Sot, 130 vjet nga shkolla e parë shqipe

Sot, 130 vjet nga shkolla e parë shqipe
Historiku i zhvillimit, krijimit të alfabetit dhe mësimit të gjuhës shqipe. Si u arrit në ditën historike të 7 marsit të vitit 1887 dhe cilët ishin protagonistët e mësonjëtorës së Korçës. Përpjekjet për shkollat dhe gjuhën shqipe edhe pas hapjes së shkollës së parë

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

Çështja e shkollës, ashtu edhe ajo e vendosjes së një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe, qenë shndërruar në probleme politike, zgjidhja e të cilave do të varej nga zhvillimi i përgjithshëm i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Nga mesi i shekullit të XVIII-të, Turqia ishte në ethet e "Çështjes Lindore", në kohën që ballkanasit, duke përfshirë edhe shqiptarët, kërkonin të plotësonin ëndrrën e tyre kombëtare. Për të mbrojtur dhe përkrahur interesat e tyre kombëtare, shqiptarët u mblodhën në Prizren, një qytet i Kosovës, në vitin 1878 dhe krijuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Lidhja kishte dy qëllime kryesore, atë politike dhe kulturore. Së pari, u përpoq (pa sukses) të bashkonte të gjitha trojet shqiptare - atë kohë të ndara në katër vilajete, ose krahina, e Kosovës, Shkodrës, Manastirit, e Janinës - në një shtet vetëqeverisës brenda sistemit të Perandorisë Osmane. Së dyti, organizoi një lëvizje për zhvillimin e gjuhës shqipe, letërsisë, arsimimit, dhe kulturës.

Pas themelimit të Lidhjes së Prizrenit

Pas themelimit të Lidhjes së Prizrenit më 1878, dhe të Shoqërisë së Stambollit më 1879, mori hov lëvizja për lëvrimin dhe studimin e gjuhës shqipe. Mendjet më të ndritura të kohës, si Kostandin Kristoforidhi, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Jeronim de Rada, Pashko Vasa, Jani Vretoja, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, etj, duke e njohur mirë gjuhën amtare dhe duke pasur besim të patundur në zhvillimin e saj të shpejtë, iu përveshën me zell një pune të shumanshme që nuk vonoi të jepte përfundime të dukshme. Drejtimet kryesore të përpjekjeve të tyre, që kushtëzoheshin nga kërkesat e kohës, ishin përhapja e shkrimit shqip, pastrimi i gjuhës nga fjalët e huaja të panevojshme, pasurimi i saj sidomos me terma shkencorë e me fjalë të tjera të fjalorit abstrakt dhe përpunimi i disa normave gjuhësore që do të çonin shkallë-shkallë në zhvillimin e vazhdueshëm të gjuhës letrare shqipe. Me këto përpjekje atdhetarët rilindës synonin të forconin bashkimin dhe afirmimin kombëtar të popullit shqiptar, për të cilët një faktor vendimtar ishte gjuha, si tipar themelor që dallon çdo komb.

Alfabeti i Shoqërisë së Stambollit dhe fjalët e reja shqipe

Alfabeti i Shoqërisë së Stambollit (1879) me 36 shkronjat e tij, i plotësonte mirë kërkesat fonologjike të gjuhës shqipe dhe, me gjithë mungesën e shkollave shqipe, ishte përhapur ndër shqiptarët brenda e jashtë vendit. Por, duke qenë i përzier edhe me disa shkronja greke dhe me disa shkronja të veçanta, ai paraqiste mjaft vështirësi për botim librash e fletoresh nëpër shtypshkronja. Përveç kësaj, megjithëse bëri të mundur mënjanimin e disa alfabeteve të përdorura më parë, alfabeti i Stambollit nuk mbeti i vetmi alfabet për shkrimin e shqipes. Kështu në Shkodër vijoi të përdorej alfabeti tradicional i shkrimtarëve klerikë të Veriut. Madje, në kapërcyell të shek. XX në atë qytet u vunë në përdorim dy alfabete të reja: alfabeti thjesht latin i Shoqërisë “Bashkimi”, i themeluar më 1899 nga Preng Doçi, Gjergj Fishta etj., dhe alfabeti i Shoqërisë “Agimi”, i formuar më 1901 nga Zef Mjeda, Ndre Mjeda etj. Gjatë kësaj periudhe në Shkodër nuk munguan edhe përpjekjet për ta shkruar shqipen me alfabetin arab. Rilindësit u përpoqën edhe për pastrimin e pasurimin e fjalorit, gjë që diktohej nga vetë gjendja e gjuhës shqipe, e cila, në kushtet e një prapambetjeje të gjithanshme të popullit shqiptar, ishte e mbushur me fjalë të huaja dhe kishte mbetur e varfër sidomos për fjalë të fushave të ndryshme të shkencës e të kulturës. Për t’ia arritur këtij qëllimi të dyanshëm, u shfrytëzuan më shumë mjetet fjalëformuese të gjuhës shqipe, duke krijuar kështu një numër të madh fjalësh të reja, një pjesë e mirë e të cilave i kanë qëndruar kohës. Të tilla janë, p.sh., fjalët ndërgjegje, vetëdije, cilësi, sasi, folje, rrokje, përemër, atdhe, mëmëdhe, kryeqytet, qytetëroj etj. Është e vërtetë se përpjekje për të krijuar fjalë të reja ishin bërë edhe më parë, duke nisur që nga Buzuku, Budi e Bogdani e deri te Naum Veqilharxhi. Por përpjekjet e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar në këtë fushë, dalloheshin për karakterin e tyre më të vetëdijshëm, për përmasat e gjera dhe për përhapjen e madhe që patën.

Shkolla e parë shqipe

Mësonjëtorja e Korçës është shkolla e parë e gjuhës shqipe. Ajo u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në shtëpinë e ofruar për mësimdhënie nga Diamanti Terpo. Kjo ndërtesë është sot muze kombëtar i arsimit. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Ai e filloi mësimin në gjuhën shqipe fillimisht me 35 nxënës. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik. Hapja e shkollës ishte një ngjarje dhe një fitore e madhe për gjithë lëvizjen kombëtare. Mësonjëtorja e Korçës ishte qendër e rëndësishme për formimin kulturor dhe ngritjen e ndërgjegjes dhe moralit në popull. Ajo nxiti edukimin patriotik të brezit të ri e të masave të gjera. Shkolla tërhoqi interesin dhe admirimin e shumë shqiptarëve, nën shembullin e saj u frymëzuan më vonë edhe banorë të viseve dhe trevave të tjera shqiptare. Veç të tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu, që nga ajo ditë, 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike. Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar dhe me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen dhe pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm për luftën për liri dhe pavarësi.

Protestat për gjuhën shqipe

Në këto rrethana atdhetarët rilindës si në memorandumet e peticionet e njëpasnjëshme, që i dërguan Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha nga kolonitë e mërgimit e nga brenda vendit, ashtu edhe nëpërmjet organeve të shtypit shqiptar të viteve 1897-1908, protestuan ndaj kësaj gjendjeje të rëndë të arsimit në Shqipëri dhe kërkuan me këmbëngulje që shqiptarëve t’u jepej e drejta e mësimit të lirë të gjuhës amtare shqipe dhe që të hapeshin kudo në Shqipëri shkolla shqipe të të gjitha hallkave. Organet e shtypit theksonin se “ne shqiptarët duhet të hapim shkolla shqipe në Shqipëri dhe të mësojmë në gjuhën tonë”, “të çelim shkolla shqipe në të gjitha anët e Shqipërisë, në çdo qytet dhe në çdo fshat, me qëllim që të lulëzohet Shqipëria” (“Shqipëria”, 1897, “Gjuha shqipe dhe shqiptarët”; “Drita” 1903, “Kombet e tjera dhe shqiptarët” etj.). Atdhetarët, me gjithë pengesat e qeverisë turke, nuk i ndërprenë përpjekjet për të përhapur arsimin në gjuhën amtare. Përveç dy shkollave shqipe të Korçës, në mjaft vise të Shqipërisë, si në Elbasan, Dibër, Krujë, Korçë, Berat, Gjirokastër, Kolonjë, Starovë, Vlorë, Përmet, Skrapar, Çamëri etj., funksiononin, në shumicën e rasteve pranë shtëpive private, shkolla të fshehta shqipe, në të cilat arsimtarët atdhetarë u mësonin fëmijëve e të rriturve abetaren e gjuhës shqipe. Në këto qendra, si edhe në qytete të tjera të vilajeteve shqiptare, si në Shkodër, Durrës, Tiranë, Prizren, Prishtinë, Shkup, Manastir etj., mësuesit atdhedashës u mësonin fshehurazi shkrimin shqip nxënësve në shkollat e huaja turke, greke etj.  Atdhetarët rilindës protestuan në ato raste kur Austro-Hungaria bëri përpjekje për të zëvendësuar gjuhën shqipe, që ishte futur në shkollat e saj, me gjuhët e huaja. Në vitet 1898-1900 shpërtheu konflikti ndërmjet popullsisë së Prizrenit dhe agjentëve konsullorë austro-hungarezë, që deshën të fusnin në shkollën shqipe të qytetit sllavishten. Vatikani më 1898 largoi nga kjo shkollë klerikët shqiptarë nga Prizreni dhe emëroi në vend të tyre klerikë e murgesha kroate, që filluan të përdornin në shkollë krahas shqipes edhe sllavishten. Meqenëse kërkesat e popullsisë së Prizrenit për pezullimin e mësimit në gjuhën sllave nuk u morën parasysh, ajo ngriti më 1899 një shkollë të re shqipe të pavarur, në të cilën jepte mësim Mati Logoreci. Në këto përpjekje atdhetarët prizrenas patën edhe përkrahjen e popullsisë së Shkodrës dhe të viseve të tjera. Shkolla e re tërhoqi shumicën e nxënësve të Prizrenit. Në konfliktin për çështjen e shkollës së Prizrenit (që zgjati 2 vjet) ndërhyri me kërkesën e Vjenës edhe policia turke, e cila arrestoi mjaft shqiptarë atdhetarë. Qëndresa e gjatë e protestat e vazhdueshme të popullsisë së Prizrenit bënë më në fund efektin e tyre; më 1900 u kthyen në Prizren klerikët e larguar shqiptarë dhe u hoqën nga shkolla mësuesit e huaj. Pas kësaj të dyja shkollat u bashkuan në një shkollë të vetme. Kështu ndodhi edhe në Tiranë, ku në saje të kërkesave këmbëngulëse të rretheve atdhetare, në shkollën austriake të këtij qyteti, në kundërshtim me vendimin e kryepeshkopit katolik të Durrësit, u vunë në përdorim tekstet e përgatitura nga Shoqëria e Stambollit.

 

 

 

Kostandin Kristoforidhi

Njeriu që mblodhi visarin e gjuhës popullore

Për pasurimin e fjalorit të gjuhës shqipe u shfrytëzua në radhë të parë visari i pasur i gjuhës popullore. Për këtë qëllim u mblodhën nga goja e popullit fjalë e shprehje të rralla që rilindësit i shtinë në përdorim në veprat e tyre. Në këtë punë fisnike u dallua në mënyrë të veçantë Kostandin Kristoforidhi, i cili i ra kryq e tërthor mbarë vendit, duke mbledhur një visar të pasur, që e përfshiu edhe në veprën e tij madhore “Fjalori i gjuhës shqipe”. Por këtë vepër me vlerë të madhe autori nuk mundi ta botonte sa qe gjallë. Pas shumë përpjekjesh, ky fjalor u botua më në fund më 1904 në Athinë. Fjalori nuk kishte karakter dialektor, si fjalorët e botuar më parë, por ishte një fjalor i mbarë shqipes. Shpjegimet aty jepeshin në gjuhën greke, por kishte edhe shpjegime plotësuese shqip. Ata që nuk dinin greqisht e përdornin për të gjetur ekuivalenten greqisht të fjalës shqipe. Më 1908 u botua në Shkodër nga Shoqëria “Bashkimi” një tjetër fjalor i gjuhës shqipe me shpjegimet në gjuhën italiane. Drejtimi tjetër kryesor, ku u përqendruan përpjekjet për lëvrimin dhe studimin e gjuhës shqipe, ishte përpunimi i disa normave drejtshkrimore e gramatikore dhe studimi i strukturës gramatikore të gjuhës. Edhe në këtë fushë puna nuk nisi nga e para. Përpjekje të tilla ishin bërë edhe më përpara. Por pas vitit 1880, në kushtet e reja të rritjes së lëvizjes kombëtare, shtrohej detyra për një punë më të vetëdijshme dhe me synime më të qarta. Në shkrimet shqipe duheshin zbatuar disa norma drejtshkrimore që t’i bënin ato sa më të kuptueshme për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga baza dialektore. Për një punë të tillë të vetëdijshme shprehen në shkrimet e tyre sidomos Kostandin Kristoforidhi, Samiu, Naimi etj. Gjatë kësaj periudhe u bënë përpjekje edhe për një afrim të dy varianteve të shkruara të shqipes. Por, në kushtet e sundimit të huaj dhe të përçarjeve krahinore e fetare, të ushqyera nga armiqtë e jashtëm e të brendshëm, këto përpjekje nuk mund të shkonin larg. Në këto rrethana, kur edhe një pjesë e shkrimtarëve vijonin të përdornin në shkrimet e tyre një gjuhë thjesht dialektore, ishte shumë e vështirë të përpunoheshin e të zbatoheshin nga të gjithë norma drejtshkrimore e gramatikore të njësuara. Megjithatë, u bë një punë e madhe për vendosjen e disa normave drejtshkrimore e gramatikore, që shënuan një hap të rëndësishëm përpara në zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe. Një vëmendje e posaçme iu kushtua edhe studimit të strukturës gramatikore të gjuhës e kjo duket qartë edhe nga botimi i disa gramatikave me vlerë, të hartuara kryesisht nga autorë shqiptarë. Nga këto dallohen sidomos gramatika e Kostandin Kristoforidhit (1882), me shpjegim në gjuhën greke, “Shkronjëtorja ...” e Samiut (1886), që është e para gramatikë e gjuhës shqipe, gramatika e Gjergj Pekmezit (1908), me shpjegime në gjuhën gjermane, gramatika shqipe e Anton Xanonit (1909) etj. Puna për lëvrimin e për studimin e gjuhës bëri të mundur zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe. Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX u shtuan edhe më shumë përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për lirinë e mësimit të gjuhës shqipe dhe për çeljen e shkollave shqipe. Edhe pas hapjes së shkollës së Korçës në vitin 1887, gjendja e arsimit në Shqipëri mbeti e mjerueshme. Gjithë sistemi arsimor osman përbëhej nga shkollat fillore (mejtepe) në qytete e në fshatra, një pjesë e madhe pranë xhamive, nga disa shkolla gjysmë të mesme ose qytetëse (ruzhdie) që funksiononin në qytete, ndërsa shkolla të mesme shtetërore (idadie) ishin ngritur vetëm në kryeqendrat e katër vilajeteve. Mësimet zhvilloheshin kudo në gjuhën turke, ndërsa numri i fëmijëve që i ndiqnin këto shkolla ishte shumë i pakët.

 

 

 

 

Etapat e gjuhës letrare kombëtare

-Etapa e parë e gjuhës letrare kombëtare karakterizohet me qëllime përparimtare të Rilindjes Kombëtare, me përpjekje që të krijohet një gjuhë e përgjithësuar, e njësuar, kështu që shkrimet shqipe t'i shërbenin ,”të ndriturit të kombit,” të ngjallurit e gjuhës shqipe e të bashkuarit të dialekteve të saj. Këtë farë të mbarë të gjuhës e mbollën rilindësit tanë siç vepruan edhe ndër serbët e kroatët V. Karaxhiçi, te rumunët G. Lzeri, te bullgarët P. Beroni, te grekët Andomanitosi etj. Gjatë kësaj etape u bënë përpjekje të mëdha për pasurimin e gjuhës nga huazimet e shumta si dhe për pasurimin e lëvrimin e saj. Po ashtu pas shumë përpjekjesh, u përcaktua alfabeti unik për këtë gjuhë në Kongresin historik të Manastirit (Kongresi i Alfabetit-1908). Brenda kësaj kohe u hartuan edhe disa gramatika të gjuhës shqipe përpos disa te huajave, edhe nga autorët shqiptarë: Dh.Kamarda (në italishte), Zef De Rada, biri i De Radës (në të vërtetë vetë Jeronim De Rada (në italishte), K. Kristoforidhi (në greqishte), S. Frashëri (në gjuhën shqipe), Pashko Vasa (në frëngjishte) etj.; K. Kristoforidhi hartoi edhe Fjalorin shqip-greqisht me karakter jodiktator (u botua më 1904 me alfabet grek dhe pastaj u përpunua, u përshtat me alfabet shqip dhe u ribotua më 1961 nga Prof. A.Xhuvani e më vonë u ribotua edhe këtu tek ne), që tok me Fjalorin e ri (shqip) të Shoqërisë ,”Bashkimi” (1908) u bënë mbështetje e fortë për zhvillimin e mëtejmë të gjuhës letrare shqipe.

-Etapa e dytë gjuha jonë letrare zë të zhvillohet e të pasurohet tani brenda shtetit të pavarur shqiptar (1912-1939). Ajo tashmë zë të bëhet armë e forcimit dhe zhvillimit të shtetit shqiptar, bën një hap të madh përpara, ndonëse me shumë peripeci e pengesa, meqë shteti ishte në duart e feudoborgjezëve. Forcat përparimtare intelektuale bënë përpjekje e punë të mëdha në këtë drejtim: Formuan Komisinë Letrare të Shkodrës (1916), mbajtën Kongresin e arsimtarëve të Lushnjës (1920). Në këtë mënyrë përpjekje gjithnjë e më të mëdha për zgjedhjen e çështjës së gjuhës letrare - për lëvrimin, pasurimin dhe njësimin e saj. Procesin e formimit, të njësimit, të shqipes letrare e pengoi edhe pushtimi i okupatorëve italianë e gjermanë.

Etapa e tretë dhe përfundimtare e njësimit të gjuhës letrare shqipe dhe të drejtshkrimit të saj zë fill me çlirimin nga okupimi italiano-gjerman. Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane, ku futen gjuhët indo-iranike, greqishtja, gjuhët romane, gjuhët sllave, gjuhët gjermane, etj. Ajo formon një degë të veçantë në këtë familje gjuhësore dhe nuk ka ndonjë lidhje prejardhjeje me asnjërën prej gjuhëve të sotme indoevropiane. Karakteri indoevropian i shqipes, përkatësia e saj në familjen gjuhësore indoevropiane, u arrit të përcaktohej e të vërtetohej që nga mesi i shekullit XIX, në sajë të studimeve të gjuhësisë historike krahasuese. Ishte sidomos merita e njërit prej themeluesve kryesorë të këtij drejtimi gjuhësor, dijetarit të njohur gjerman Franz Bopp, që vërtetoi me metoda shkencore përkatësinë e gjuhës shqipe në familjen gjuhësore indoevropiane. F. Bopp i kushtoi këtij problemi një vepër të veçantë me titull “Ueber das Albanesische in scinen verëandtschaftlichen Bezichungen”, botuar në Berlin në vitin 1854.

 

 

 

Origjina e gjuhës shqipe

Problemi i origjinës së gjuhës shqipe është një nga problemet shumë të debatuara të shkencës gjuhësore. Ajo e ka burimin, pa dyshim, prej njërës nga gjuhët e lashta të Gadishullit të Ballkanit, ilirishtes ose trakishtes. Në literaturën gjuhësore qarkullojnë dy teza themelore për origjinën e shqipes: teza e origjinës ilire dhe teza e origjinës trake. Teza ilire ka gjetur mbështetje më të gjerë historike dhe gjuhësore. Ajo është formuar që në shekullin XVIII në rrethet e historianëve.  Përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar origjinën e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre, e bëri historiani suedez Hans Erich Thunmann në veprën e tij “Undersuchunger liber di Geschichte der Östlichen europäischen Völker” Leipzig 1774. Ai, duke u mbështetur në burime historike latine e bizantine dhe në të dhëna gjuhësore e onomastike, arriti në përfundimin se shqiptarët janë vazhduesit autoktonë të popullsisë së lashtë ilire, e cila nuk u romanizua siç ndodhi me popullsinë trako-dake, paraardhëse të rumunëve.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: