Receta elektronike, mjekët: Tani dimë kush merr mjekim

Receta elektronike, mjekët: Tani dimë kush merr mjekim
Futja e recetës elektronike prej një muaji ka qartësuar edhe mjekët të cilët e kanë më të lehtë të verifikojnë se kush pacient merr mjekim. Mjekja pathologe Bruna Shiroka, ka sqaruar edhe mënyrën se si zbatohet kjo mënyrë recete dhe lehtësirat që sjell. “Për pacientët është një lehtësi sepse nëse mjeku në fund të ditës ka një hapësirë kohore të lirë ka mundësi të përgatisë recetat e ditës së nesërme. Në këtë mënyrë pacienti në momentin që vjen merr kodin me 5 shifra që i përket çdo pacienti për çdo diagnozë ose i jepet receta në momentin që vjen për të pritur në radhë. Mjeku duke pasur mundësi ta kryejë recetën një ditë ose dy ditëve përpara ka hapësirën për të parë kufizimet e barnave të përcaktuara për sëmundje të përcaktuara duke shmangur mundësitë e gabimeve. Çdo pacient ka një kod të tijin me 2 numra dhe 3 germa që paraqitet në farmaci dhe ekzekutohet receta. Unë kam mundësi të shoh se sa nga këta pacientë që kanë marrë recetë kanë marrë mjekim”, u shpreh ajo. Një pacient i cili përfiton medikamente të rimbursueshme, ka të drejtë të ekzekutojë recetën brenda 3 dhe 7 ditësh. Në këtë mënyrë mjeku i lagjes ndjek gjurmën e recetës deri në momentin që pacienti siguron barin dhe vazhdon kurën.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: