet kozmetike që do të filloje të bëhet i zbatueshëm në prill të vitit të ardhshëm, detyron kompanitë që të deklarojnë personin përgjegjës që do të merret me tregtimin me shumicë dhe ky nga ana e tij, emrat e pikave fundore ku ato do të tregtohen me pakicë. Këto masa sipas kreut të inspektoratit Eltar Deda vijnë në një kohë kur kaosi në tregtimin dhe aplikimin e tyre ka filluar të lërë pasoja të parikuperueshme në shëndetin publik. “Në klinikat mjekësore dhe në klinikat jo mjekësore duhet patjetër që të ketë të licencuar. Tek klinikat mjekësore duhet të jenë profesionistë, mjekët të cilët duhet të jenë të licencuar. Në klinikat jo mjekësore të cilët bëjnë ndërhyrje kozmetike dhe estetike duhet të jenë profesionistë të tjerë të cilët janë të certifikuar” tha Deda. Projektligji u pranua nga deputetët e majtë në Komisionin e Shëndetësisë, por sugjerimet e tyre ishin për ashpërsim të masave ndaj atyre që abuzojnë me cilësinë e këtyre produkteve. Sipas ligjit produktet kozmetike nuk do të tregtohen më vend e pa vend siç ndodh sot rëndom deri edhe në markete ushqimore, dhe pa një etiketë në gjuhën shqipe. Gjurmimi i produktit dhe analizimi i tyre në laborator sa herë të ketë raportime apo dyshime për cilësinë , mendohet ti jap fund papërgjegjshmërisë së disa qendrave dhe klinikave që përdorin këto produkte.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: