Studimet mastar, certifikata e gjuhës së huaj mund t’ju penalizojë

Studimet mastar, certifikata e gjuhës së huaj mund t’ju penalizojë
Të gjithë ata studentë të cilët kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve dhe më pas aplikojnë për tu pranuar në programe studimi të ciklit të dytë apo të tretë në Institucionet e Arsimit të Lartë,  duhet që certifikatat e gjuhës së huaj duhet ti kenë brenda vlefshmërisë së tyre të afateve, në të kundërt ata nuk mund të kualifikohen në këto programe studimi. Nëse në udhëzimin e mëparshëm të Ministrisë së Arsimit parashikohet që afati i certifikatave të jetë deri në dy vjet, me udhëzimin e ri ky dokument duhet të jetë brenda afatit të përcaktuar.

Udhëzimi më i fundit i Ministrisë së Arsimit sqaron se kandidatët aplikantë duhet të kenë certifikime dhe rezultate të testimeve ndërkombëtare për nivelet e njohjes së gjuhëve të huaja, brenda afateve të vlefshmërisë së certifikatave të lëshuara. Kështu, ky udhëzim përcakton se ata persona të cilët do të aplikojnë programe të ciklit të dytë apo të tretë duhet të jenë njohës të një gjuhe të huaj e cila mund të jetë Anglisht, Gjermanisht, Frëngjisht, Italisht dhe Spanjisht.

Në rastet se kur studenti aplikant ka një certifikatë të cilës i ka kaluar afati, atij mund ti digjet e drejta e studimit vetëm për këtë fakt. Ndaj me ndryshimin më të fundit të gjithë aplikantët duhet të jenë të vëmendshëm edhe për këtë detaj. Nga ana tjetër, për programin e studimit të ciklit të dytë kandidati duhet të ketë njohje të gjuhës së huaj ndërmjet nivelit B1 dhe nivelit C1. “Institucionet e Arsimit të Lartë përcaktojnë në rregulloret e tyre nivelin e gjuhës, që do të jetë kriter hyrës në programet studimit të ofruara prej tyre në ciklin e dytë. Kurse për pranimin në programin e studimeve të ciklit të tretë, kandidati duhet të ketë njohje të gjuhës së huaj në nivele C1.

Sa i përket dokumentit të njohjes së gjuhëve të huaja ai mund të jetë një certifikatë, diplomë apo dëshmi e lëshuar nga subjekte të cilët kanë një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit për ofrimin e testeve ndërkombëtare. “Institucionet e arsimit të lartë duhet të bëjnë publike listën e niveleve të njohjes së gjuhëve të huaja dhe testimeve ndërkombëtare sipas përcaktimit të bërë në kriteret e pranimit në programet e studimit të ciklit të dytë apo të tretë” thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit.

Sa u përket subjekteve qofshin këto private apo publike të cilat kanë të drejtën për ofrimin e certifikatave të gjuhës së huaj duhet të paraqesin pranë Ministrisë së Arsimit dokumentacionin ligjor për të drejtën e pronësisë intelektuale dhe ofrimin e testeve ndërkombëtare sipas procedurave të përcaktuara nga MAS. Po kështu të nënshkruhet edhe një marrëveshje me ministrinë e Arsimit, me qëllim njohjen e të drejtës së subjektit për ofrimin e testeve, sipas përcaktimeve të MAS. Subjektet që ofrojnë kurse përgatitore, për prodhimi dhe shpërndarjen e teksteve didaktike të gjuhëve të huaja, nuk mund të jenë ofruese të shërbimit të testimeve dhe certifikimeve ndërkombëtare thuhet në udhëzimin e MAS

Shpërndajeni me miqtë tuaj: