Shqipëria, marrëveshje me Kuvajtin për auditin e institucioneve

Shqipëria, marrëveshje me Kuvajtin për auditin e institucioneve
Presidenti i Byrosë Shtetërore të Auditimit (SBA) të Kuvajtit, Adel Abdulaziz Al-Saraawi, zhvilloi një vizitë pune në Shqipëri me një delegacion të kryesuar prej tij.

Gjatë dy ditëve të vizitës, u bë një prezantim i dy institucioneve respektive, me qëllimin identifikimin e fushave dhe interesave të përbashkëta për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Byrosë Shtetërore të Auditimit të Kuvajtit, bazuar në një plan pune me një kalendar aktivitetesh.

Kryetari i KLSH-së, z. Leskaj vuri në dukje dobishmërinë që do të sjellë zbatimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Byronë Shtetërore të Auditimit të Kuvajtit, i cili përfaqëson një institucion modern dhe inovativ, jo vetëm në ARABOSAI por edhe në komunitetin e INTOSAI-t.

“SAB i Kuvajtit renditet ndër SAI-t e pakta që realizon auditimet të llojit “para-faktit” (ex-ante audit), si dhe ka mbi 20 vjet që kryen auditime të performancës në një numër të konsiderueshëm ne nivel vjetor. Në kuadrin e bashkëpunimeve institucionale me vendet e rajonit, me Gjykatën Europiane të Audituesve, me Zyrën e Auditimit të Qeverisë së SHBA-së (GAO) dhe aktualisht me SAB e Kuvajtit, KLSH plotësoi gjeografinë e bashkëpunimeve institucionale, të cilat përbëjnë shtyllat e modernizmit të KLSH-së”.

Kreu i KLSH-së tha se Kuvajti është një vend mik i Shqipërisë, i cila ka mbështetur me donacione dhe projekte madhore zhvillimin e shumë sferave të ekonomisë shqiptare.

Në frymën e këtij bashkëpunimi, Kryetari Leskaj shprehu angazhimin maksimal të KLSH-së për ripërtëritjen e marrëveshjes së bashkëpunimit duke e konkretizuar përmes auditimeve të përbashkëta, vizitave të ndërsjella të audituesve shqiptarë dhe atyre kuvajtianë, workshop-eve, si dhe në organizimin e konferencave të përbashkëta shkencore.

Nga ana e tij, Presidenti i Byrosë së Auditimit të Kuvajtit, Adel Abdulaziz Al-Saraawi, vlerësoi rolin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në përmirësimin e menaxhimit financiar në Shqipëri si dhe reformat institucionale të ndërmarra nga KLSH, të cilat, theksoi ai, reflektohen dhe tek prezenca aktive e audituesve të KLSH-së në grupet e punës së INTOSAI-t.

Al-Saraawi prezantoi një plan pune ku do të bazohet marrëveshja e bashkëpunimit me KLSH-në duke pohuar se Byroja Shtetërore e Audiitimit është e përkushtuar për të çelur një horizont të ri ndërveprim mes dy institucioneve, duke u fokusuar në fushat e menaxhimit të riskut, zbatimit të standardeve ndërkombëtare të INTOSAI-t, auditimit të sektorit të hidrokarbureve, transparencës dhe integritetit, kontrollit të brendshëm dhe auditimit mjedisor. /afp.al/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: