Suela Konjari rrëfen paradoksin: Ma ndaluan skenën prej biografisë, babait jo

Suela Konjari rrëfen paradoksin: Ma ndaluan skenën prej biografisë, babait jo
Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Vjen nga suksesi i fundit në interpretimin e rolit te “Familja Tot”. Por Suela Konjari nuk ka patur një fillim të lehtë. Në këtë intervistë për Albanian Free Press, aktorja tregon peripecitë kur kishte mbaruar shkollën e mesme dhe priste të drejtën për të studiuar për aktore. Një e drejtë që iu refuzua me një arsyetim absurd: Gjyshi yt ishte armik i popullit. Ndërkohë që babai i saj ishte një ndër balerinët-themelues të Teatrit të Operës dhe Baletit. Biografia nuk vlente për babanë, por për vajzën po...

AFP: Jeni “bijë arti”, vajza e një babai balerin, pionier i themelimit të baletit klasik në Shqipëri. Ua ka shënuar ky fakt, disi, fatin?

Skena ishte magjia që mua ma rrëmbeu mendjen, dhe ma pushtoi zemrën, qysh në fëmijëri. Ishte dashuri e natyrshme, pasi si bija e një artisti, - im atë ishte balerin në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, - gjatë gjithë kohës së lirë, ne, fëmijët e artistëve, ndiqnim nga pas prindërit që edhe të dielave kishin shfaqje dhe ne ishim aty. Kështu u rrita dhe ushqeva me art e pasionin për skenën.

 AFP: Në cilën fazë të jetës vendosët të bëheshit aktore?

Asnjëherë nuk do të harroj, dy njerëz mjaft të rëndësishëm për mua, të cilët më nxitën të bëhem aktore. Kjo mirënjohje është për mësuesen time, drejtuesen e grupit të recituesve, zonjën Afërdita Orhanasi. Kam emocion, gjithmonë kur e kujtoj. Edhe sot, shpesh, ngre kokën lart dhe flas me engjëllin Afërdita. E mbaj thellë në zemër plot me dashuri. Gjithashtu jam thellësisht mirënjohëse edhe për drejtorin e shkollës së mesme “Partizani”. Kujtoj se në provimin e maturës në letërsi, përpara komisionit, drejtori më kërkoi të recitoja një poezi. Ishin kohët kur prekja skena të vogla në aktivitetet e shkollës, por janë me vlera dhe kuptimplote për mua.

AFP: Ka një fakt që njihet pak. Ju është mohuar e drejta e studimit. Si ndodhi dhe sa ju lëndoi kjo gjë?

O, zot! A mund ta kuptoni këtë absurditet? Im atë dilte në skenë, - ishte i biri i një të dënuari politik, - ndërkohë, mua më ndalohej skena dhe shkollimi për shkak se gjyshi im ishte “armik i popullit”. Babai ka qenë edhe partizan gjatë kohës së luftës. Nga e gjitha kjo çmenduri, shpëtova pas një viti, pasi humba të drejtën e studimit. Shkak u bë një zotëri, në atë kohë kryetar fronti, i cili ndjeu keqardhje dhe pati dashamirësi për situatën time. Ai shfrytëzoi një libër të Enver Hoxhës, një frazë të shkruar në të, ku shkruhej dhe përmendej me emër, se gjyshi im kishte dhuruar ilaçe për partizanët e plagosur. Kështu, pas dy vitesh, konkurrova përsëri dhe arrita të prek ëndrrën për të qenë studente e Akademisë së Arteve.

AFP: Rolin e parë e kishit në estradë; më pas erdhi skena e Teatrit Kombëtar. Si kaluat nga estrada në teatër?

Rolin e parë nuk e kujtoj edhe aq shumë. Isha studente kur regjisori Leka Bungo më ofroi një rol në Estradë, por, vetëm pak kohë më pas, më vjen një ofertë nga teatri Kombëtar dhe nga regjisori Edmond Budina. Bëhej fjalë për rolin e Norës, tek “Nata me hënë” e Ismail Kadaresë. Në fillim, e stepur nga skena e madhe e teatrit, refuzova. Por, pasi e mendova mirë, pranova. Mbetet një nga rolet dhe përvojat e mia më brilante. Atëherë punohej me dublantë dhe dublantja ime, aso kohe, ishte Elvira Diamanti. Ishte këmbëngulja e Edmond Budinës dhe ai rol në “Natën me hënë”, që më hapën dyert e Teatrit Kombëtar.

AFP: Rolet tuaja në teatër dhe në film, janë të gjithë role karakterialë, të spikatur. Ku mendon se qëndron sekreti?

Është e vërtetë që gjithmonë më janë besuar role karakterialë, aspak të lehta për tu interpretuar dhe realizuar, por kanë qenë role që të japin mundësinë të tregosh vlerat profesionale. Mendimi dhe shqetësimi im i vetëm është, që rolin dhe figurën, ta qëndis në mënyrë që të mbeten në mendjen e spektatorit.

AFP: Cilat janë pasionet tuaja, jashtë teatrit? Recitoni poezi, por a  shkruani vet?

Pasionet e mia janë udhëtimet dhe të recitoj, më saktë interpretoj poezi. Poezinë e dua pafund, sepse ajo është ndjenjë. Gjatë viteve të Akademisë së Arteve, kam shkruar shumë poezi dhe i kam hedhur në letër. Në mendje dhe shpirt, kam gjithmonë një poezi që pret të shkruhet, dhe në çantë, kam gjithmonë një poezi të hedhur në letër.

 AFP: Jeni grua dhe nënë. Sa e vështirë është, sot, jeta për një grua të divorcuar?

Kanë kaluar mjaft vite, por ajo çka dua të them është se dashuria për fëmijën, është tepër e fuqishme. Na ka bërë që prioritet kemi të jemi dy prindër të mirë, në çdo kohë pranë saj.

AFP: Cili është raporti me vajzën tuaj?

Nuk jemi thjesht nënë e bijë, jemi dy mikesha, dy motra, dy shoqe të ngushta. Vitet kalojnë dhe investimi për të rritur një fëmijë të dashur, qytetar, me vlera është investim që kurrë nuk shkon dëm. Sot, jam nënë krenare dhe e lumtur për Kris. Ajo është pedagoge në degën e Psikologjisë, ka ndërtuar familjen e saj me Francin, shokun e jetës dhe pret të bëhet nënë, ndërsa unë, gjyshe. Nuk mund ta përshkruaj se me sa emocion, dashuri, padurim dhe dhembshuri, po e pres atë çast.

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: