Shqipëria prezanton në Berlin potencialin e saj turistik

Shqipëria prezanton në Berlin potencialin e saj turistik
Shqipëria është e pranishme edhe këtë vit në shfaqjen më të madhe të turizmit botëror në Berlin, për të zbuluar potencialin e saj turistik, natyrën, historinë, kulturën dhe mikpritjen shqiptare.

Katër ditët e Panairit janë pika më e mirë e kontaktit mes operatorëve turistikë shqiptarë dhe atyre të huaj.

Agjencia Kombëtare e Turizmit synon promovimin e turizmit jo vetëm brenda sezonit të verës.

“Nëse para disa vitesh sezoni ka qenë vetëm 60 ditor, tashmë kemi hotele që janë të prenotuara deri mbi 120 ditë në vit, pra gjysma e vitit është e prenotuar. Ligji i ri për turizmin dhe investimet do ti hapin rrugë edhe investimeve të reja në këtë fushë për të rritur kapacitetet strukturave akomoduese që të kemi një balancim të numrit të turistëve më strukturat akomoduese përkatëse”, tha Ardit Çollaku, drejtor Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

“Nuk diskutohet më për të lidhur kontrata për këtë vit, por për vitet e ardhshme dhe ne e kemi pritur këtë ditë”, shprehet Astrit Kurti, një operator turistik.

Edhe kompanitë e huaja turistike kanë shfaqur interes për turizmin shqiptar.

“Jemi kompani turistike nga Britania e Madhe. Nuk kemi akoma udhëtime me Shqipërinë, por dimë që është një destinacion që po lulëzon ndaj duam të mësojmë më shumë.”

“Kam qenë një herë në Sarandë, ka plazhe të bukura por nuk kam aq shumë informacion për këtë vend” shprehet një operator turistik nga Britania

Por të tjerë duket se e njohin mirë Shqipërinë.

“Shqipëria shihet si destinacion i ri për turistët. Duhet përmirësuar stafi në hotele, por personalisht jam surprizuar nga mikpritja, ushqimi, veçanërisht ai i detit dhe stili i jetesës, siguria. Kishim planifikuar 4 çartera për këtë vit por për çudinë tonë kemi mbyllur kontratat për 7 çartera në javë, fluturime direkte nga Polonia nga data 23 maj deri më 29 shtator. Mesatarisht 1500 polakë çdo javë”, u shpreh operatori turistik nga Polonia, Jaroslaë Grabczak.

A.M/Afp.al

Shpërndajeni me miqtë tuaj: