Shanila Ademi: Në Shqipëri nuk më përfillën, arrita suksesin në Gjermani

Shanila Ademi: Në Shqipëri nuk më përfillën, arrita suksesin në Gjermani
intervistë nga Juela Meçani

Shanila Ademi është një vajzë 26-vjeçare që mbaroi studimet për Shkencat Politike në Tiranë. Ndërkohë që studionte, ajo merrte pjesë edhe në aktivitetet e modës dhe bukurisë.

 

Në Shqipëri nuk gjeti mundësinë apo lehtësinë e një punësimi sipas arsimit të saj, ndonëse u diplomua me rezultate shumë të larta. Sigurisht, edhe bota e modës dhe e spektaklit nuk ka të tilla përmasa që të të garantojë stabilitet dhe seriozitet.

Kështu Shanila u tërhoq nga aktivitet e bukurisë dhe, pas një pjesëmarrjeje në Miss Shqipëria dhe në spektaklin “Netët e klipit shqiptar”, në sfilatat e “Geraldina Sposa” apo stilistes Anila Zajmi, vendosi të largohej drejt Gjermanisë.

 

Në dëshpërimin që ngjall tek një e re, kur sheh se larg familjes, pa ndihmë, pavarësisht vullnetit dhe shkollimit, nuk i ofrohej asgjë, vajza e bukur por e fortë merr vendimin e jetës, të largohet drejt një vendi të vështirë për emigrantët. Por kishte bindjen se me punë arrihet gjithçka.

 

Në vitin 2015 fiton titullin “Top Model Germany 2015” duke përfaqësuar Gjermaninë në “Top Model of the Ëorld” dhe kështu vazhdon karrierën si modele e markave më të njohura, duke mos lënë ndërkohë pas edhe studimet. Tashmë ajo është drejt mbarimit të një fakulteti të dytë në Mynih.

Ajo e Shanilës është “një histori suksesi” që tregon se edhe një vajzë e re, e vetme në një vend të huaj, me këmbëngulje arrin shumë.

 

AFP: Ti je një vajzë e bukur modele. Çfarë ka më shumë se kaq? Tregomë për veten. 

Përveç një vajze e që bie në sy, fshihet Shanila, studente e fakultetit hoteleri&turizëm në Mynih. Përveç pasionit tim, modelingut, nga ana tjetër, punoj si përkthyese (Dolmetscherin) për azilantët dhe azilkërkuesit pranë autoriteteve gjermane të qytetit ku jetoj.

 

AFP: Jeton në Gjermani. Nuk shquhet si vend ku lehtësisht mund të ndërtojë jetën një vajzë shqiptare. Si ja dole? 

 

U detyrova të vij në Gjermani, pasi në Shqipëri ishte e pamundur të gjeja një punë sipas profilit tim. Kam trokitur kudo, por asgjë nuk më ofruan. Emigrimi ishte zgjedhje e detyruar, pasi e ndjeja se kisha shumë mundësi në jetë, por i kisha duart e lidhura. Në fakt nuk është e lehtë as në vend të huaj, sidomos në këtë vend ku mënyra e të menduarit dhe stilit i të jetuarit ndryshon shumë me atë që kam pasur në Shqipëri. Por nëse punon fort dhe tregon aftësitë e tua, sigurisht ia del. Duhet punë, durim por edhe shumë sakrifica.

AFP:  Ke linja perfekte, shumë e kuruar. Sa kohë i dedikon vetes dhe çfarë bën një modele për bukurinë.

 

Jam shumë e kujdesshme në mënyrën e të ngrënit, më është kthyer tashmë në shprehi dhe zakon të kem kujdes, sepse udhëtoj shumë dhe kujdesi duhet të jetë i vazhdueshëm. Gjithashtu unë bëj shumë sport dhe ndjek rregullisht palestrën. Por jua siguroj, nuk jam aspak natyra që i kushtoj vetes shumë kohë vetes para pasqyrës, jeta do prakticitet dhe unë e kam. Nuk jam aspak e përkëdhelur.

 

AFP: Me kë jeton? 

 

Vetëm....nuk di të them fatkeqësisht vetëm apo fatmirësisht vetëm. Di që ndihem mirë me veten. Kjo po.

AFP: Do të përfaqësosh Shqipërinë në MISS Eco International . Çfarë është ky konkurs bukurie? 

 

Më vjen mirë që kësaj radhe do të përfaqësoj vendin tim në këtë konkurs bukurie, kam besim se do të bëj një prezantim dinjitoz.. Ky konkurs do të zhvillohet në Egjipt më 14 prill. Në  MISS Eco International përcillet një mesazh domethënës, ku njerëzit duhet të mbrojnë  natyrën dhe mjedisin përmes mesazheve dhe sfilatave. Për këtë arsye do të kemi gjate shfaqjes edhe  një sfilate me veshje ekologjike,të përbëra nga materiale të riciklueshme.

 

AFP: Në disa kompeticione bukurie ke përfaqësuar edhe Gjermaninë. Çfarë ke mësuar nga ai vend? 

 

Jam ndjerë më e vlerësuar këtu në Gjermani sesa në Shqipëri. Këtu kam mësuar të jem me këmbë në tokë, të punoj shumë dhe të flas pak dhe vetëm atëherë kur duhet.

 

AFP: Cilat janë planet e tua afatgjata? 

 

Plane dhe ide të reja kam shumë. Një ndër to është dhe zhvillimi i turizmit shqiptar, gjë që nuk ka lidhje me modelingun, por me shkollimin tim. E kam me shumë dëshirë dhe pasion që Shqipëria dhe bukuritë e saj të promovohen jashtë dhe turistët gjermanë të njohin bukuritë e paimagjinueshme që ka vendi im. Kjo është ëndrra ime, që sa më shumë gjermanë të vijnë e të shikojnë se rrallë ka si relievi ynë.

 

AFP: Ti vazhdon studimet gjithashtu në Gjermani. Ku e shikon veten pas mbarimit të studimeve. 

 

E shoh veten në menaxhim hotelerie por në mënyrë profesionale, evropiane, me standarde të larta . Nga ana tjetër hapja e një agjencie turistike, ku  sigurisht dhe zhvillimi i turizmit shqiptar do të ishte në fokus, janë prioritet për mua.        .

 

AFP:  Je e dashuruar?  

 

Akoma jo, jam ende shumë e përqendruar në shkollim dhe formimin tim.

 

AFP: Ke një mendim për vajzat e reja që duan të përqafojnë rrugën e modës? Një këshillë për to? 

 

Do ti jepja moshatareve të mia këtë mesazh: Nëse punoni me njerëz profesionalë, nëse jeni me këmbë në tokë dhe me e rëndësishmja, nëse gjeni kontaktet e duhura, çdo gjë është e realizueshme.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: