Rroftë Sigurimi

Rroftë Sigurimi
Nga Edison Ypi

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Shkrimtarët qahen nga Sigurimi. Poetët ankohen nga spiunat. Njerëzve u kallet tmerri nga pseudonimet e shpikura. Pas çdo marrveshjeje fshihen njëqint hilera. Pas çdo pajtimi, një mijë gracka. Pas çdo pune, një milionë thashetheme. Duket sikur pa spiuna dhe spiunllëqe nën mbikqyrjen e syshkabës Sigurim, pa spiunuar dhe pa u spiunuar, në Shqipërinë tonë të dashur, asgjë nuk lëviz, asgjë nuk pipëtin, s'ka lezet jeta, s'ka kuptim ekzistenca. Të kishte qënë gjallë Çajupi, Sigurimit dhe spiunave do tu kishte kënduar; Spiuna  spiuna, dhe spiuna prapë, spiuna të pasosur, dhe shumë baltë.

Por bereqaves që po ashtu si qiriu i Naimit edhe Sigurimi, është i gjallë e është në jetë, është në dritë të vërtetë. Sepse Sigurimi, që i qofshim falë, vaji i kandilit të të cilit nuk shterret kurrë, na është fort i dobishëm, na ndreq shumë punëra, na krijon shumë lehtësira, na zgjidh gjithato probleme.

Rroftë Sigurimi që duke na përmbytur demokracinë dhe pluralizmin me heronj të heshtur dhe pal mlysha, Shqipërinë e ka bërë si film shqiptar, shqiptarët i ka bërë regjizorë, aktorë, skenarista, të gjithë gjenialë.

Rroftë Sigurimi që bëri, jo vetëm poetët spiunë, por edhe diçka të paparë e të padëgjuar, diçka që deri më sot ishte konsideruar paradoks, spiunët poetë.

Rroftë Sigurimi që i ka ndriçuar aq tepër mendjet dhe i ka sensibilizuar aq tepër shpirtrat e shqiptarëve, sa cilindo budalla që zhgarravit dy strofa, e shpallin atypëraty poet me imunitet ndaj çdo krimi, i thurin lavdi të përjetëshme të garantuar ndaj çdo hajvanllëku, i garantojnë paprekshmëri absolute ndaj çdo spiunimi.

Rroftë Sigurimi që kujdestarë të pallateve po emëron spiunat e vjetër të lagjeve, ruajtësit e rendit dhe moralit të dikurshëm, ose bijtë a nipërit e tyre. Me përvojat e tyre të kahershme dinë cilat janë problemet e sotme. Por edhe nëse probleme nuk ka, që banorët të mos flenë mbi dafina, nostalgjikët spiuna problemet i krijojnë.

Rroftë Sigurimi që na e ka mbushur Parlamentin plot me spiuna. Nga ata që janë atje ku s'janë dhe s'janë atje ku janë, e për këtë arësye nuk dihet cilët janë. Nga ata që s'dinë të flasin në foltore por dinë të shkruajnë tinëz nëpër skuta. Nga ata që sdinë të shkruajnë, por dinë të llapin. Falë heshtnajës uluritëse të këtyre lloj spiunave të Parlamentit, shijojmë oratoritë llamburitëse të pak derdimenëve që dinë të llapin por s'dinë të shkruajnë.

Rroftë Sigurimi që ka aq shumë pare sa s'di si t'i shpenzojë, dhe hap gazeta, financon portale, paguan udhëtime të kushtueshme në vende të largëta për intervista me vrasësa.

Rroftë Sigurimi që frymëzon gazetarët spiuna, ata llapaqenat e banaqeve televizive me përdredhje verbale që do tua kishte zili kurvi dhe KGB-ja.

Rroftë Sigurimi që në krye të OJQ-ve na ka vënë dhe na ka lënë vetëm spiuna prej të cilëve mësojmë gjithato marifete. Si vidhen paret pa bërë asgjë, pa pasur asnjë produkt, asnjë bilanc, dhe sidomos pa përfunduar në burg. Si shtohet lavdia duke shpeshtuar dallaveret. Si përballen vështirësitë me spiunllëqe, si çahet jeta me mashtrime.

Rroftë Sigurimi për armatën e shkrimtarëve, regjimentet e poetëve, detashmentet e përkthyesve të panumurt që ka nxjerrë dhe po nxjerr nga gjiri i vet, që kanë gëluar e po gëlojnë mes nesh për të na lartësuar shpirtërisht.

Rroftë Sigurimi që Zërin e Amerikës e mbajti zap me dhjetra vite, dhe po e komandon dhe sot. Kur e mendon se ç'kryevepër heroike atdhedashurie ishte ky zap, mbetesh pa ment. Të gjithë shqiptarët që dëgjuan Zërin e Amerikës do kishin përfunduar në burg po të mos ndërhynte Sigurimi që atë "Zë" e solli në din, i vuri fre, e mbajti në yzengji. Shqiptarët nuk mbajnë ment absolutisht asgjë nga gjithato vite me Zërin e Amerikës te veshi. Ama falë Sigurimit të zapit të Zërit, nga burgu shpëtuan. Rrofshin e qofshin pra sa malet e Kurveleshit tre Tenorët; Zëri i Popullit, Zëri i Sigurimit, Zëri i Amerikës, që ledhatuan veshët dhe ngritën peshë shpirtrat e shqiptarëve në ditët më të zeza të historisë së tyre, kur buçimat e traktorëve që çanin arat mezi mbulonin rënkimet e mijërave në hjekë, kërcitjen e prangave, krisjen e pushkës së kufirarit që vrau shkelësin.

Rroftë Sigurimi për firmat e bashkëpunimit që u mori mijëra shqiptarëve të arratisur nëpër botë, kryesisht në Amerikë. Sigurimi, atyre frikacakëve që sot mbahen me të madh sa s'janë hapur dosjet, firmat ua mori me kërcënim; "Vëre firmën. Jo për hir të marksizëm leninizmit. As të kurvit. Për hir të Shqipërisë, të atdhedashurisë, mbrojtjes së saj nga armiqtë". Nuk u muar vesh kurrë cilët qenë armiqtë. Kurrkujt në botë kurrën e kurrës nuk i ka vajtur mendja për asnjë çast ta kërcënojë, e aq më pak ta pushtojë Shqipërinë. Armiqtë nuk kanë ekzistuar. Por fryma kombëtare duhej mbajtur gjallë. Sigurimi këtë bëri. Zjarrin e ndezi. Frymën e krijoi. Frymorët i theri. Shumë mirë bëri. Hak e kemi. Rroftë e qoftë. Por më mirë vdektë. Këtë çast. Ky përbindësh i përgjakur. Ky turp kombëtar.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: