Shpella e Piratëve, arsyet pse duhet vizituar

Shpella e Piratëve, arsyet pse duhet vizituar
Për të shkuar në këtë shpellë, mënyra më e mirë dhe e vetme është deti. Mjaftojnë 10-15 minuta lundrim, me një motobarkë vogël dhe mund të gjendesh në këtë objekt që evokon natyrshëm Mesjetën shqiptare.

Deti i thellë, në një ngjyrë të errët dhe bregu me formacione shkëmbore që bien thikë mbi sipërfaqen ujore, të paralajmërojnë për një surprizë të këndshme.

Hyrja e shpellës, e përbërë nga dy zgavra të mëdha të krijon një ndjesi të veçantë.  Është një rikthim i menjëhershëm në historinë e disa shekujve më parë që, natyrshëm, ngjall emocione.

Ato kanë në bazë historinë: piratët e famshëm që e shfrytëzonin këtë hapësirë shkëmbore në një mjedis detar, apo beteja me saraçenët, gjë që na vjen përmes toponimisë së këtij vendi. Sepse Shpella e Piratëve ndodhet pranë gjirit të mrekullueshëm tek Alevrat(Al-Evra), ku gjendet plazhi me të njëjtin emër.

Shpella është e përmasave modeste. Historia që mbart Shpella e Piratëve, bukuria e jashtëzakonshme natyrore, mjaftojnë që të tërheqë pafundësisht vizitorë.

E.G/Afp.al

Shpërndajeni me miqtë tuaj: