Trëndafili i zi skuq netët e Tiranës

Trëndafili i zi skuq netët e Tiranës
 

nga Juela Meçani

Ka disa netë kur dëshiron të dalësh në Tiranë, por pa atë angazhimin mendor që të jep një lokal i tejmbushur, pa dhimbjen e kokës që të lë një klub me house, hip-hop ose rap, pa merakun nëse mund të rrish e qetë edhe në një grup vajzash, ose të kesh një vend ku të jesh çift lirisht, sepse është një vend ku bëhet muzikë për pasion, e ku çdo njeri shikon punën e vet, më saktë pasionin e vet.

Po ku të shkosh në Tiranë? Në të vërtetë, më në fund, ka ku të shkosh. Dhe ka një muzikë që në përgjithësi na bashkon të gjithëve, sepse, në fund të fundit, ne jemi mesdhetarë. Muzika latine, ose latino-amerikane, nuk është si të tjerat. Atë ose e dashuron, ose e ke xhan. Nuk ka shumë njerëz që e urrejnë, apo janë indiferent ndaj saj. E vërtetë është që, nëse do ta shijosh deri në ashtë, duhet të dish ta kërcesh, e këtu ngec pak historia, sepse sado e dëgjueshme dhe e thjeshtë të duket, kërcimi latin është ca i vështirë, sepse nuk ka vijë të mesme, ose duhet ta ndjesh, ose ndryshe rri i qetë në tavolinë dhe shijo tingujt latinë duke pirë një “cuba libre” ose “mohito” e duke ëndërruar veten sikur je diku në Argjentinë ose Andaluzi.

Tango, Samba, Rumba, Jive, PassoDoble, Kizomba etj., janë emra që në netët e Tiranës, tashmë, nuk duken të habitshëm, me qindra të rinj e të reja në kurse private, stërviten, argëtohen dhe mbajnë trupin në formë përmes leksioneve mbi kërcimin latin e latino-amerikan. Është një tendencë e re, që po përhapet me shpejtësi. Përgjithësisht drejtuesit e këtyre studiove të kërcimit, nuk janë balerinë profesionistë. Në jetën e tyre të përditshme kanë arsimim dhe profesion krejtësisht tjetër. Për ta kërcimi latin është pasion i madh. Madje më i madhi që kanë. E këtë pasion e kanë kthyer edhe në burim të ardhurash dhe aktivitet të përditshëm.

Magjia dhe sensualiteti, adrenalina dhe alegria që të përcjell, romantika dhe poezia që mbart, kanë bërë që, në pak kohë, të ndiqet nga mjaft njerëz dhe këtu është edhe e veçanta. Kërcimi latin, pasioni për muzikën latine ,nuk njeh moshë. Nuk njeh as diferencime në kulturë apo në nivel intelektual. Kërcimi latin i bën të gjithë një. Në sallat e kërcimit sheh vajza të reja e bashkë me to edhe nëna, sheh djem të rinj, por edhe prindër që kanë hequr kollaren e zyrës dhe janë lehtësuar nga stresi i rëndë i kryeqytetit e duan të shpengohen, qoftë edhe për një natë. E mbi të gjitha, shikon të huaj që janë turistë e zbulojnë një anë tjetër të Tiranës, të huaj të misioneve diplomatike, të huaj nga bota e biznesit. Për ta është edhe më e natyrshme, sepse në vendet e tyre ky trend ka, tashmë, shumë vite që ekziston dhe ka një traditë me disa dekada. Por vetëm dy vite më parë, kërcimi latin doli nga palestrat, sallat e leksioneve dhe gjeti një strehë. Një strehë prej druri në zemër të ish-bllokut. Nëse pyet, të thonë menjëherë. Do një vend ku të vallëzosh latine i qetë e të pish një koktej të mirë me një çmim të pranueshëm?  Shko tek “La Rosa Negra” në fundjavë. Është e habitshme se sa shumë vetë gjen atje. Është krijuar ideja rutinë se në metropol funksionojnë vetëm diskot e klubet, por aty ndryshon mendim. Gjen një komunitet. Po, po. Një komunitet të tërë. Një grupim me njerëz të pasionuar që janë rregullisht aty. E çfarë është më e bukura, arrijnë të të bëjnë të integrohesh menjëherë. Nuk ka etiketë në këtë vend, të tipit të stilit apo mungon ai sforcimi se pa kaluar nga grimi apo butiku i fundit, nuk del dot. Aty mund të jesh vetvetja, i lirë të kërcesh ose jo, por panorama është aq me shije, sa mjafton për të thënë se jeta është e bukur.

Në një kryeqytet me zhurmë, me stres, me probleme, është ajo që të duhet, herë pas here, për të ndjerë se ndjenjat e tua, janë ende aty, të duhet për të takuar njerëz pa paragjykime se kush je e nga vjen. Këtë liri mendimi të bukur, muzika latine ta jep pa doreza. E vetëm aty e gjen.

E gjitha nisi si nismë e një djali të ri, quhet Indrit Voga dhe udhëheq nga ana organizative mjaft të rinj e të reja, tashmë, miq me njëri-tjetrin. Ai e ka nisur në vitin 2008, praktikimin e kërcimit latin, pasi mori në menaxhim një lokal në Tiranë. I vogël, siç thotë edhe vetë, atë që i shihte syri i bënin këmbët, imitonte menjëherë kërcimtarët e huaj; pra, nisi si autodidakt.

 

I arsimuar në menaxhim-biznes, e pati më të lehtë të menaxhonte edhe nga ana organizative dhe financiare nismat e tij. Por mësojmë se është një nismë aspak e lehtë. E pyes Indritin se si lindi “La Rosa negra”: - “La Rosa Negra” nisi si ide imja korrikun e 2015, pas një festivali të kërcimit latin në Greqi. Emrin e mësova gjatë këtij udhëtimi dhe padashur të kopjoja, e lidha me diçka timen. I thashë vetes, Ok. “La rosa Negra”, një emër i bukur.

Dhe e zgjodhe menjëherë këtë emër?- ngulmoj ta pyes.

“Po. E para nga nëna ime që gjithmonë më ka thënë se femra është si një trëndafil. E dyta nga një miku im që thotë se Afrika e mësoi botën të këndojë dhe kërcejë. Pra, “Rosa” për femrën me gjithë kompleksitetin e joshjes dhe bukurisë dhe “Negra” për shkak se kërcimi dhe muzika më e mirë vjen nga njerëzit me ngjyrë. Sot, pas 18 muajsh, jam i lumtur për rezultatet e një ëndrre dhe pune të lodhshme, por që më ka dhënë kënaqësi të jashtëzakonshme!”

Ndërkohë që flasim, Indriti është me kursantët e dancit latin, të cilët e presin. E pyes se a e ka ndërmarrë këtë nismë për fitime ekonomike. “Po ju tregoj një detaj. Në bisedë me Esteban Isnardin, një ish-kampion bote në dacin latin, më tregoi se në të gjithë botën, klubet e famshme latinë, janë në qendër të qyteteve dhe janë të famshëm. Por edhe atje është e vështirë të mbijetojnë. Kjo sepse ndjekësit e latines nuk janë konsumatorë të mëdhenj alkooli. Ata dehen nga pasioni dhe kërcimi, me humor po ta them këtë. Por kjo bën që lokalet e latines të kenë fitime shumë më të ulëta. Unë për pasionin tim, kam lënë çdo aktivitet tjetër dhe jam 16 orë në ditë në dispozicion të kësaj. E kjo e gjitha për të ardhura sa një rrogë e mirë në shtet. Asgjë më shumë. Është vetëm pasioni.”

Bëhem kureshtare se ku qëndron diferenca mes kurseve të kërcimit latin dhe ndërtimit të një komuniteti me të pasionuar siç është “La Rosa Negra”.

“Tek idetë është ndryshimi. Tek organizimi i mbrëmjeve me tematikë. Tek të ftuarit e huaj me zë në kërcim latin, në mbarë botën. Tek promovimi përmes rrjeteve sociale. Tek zgjedhja e një muzike të mirë, më të mirës në treg. Në 11 vitet e para të kurseve të kërcimit latin vetëm një kërcimtar i njohur i huaj kishte vizituar Shqipërinë. Në dy vite mes nesh kanë ardhur 4. Ata janë shumë të nevojshëm, sepse përmes workshop-eve të tyre, sjellin një përvojë të madhe dhe ja ku bëhet ndryshimi. Nuk ka më amatorizëm por afrohesh drejt perfeksionimit.”

Zbulimi im në këtë vëzhgim mbi pasionin latin të Tiranës së natës, ishte se pas fshihet një punë e madhe, 7 ditë për dy net në javë, por dy net që jua siguroj, do ju rikthejnë romantikën e jetës dhe parfumin e harruar të kënaqësisë. “Trëndafili i zi” po e “skuq Tiranën e futur në vorbullën e vrapit për sukses e para, e po e vesh me një pasion të pastër dhe intrigues, atë të një latin-lover-i.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: