Receta elektronike, pacientët: Mjekët tani kanë më shumë kohë për ne

Receta elektronike, pacientët: Mjekët tani kanë më shumë kohë për ne
Pacientët të cilët përfitojnë barna me rimbursim ,nuk kanë nevojë të marrin receta tek mjeku specialist apo ai i familjes, pasi diagnoza, medikamentet, dhe mënyra e përdorimit të tyre do të jepen nëpërmjet recetës elektronike. Kjo recetë prej fillimit të muajit mars ka nisur aplikimin në Tiranë, ndërkohë që në të gjithë vendin do të nisë në fund të muajit mars.

Por si ka ecur ky proces në kryeqytet. Ne shkuam në një prej farmacive të Tiranës të cilat kaun Kontratë me Fondin e Detyrueshëm të Shërbimit Shëndetësor dhe farmacistja Erisa Petro na shpjegon se kjo risi ka afruar edhe më shumë komunikimin mjek-pacient-farmacist. Sipas saj në ditët e para procesi duket se është pak i ngadaltë por me kalimin e kohës gjithsecili nga palët do të arrijë të kuptojë sistemin dhe puna do të jetë më normale. “ Ekzistojnë këto problematikat e fillimit , por gjithmonë edhe në bashkëpunim mjekët I kemi zgjidhur. Psh një sistem kompjuterik mund ti marrë edhe dy herë të njëjtin, dhe për këto gjera që normalisht duhet një sy më profesionist, kemi bashkëpunuar edhe me mjekun. Do të na duhet besoj vetëm pak kohë derisa ti merret dora, por besoj se ne vijimësi do të jetë çdo gjë në rregull” – thotë farmacistja Erisa Petro.

Pacientët nga ana tjetër shprehen të kënaqur për këtë sistem të ri që po aplikohet pasi sipas tyre, mjekët u kushtojnë në shumë kohë gjatë vizitës dhe pyetjeve të përgjithshme. Po kështu, atyre nuk u duhet që me vetë të mbajnë gjithë dokumentacionin e nevojshëm të ekzaminimeve pasi cikli mbyllet që tek vizita me mjekun. “Mjeku ka më shumë kohë për mua, se më parë plotësonte 100 letra dhe kartela që unë të merrja ilaçet e muajit, sot seç shkroi në kompjuter më dha vetëm këtë letrën e vogël (kodin që merr çdo pacient dhe shkon në farmaci) dhe farmacistja po më jep ilaçet” pohon Petraq Rapo, pensionist.

Mjekja Bruna Shiroka në qendrën shëndetësore Nr.3 thotë se e ndien veten shumë të lehtësuar nga burokracitë e letrave që përshkruante me dorë dhe se tani ka më shumë kohë për të vizituar pacientin. “Ky sistem po na krijon një komoditet edhe në drejtim të menaxhimit të kohës me pacientin, pasi na mbetet shumë më tepër kohë për vizitën dhe problemet shëndetësore si dhe për ekzaminimet qe duhet t’i japim atij. E ndjejmë veten shumë të lehtësuar për pjesën burokratike” –shprehet  Shiroka.

Aplikimi I recetës elektronike duket se ka krijuar edhe të tjera lehtësi. Sistemi nuk lejon që mjekët të gabojnë në vendosjen e mjekimit. “Në radhë të parë sistemi të krijon mundësinë të ruash veten , të ruash pacientin. Sistemi nuk ta jep mundësinë të gabosh në preparatet që përzgjedh, në diagnozën që vendos , të jep mundësinë që ta rishikosh edhe një herë recetën dhe dozat e medikamenteve siç I ke përdorur. Nëse deri dje ke bërë një përafrim të barnave me diagnozën që ke përshkruar, tani gjithçka është shkencore. Është e përcaktuar në bazë të listës së diagnozave, që për një diagnozë të caktuar nuk ke barna të tjerë që mund ti përdorësh” – thekson mjekja Bruna Shiroka.

Programi i recetës elektronike u pilotua prej më shumë se një viti në qytetin e Durrësit.

 

Si merren barnat me anë të recetës elektronike

Pacientët duhet të kenë parasysh që në farmaci të paraqiten me kartën e shëndetit pasi pa këtë dokument receta elektronike bëhet e paekzekutueshme kur bëhet fjalë për medikamente të listës së barnave të rimbursueshme.  Po kështu bashkë me kartën e shëndetit aplikanti duhet të ketë edhe kodin me të cilin është pajisur nga mjeku i familjes. Për 4 ditët e para të Marsit në Tiranë janë lëshuar 3039 receta ndërkohë që janë ekzekutuar vetëm 1462 të tilla.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: