Simpatitë e krerëve komunistë për poetët shqiptarë

Simpatitë e krerëve komunistë për poetët shqiptarë
INTERVISTA / Shkrimtari dhe ish-kampioni i boksit, Ahmet Golemi, tregon për simpatitë që kishin udhëheqësit komunistë për poetët e mëdhenj shqiptarë: Ismail Kadarenë e kishte për zemër Enver Hoxha, Dritëro Agollin e përkrahte Mehmet Shehu, ndërsa Fatos Arapin e simpatizonte Hysni Kapo

Në numrin e kaluar, Ahmet Golemi tregoi për miqësinë me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin dhe se si filloi ftohja mes dy kolosëve të letrave shqipe pas një pyetjeje të Dritëroit për veprën “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”. Por ndërkohë, vetë Golemi kishte rënë në burg. Në rrëfimin e sotëm, ish-boksieri gjirokastrite, njëkohësisht anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, tregon si e priti Ismail Kadare kur doli nga burgu dhe çfarë i tha Dritëro Agolli...

Intervistoi për Albanian Free Press: Albert Z. Zholi 

Si rifilloi miqësia pas daljes nga burgu?

Kur dola nga burgu me amnistinë e bujshme të nëntorit të vitit 1982 (70-vjetori i pavarësisë) isha i vrarë shpirtërisht. Para burgosjes punoja në gazetën Sporti Popullor në Ministrinë e Arsimit. Puna e donte që të shkoja në zyrën e kuadrit për të marrë  librezën e nëpunës. Një ditë kur po drejtohesha për tek ministria, tek banka e shtetit, u përballa me Kadarenë. Isha takuar dhe më parë me çiftin Kadare në bulevard kur ata bënin ritualin e mbrëmjes, bash aty ku është ndërtuar pallati Kongreseve. Helena ishte e para që më vuri re dhe entuziaste i tha Ismailit që përballë kemi Metin. U përqafuam në kujtim të një miqësie të mëparshme. Por këtë radhë të dytë (takimi tek banka) Ismaili u tregua shumë dashamirës . Ku po shkon më pyeti? I thashë në Ministri për të marrë librezën e punës në zyrën e kuadrit. Bukur, shkojmë së bashku se kam lënë takim me ministren më tha. Tek porta e ministrisë ndaluam ndërkohë që ishim futur në një bisedë për krijimtarinë. Tek porta ishte makina e ministres ku shoferi kishte hapur derën dhe po priste të dilte ministrja Tefta Cami. Ajo doli, na pa, mblodhi buzët u vrenjt dhe u ul në vendin e parë tek shoferi duke pritur që Ismaili të shkëputej nga unë dhe të vazhdonin rrugën. Ndodhi e kundërta, për të mos thënë shumë, por kaluan 5 minuta kur Ismaili vazhdonte të bisedonte me mua ndërkohë që i thashë: Ismail, po e tepron, po të pret ministrja! Nuk i bëri përshtypje kjo gjë, qëllimi ishte t’i tregonte ministres që ke të bësh me një njeri që unë ruaj një respekt shoqëror. Për më tepër, më përqafoi më shtrëngoi dorën si dy miq. Këtë gjest e bënte një gjeni si Ismaili.

Po me Dritëroin u takove pas burgut?

Po. Rastësisht afër Lidhjes së Shkrimtarëve.  Sapo mora kthesën e rrugës u gjenda ballë për ballë me të. Doja të shmangesha por ai më njohu dhe më foli. Ahmet, afrohu, afrohu! Si ke kaluar? Dëgjo edhe pse ishe në burg nuk ta kemi hequr emrin nga anëtarësia e Lidhjes së Shkrimtarëve. Më befasoi kjo  deklaratë  dhe u përlota.  Pasi më bëri disa pyetje më tha do largohem por kur të më shohësh në rrugë më fol, mos u shmang. Sa i lehtësuar u ndjeva!

Po tek veprat e tua a ke pasur një lloj  mbështetje nga Ismaili?

Ah, po! Kur bëra novelën "Përbindëshi i bardhë" ku zura çmimin e tretë në kuadrin e 30-vjetori të çlirimit të Atdheut në gjininë e novelës (pas novelës së Helena Kadaresë). Më parë novelën ma kishte lexuar në dorëshkrim Ismaili dhe ma pëlqeu. Më tha, mos i hiq asnjë presje. Ndërsa për  romanin  "Fundi i dorezave të zeza", duke parë që ai kishte impenjim të madh, shumë pak kohë të lirë, i thashë:  Të lutem dua një ndihmë! Kam tre tituj për romanin dhe dua të më japësh një mendim se e di s'ke fare kohë ta lexosh.  Titujt janë "Ngadhënjyesi i ri", "Braktisja e ringut" dhe "Fundi i dorezave të zeza". Ai më dëgjoi me vëmendje dhe më tha, këtë të tretën duhet të mbash. Pra atë titull të romanit tim më të lexuar e të bujshëm, e ka pagëzuar Ismail Kadareja. Me atë sqimën e tij, me atë heshtjen e tij, me atë zhbirimin që të bënte kur të shikonte, kurrë nuk linte t’i binte fjala në tokë.

A kishte dashuri për sportin Ismaili?

Ndoshta s'të besohet. Ismalili ishte shumë boks dashës. Kur ishte pionier, ishte anëtar i rrethit të boksit në Shtëpinë e Pionierit të Gjirokastrës. Të njëjtën gjë bëja dhe unë në Shtëpinë e Pionierit në Tiranë, po në rrethin e boksit. Këtu kujtoj që jemi të dy të datëlinjdes 1936, gjë që e mësova kur lexova romanin e Helenës "Kohë e pamjaftueshme". Dhe pse atëherë ishte e ndaluar të shikoje stacionet e huaja, kur kishte boks, Ismaili më thërriste gjithmonë dhe i shikonim ndeshjet e mëdha të Kleit, Frezerit, Formanit tek shtëpia e vëllait të tij, Shahinit, tek "Pazari i ri" ( i kishin shtëpitë përballë). Në këto ndeshje nuk mungonte kurrë Helena. Vëllai i tij Shahini, kur kishte shkuar për specializim 6 mujor në Rumani kishte sjellë një televizor "Filips" të mirë.  Edhe Ismaili kishte patur televizorin e tij të markës "Rekord" që kishte sjellë nga Rusia por, për arsye ekonomike, e kishte shitur. Ndoshta nuk ju besohet sa jetë të thjeshtë bënte Ismail Kadareja.  Një gjë të dish, kur është martuar Ismaili në shtëpi nuk kishte as krevat dopio, por bashkoi dy krevate tek. Kjo është e vërteta. Por kurrë s’e jepte veten dhe dilte i veshur si zotni.

Para se të ikte në Francë a e keni takuar?

Jo, se unë pas burgut të parë fillova punë në Kombinat si kaldajist. Pas tre vjetësh më arrestuan dhe më futën në burg prapë. Ç'të të them. peripeci pa fund.  Unë u lirova në prag të proceseve demokratike. Ikjen e tij në Francë e kam mësuar kur si i burgosur punoja në galeritë e minierës së Tërnovës në veri të Shqipërisë. Mbaj mend që kemi qenë në një nga galeritë, kur një nga minatorët me një melodi kënge më dha të kuptoj që zogu fluturoi, pra Ismaili u "arratis". Ishte një përcjellje lajmi ndryshe. Po ato ditë mësuam nga radio dhe televizorit që Ismaili  ishte arratisur në Francë. U lirova në prag të proceseve demokratike. Ishin zhvillime interesante për të gjithë ndërkohë që Ismali tashmë bënte jetën e tij prej "disidenti" (siç e etiketuan) në Paris, gjë që në fakt Ismaili s’e ka pranuar kurrë. E theksoj, që, ai, ashtu sikundër edhe un,ë s'mund ta quajmë veten disidentë, por thjesht të dyzyar. Dritëroin e takova sërish pas burgut dhe ai, si përherë, babaxhan dhe shpirt njeriu, më takoi përmallshëm si pas burgut të parë. Por tashmë gjërat kishin ndryshuar.

Kur e ke takuar Ismailin në vitet e demokracisë për herë të parë?

Më duket se ishte viti 1996, viti kur diskutohej që të bëhej president. Unë në atë kohë botova romanin "Pasionet". E takova për t’i dhënë romanin.  Ishte me Helenën, tek "Pjaca".  Dorëshkrimin e tij dhe librin "Fije bari" të Uitmanit që u gjetën gjatë kontrollit të banesës, ma kishte sjellë si objekt akuze hetuesi dhe operativi i Lidhjes së Shkrimtarëve. Në faqen përkushtuese, kisha shkruar dedikimin për nënën së cilës nuk kisha mundur t’i hedh një grusht dhe mbi varr kur vdiq. Ndërkohë Helena kishte lexuar disa faqe dhe e prekur me pyet: Meti të ka vdekur nëna?! Po, i them, më ka vdekur kur isha në burg.  Biseda solli bisedën, por në rend të ditës atë kohë ishte zgjedhja e presidentit. Nuk po gjendej një figurë dhe kudo diskutohej emri i Isamil Kadaresë. I them, Ismail pse nuk pranon të bëhesh president? Ai më vështroi me ngulm dhe duke psherëtirë më tha: Lëre këtë bisedë! Këtu është bërë si Kandahar. S'ka as drita, as siguri, as ngrohje, asgjë që të bjerë era shtet, asgjë nuk është në vend të vet. Por do thuash, që për këtë të vëmë president, të na rregullosh situatën! Unë jam gatuar për tjetër gjë. Unë nuk e bëj dot atë punë. Nuk është punë për mua. Do doja të bëja diçka të mirë për atdheun, por atë punë s’e bëj dot mirë. Unë bëj mirë të shkruaj. Nuk bëhet punë me këtë politikë të ashpër. S’i duroj dot dredhitë, shpifjet, ofendimet, zënkat, të bërtiturat. Nuk janë në natyrën time. Ndaj e lëmë këtë bisedë.

Kush është grupi që e ka sulmuar më shumë Kadarenë?

Grupi që e ka sulmuar sistematikisht Kadarenë ka qenë Fatos Lubonja,  Kasem Trebeshina, Adrian Vehbiu, e ndonjë tjetër ... të gjithë këta e kanë penguar duke e sulmuar për të mos marrë çmimin Nobel duke e quajtur, sipas idesë së tyre, shkrimtar oborri. Po çfarë shkrimtar oborri ishte Kadareja kur nuk kishte asnjë privilegj, kur jetonte si gjithë të tjerët?

Po me Agollin si i keni pasur relatat e ndihmës apo kritikës me njeri-tjetrin?

Kur Agolli botoi librin e parë me tregime  "Zhurma e erërave të dikurshëm" unë kam qenë kryetar i rrethit letrar në Pallatin e Kulturës "Ali Kelmendi". Kishim shumë aktivitete. Ishim të gjithë të dashuruar me letërsinë. Më parë ishin një grup i mirë letrarësh si Agim Cerga, Vath Koreshi, unë (e la Vath Koreshi të qenit kryetar, e mora unë), Klara Kodra, Sazan Goliku, Agim Fortuzi (korrektor letrar), Koço Kosta, Bedri Myftari, Agim Pepa, Zyhdi Marava, Faik Ballanca, etj... Pra, kur botoi këtë libër ne e ftuam për ta uruar Dritëroin në rrethin tonë letrar, pasi për atë libër e kishin kritikuar. Ne e vlerësuam pozitivisht dhe Dritëroi u prek deri në përlotje.

Pse u kritikua derisa u hoq dhe nga qarkullimi ky vëllim?

Në këtë libër midis tregimeve të tjera kishte dy tregime ndryshe "Kapedani" dhe "Ajo" . Tek tregimi "Kapedani", personazhi kryesor që ishte komandant nuk përfillte komisarin, dilte mbi komisarin. Pra nuk dilte roli udhëheqës i partisë. Nënvleftësohej ai rol. Ndërsa tek tregimi "Ajo" thuhej që ishte shumë tregim intim.  Gazetari "ZP", personazhi kryesor ishte shkruar në vetë të parë.  Vetë në kujtimet e tij Dritëroi ka thënë se ka dashur të bëhej veteriner. Sa herë që shkonte me shërbim në Lezhë gazetari shkonte tek një miku i tij veteriner ku gruaja e tij e simpatizonte gazetarin. Në një episod tregohej se, kur ishte gazetari në shtëpi, vijnë dhe e kërkojnë veterinerin se ishin dy lopë të sëmura. Veterinari ngrihet  i shqetësuar dhe niset me vrap për tek stalla. Gruaja e veterinerit i thotë, gazetarit: Po ky ç'burrë është, lë gruan vetëm dhe ikën pas lopëve?! Më e rëndësishme gruaja apo lopët janë?! Pra ky çast intim u kritikua ashpër, ndërsa ne e mbrojtëm duke theksuar se ngjarjet ndodhin por në fakt kritikohet fenomeni romantik.

Ky ishte rasti i vetëm?

Jo! Njëherë tjetër u ndesha me Dritëroin para "Klubit të Gjuetarëve" me bocetat e romanit "Komisari Memo" në dorë. Në fakt, tek bocetat titullin e romanit e ka pasur "Busti" (sipas filmit). Ndihej i mërzitur. Çfarë ke i them? Po ja, ma kanë ndërruar titullin, nga "Busti" në "Komisari Memo". Hiçgjë i them unë, vëllimin tim me tregime në redaksinë e prozës ja ndryshuan titullin nga "Natën e mirë e dashur" në "Elektricisti i turnit". Qeshi i lehtësuar. S'të themi kot Klei ynë, më tha.

Po pas komunizmit, çfarë kujton nga Dritëroi?

Më kujtohet një rast kur e pashë Dritëroin vërtet shumë nervoz.  E kishte nevrikosur Skifter Këlliçi, se diku e kishte kritikuar për faktin që vazhdonte të qëndronte deputet edhe pas përmbysjes së komunizmit. Sensi i kritikës ishte: I privilegjuar dje, i privilegjuar dhe sot. Megjithatë Dritëroi nuk ju përgjigj Skifter Këlliçit.

Le të flasim pak për poezinë. Si ishte Ismaili-poet?

Ishte shumë i thellë, shumë. Duhej ta studioje poezinë e tij që ta kuptoje.  Kur shtëpia botuese "Naim Frashëri" i botoi Kadaresë librin me poezi, pasi e lexova i thashë:  Po pse nuk i ke futur poezitë e Moskës? M’i hoqën më tha, m’i hoqën nuk e di. Më thanë se janë shumë intime, jam befasuar. Ismaili ka qenë shumë intim në poezi, shumë. Kishte shumë detaje.

Po Dritëroi?

Poemën "Devoll, Devoll" ja kam recituar në Konkursin Kombëtar të Fjalës Artistike në qytetin e Vlorës, pasi kam qenë një recitues i mirë që në vogëli. "Devoll, Devoll" e recitoi edhe Dhimitër Orgocka. E recitoi me një pathos të paparë.  Këtë poemë ma sugjeroi për konkurrim Fiqirete Shehu që ishte e pranishme në Konkursin e Fjalës Artistike për Tiranën. E prekur nga sa dëgjoi, duke parë që "Devoll, Devoll" nuk ishte në program ( pasi doli nga botimi pasi ne kishim bërë provat) më tha: Këtë poemë e dua ta recitosh ti. Dhe unë në Vlorë shkova me këtë poemë.  Ajo e donte shumë Agollin.

Si shpjegohet kjo simpati e familjes Shehu?

Ishin të ndarë në atë kohë këta kolosë. Ismailin e kishte për zemër Enver Hoxha, Dritëroin, Mehmet Shehu, ndërsa Fatos Arapin e simpatizonte Hysni Kapo.  Kjo është e gjitha.  P.sh, tek kjo poemë, Agolli në fund ka strofën epilog: E di që snajperët e përtej deteve/ në shënjestra më kanë vënë/ Por unë unë s'trembem, s'e ul zënë, mbetem komunist në jetë të jetëve"!  Për këtë e kanë kritikuar në demokraci. Ismaili në poemën "Përse mendohen këto male" ka shkruar: ..."...dhe priste Shqipëria, me vite priste, që të vinte partia Komuniste". Për këto i kanë kritikuar këta korifej, pa i vënë ngjarjet në kohë, ligjet e kohës. Mu kujtua që në gazetën "Drita" ishte botuar një poezi e poetit të bujshëm sovjetik Evgjeni Jevtushenko. Më kujtohet se kur shkoja tek shtëpia e Ismailit tek kolonat, në korridor kishte një musendër me libra, të mbuluar me perde. Tejet miqësisht për të më besuar një sekret, ndërmjet  atyre librave merr njërën dhe e shfleton dhe prej andej nxjerr një fotografi dhe më tregon. Ishte Evgjeni Jevtushenko i ri, nga pas dedikimi për Kadarenë. E mbante si hamajli. Ne atëherë pak e njihnim Jevtushenkon, pasi ai kritikohej se ishte poet i oborrit të Kremlinit. Nuk lejohej të botohej tek ne. Evgjeni Gerasimov në Plenumin e Shkrimtarëve rus deklaron se Jevtushenko në pozitë e tij anshkalon vijën e partisë. Kjo ishte një akuzë. Ai i përgjigjet: Ti Evgjeni, unë Evgjeni/ Ti s'je gjeni, e unë s'jam gjeni. Ti fekale unë fekale, Unë jo prej kohësh,  ti je prej kohësh....". Ndoshta kjo tingëllon edhe si analogji me Plenumin ku Ismail Kadareja u kritikua për "Pallatin e ëndrrave".

Le ta përfundojmë atje ku e nisëm, te raporti mes dy figurave të mëdha. Përtej debatit të kohës, në ditën e vdekjes së Agollit, Kadare theksoi se në këtë dimër të ashpër, ngjarja më e hidhur është vdekja e Dritëroit të madh...

Këtu është gjenialiteti i madh i Kadaresë. Ai e vlerësoi shumë, shumë, pasi nuk është xheloz, apo njeri me cmirë. Ai vlerësoi artin, letërsinë, arritjet, veprën e madhe të Agollit. Fjala e Kadaresë  u dëgjua më shumë se çdo fjalë tjetër për figurën e Agollit të madh. Njerëzit e mëdhenj dinë të vlerësojnë ashtu siç dinë të mposhtin dhe hedhin tej grindjet dhe mëritë. Kadare u tregua gjenial, ashtu siç është në të vërtetë.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: