Tru në fotokopje

Tru në fotokopje
Nga Juela Meçani

 

Kushdo që ka fëmijën në shkollën 9-vjeçare, e kam fjalën në atë publike, në atë falas, do të më kuptojë. Në klasat tona ka rënë epidemia e fotokopjeve, e printimeve, e projekteve ku minimumi çdo javë duhet të “prodhosh” 10 faqe, por ka edhe projekte me nga 70 faqe, siç i ngjau vajzës së mikeshës time që ndjek klasën e pestë. Vetëm klasën e pestë, kujdes, jo në maturë dhe as në shkollë të mesme.

Jemi vënë të gjithë në ethe për projekte të cilat, jo vetëm po lodhin trurin e fëmijëve, por janë kthyer në problem familjar, për stresin e për buxhetin, pasi ajo që nuk mendohet nga këto stafe mësimdhënëse në arsim, mesa duket qartë, është kostoja në para e përjavshme që prindërit duhet të përballojnë për fotokopje, orë në internet, punime në Excel, gati-gati në të gjitha lëndët.

Në fakt, për aq taksa sa paguajmë, a mos duhet vallë që shkolla të ketë një laborator, me kompjuterë dhe fotokopje ku fëmijët të realizojnë punimet? A jemi në një sistem modern shkollor, ndërkohë që po bëjnë kërdinë internetet nëpër lagje nga fotokopjet e fëmijëve tanë?

E më e rëndësishmja nga të gjitha, a kanë mundësinë ekonomike të gjithë që të shpenzojnë kaq shumë çdo javë, për copa letre që janë thjesht fotokopje e jo një prodhim i inteligjencës dhe trurit të fëmijëve? Nuk bindem dot të besoj se disa copa letre të mbledhura bashkë nëpër internet, tregojnë nivelin e nxënies. Nuk bindem dot që familje të varfra, me pensione, ose pagesë  varfërie ose KEMP, nëna të vetme që rrisin fëmijë, familje në fshat ku duhet të ecësh shumë deri tek pika e internetit më e afërt, të jenë të detyruara të shpenzojnë 6000 lekë të vjetra e deri në 10 mijë lekë të vjetra çdo javë për letra bakalli, ndërkohë që kanë të tjera prioritete.

Të gjitha këto mendoja mbrëmë, teksa ndihmoja time bijë që ishte në ankth të madh, sepse i duhet të kishte gati jo pak, por plot 4 materiale të këtij lloji. Abuzova me postin e shfrytëzova punën, sepse nuk kisha as kohën fizike të shoqëroja fëmijën në një internet kafe, për dy orë. Të vetme nuk mund ta lija, sepse aty është një mjedis jo i zgjedhur, ku mund të qëndrojë kushdo.

Fëmijët kanë nevojë të lexojnë shtruar, të heqin sytë nga kompjuteri, TV ose celulari, kanë nevojë të bisedojnë, të dialogojnë, të takojnë njerëz të mençur. Ata, mendoj unë, por edhe shumë nëna të tjera, kanë nevojë për dije reale e jo për tru në fotokopje.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: