Punësim në turizëm dhe bujqësi, Italia hap dyert për 17 mijë emigrantë

Punësim në turizëm dhe bujqësi, Italia hap dyert për 17 mijë emigrantë
Kërkesat fillojnë më 28 mars. Udhëzues i ilustruar me të gjitha hapat e procedurës online. Nga regjistrimi, te ruajtja e kërkesës, për një nga 17 mijë autorizimet për punonjës sezonalë nga jashtë Italisë

Dekreti i flukseve 2017, ka vënë në dispozicion 17 mijë kuota hyrjesh për punonjës sezonalë jokomunitarë, krah pune i domosdoshëm për periudha të caktuara për bujqësinë dhe sektorin turistik në Itali.

Punonjësit sezonalë do të pranohen nga këto vende: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, si dhe Bosnje-Hercegovina, Bregu i Fildishtë, Algjeria, Egjipti, Etiopia, Filipine, Zambia, Gana, India, Japonia, Korea e Jugut, Maroku, Mauricius, Moldavia, Nigeri, Nigeria, Pakistani, Senegali, Serbia, Sri Lanka, Sudani, Ukraina dhe Tunizia. Shtetësia nuk ka rëndësi për ata që kanë qenë në Itali si sezonalë gjatë viteve të shkuara.

Për më tepër, 2.000 kuota nga 17 mijë të këtij dekreti, u rezervohen punonjësve për të cilët punëdhënësit mund të paraqesin kërkesa autorizimesh shumëvjeçare. Kjo do t'u lejojë ndërmarrjeve t'i sjellin në Itali, vitet e ardhshme, sapo të kenë nevojë për ta, pa pritur dekretin e flukseve.

Punëdhënësit mund të përgatisin kërkesat e punësimit në portalin e ministrisë së Brendshme të Italisë, https://nullaostalavoro.dlci.interno.it/Ministero/Index2.

Për t'i nisur kërkesat duhet pritur e marta e nesërme, 28 mars 2017, ora 09.00.

Për punëdhënësit që kanë vendosur ta bëjnë personalisht kërkesën - mund të kërkojnë edhe ndihmën e shoqatave.

 

Disa rregulla për regjistrimin

Më poshtë, ju ofrojmë një udhëzues i shkurtër me të gjitha hapat e procedurës:

Lidhu me https://nullaostalavoro.dlci.interno.it/Ministero/Index2.

Nëse je i regjistruar, shko në pikën 4, përndryshe regjistrohu.

Kujdes, sikurse njofton ministria e Brendshme italiane, nga ora 18:00 e 27/03 deri në 18:00 të 28/03, aksesi dhe dërgimi i kërkesave për disa shërbime është i kufizuar për shkaqe teknike.

Gjithashtu bëni kujdes edhe për një vendim të ri nga ministria e Brendshme italiane: Nëse e provoni katër herë rresht aplikimin dhe nuk ia dilni për shkaqe të ndryshme, skualifikoheni përfundimisht.

 

Kujdes, email që përdorni mund t’ju skualifikojë

Ministria e Brendshme italiane kërkon që për arsye sigurie mos regjistroheni dhe mos përdorni për aplikimet tuaja, adresa poste elektronike të cilat janë të tilla si emër dhe mbiemër dhe @mail.ru; @163.com; @yopmail.com, pasi do të skualifikoheni. Nëse jeni regjistruar me të tilla adresa email, regjistrohuni sërish duke përdorur email nga ofrues të tjerë të këtij shërbimi, si @gmail.com; @libero.it; @yahoo.com; @hotmail.com.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: