Vetting, edhe në teatër!

Vetting, edhe në teatër!
Nga Ilda Lumani

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Me siguri, muaj më parë, kur nisi edhe reforma në drejtësi, pak kush (ndoshta njerëz të fushës) ose askush, nuk e kishte dëgjuar fjalën Vetting. Madje, teksa artikulohej nga ambasadorët ndërkombëtarë në Tiranë, apo edhe drejtuesit e Komisionit të Reformës për Drejtësi, shumica e politikanëve nuk kishin as më të voglën ide se çfarë nënkuptohej me Vetting.

Ata, politikanët ngjanin memecë, kur një emision investigativ në vend, mori përsipër të gjente kuptimin e kësaj fjale. Përpara mikrofonit të gazetares, në oborrin e Parlamentit Shqiptar, deputetët u bënë qesharakë (si jorrallëherë në fakt!), në përgjigjet e tyre për kuptimin e fjalës Vetting.

Ndërkaq, më të diturit e fushës, zunë faqet e para të shtypit, pikërisht duke shpjeguar fjalën Vetting. "Ç’është vettingu? Më pyesin shumë miq, - pyeste në një publikimim mediatik, Spartak Ngjela. Dhe vijonte. “Këta birbo politikanë nuk e përkthejnë, se duan ta kenë abstraksion, që shqiptarët ta marrin si një gogol antikombëtar. Por termi “vetting”, vjen nga folja e gjuhës angleze “vetë”, që do të thotë ekzaminim i sëmundjeve te njerëzit dhe kafshët... Domethënë, në rastin shoqëror e shtetëror, vettingu është kontrolli i imtësishëm i atij që do të merret me punë publike. Në rastin tonë, është kontrolli i pastërtisë së figurës të gjyqtarëve dhe prokurorëve", - ka shpjeguar Ngjela.

E teksa vettingu u shpjegua, kemi muaj me radhë që jetojmë, zgjohemi e flemë me të. Teksa reforma për drejtësi së bashku me vetting-un, zvarritet e zvarritet, ne na është bërë vettingu pjesë e të përditshmes sonë. Kjo, edhe për faktin, se ne shqiptarët jetojmë kaq shumë me politikën dhe zhvillimet e saj, sa asnjë popull tjetër. Ne ndjekim me fanatizëm zhvillimet e çdo të enjteje në parlament, sepse në shtëpitë tona ndizet televizori njëherësh me vendosjen e çelësit në derë. Ne hyjmë në shtëpi dhe menjëherë, ndezim televizorin tek kanalet informativë. Sa çuditshëm na tingëllojnë ata holandezët, ku bashkëjetojnë aq qetë me realitetin e tyre!

Në shtëpitë e tyre pa perde, teksa kalon në zonën e nxehtë të Dritave të Kuqe, ata krejt indiferentë lexojnë libra. Dhe ti sheh dy realitete, “bukuroshet seksi” në dritare dhe ngjitur tyre, njerëzit e thjeshtë që punojnë në kompjuter, hanë dhe veprojnë brenda shtëpisë së tyre, por pa televizor ndezur. Në fakt, bota brenda shtëpisë së çdo njeriu, duhet të jetë vetëm e tij dhe e familjes së tij, por me ne ndodh krejt ndryshe!

Qëkurse çështja e vetting ka zënë fill, diskutimet në familjet shqiptare, debatet e ashpra, që ja kanë tejkaluar edhe toneve të Opinionit të Fevziut, janë bërë prezentë në kafene e shtëpi.

E, ndërsa këtyre mjediseve nuk mund tu shpëtosh, një arratisje e vogël, të paktën për 2-3 orë mund të jetë teatri. Premiera e re e “Equus”, thirrja e duhur. Si magnet ajo ka thithur një audiencë të madhe. Kjo sa për pjesëmarrjen e Mjeshtrit të Madh, Timo Flloko, aq edhe për lakuriqësinë e njërit prej personazheve që interpretohet nga Igli Zarka, i cili nxjerr zbuluar gjithçka që i ka falur Zoti/natyra, ashtu sikurse nëna e ka bërë. Drama është e fortë dhe të përfshin të tërin. Është tronditëse! Ngjarja është traumatike. Regjisori Dino Mustafic, ka vënë në skenë një shfaqje krejt ndryshe, që të përfshin, teksa e sheh e të vë në mendime kur ndahesh prej saj.

Por ja, si rrufe në qiell të hapur, aty ia pëlcet Vetting-u. Në një monolog të sajin, personazhi gjykatëse që interpretohet nga aktorja Luli Bitri, bën thirrje për Vetting. Ajo karrieristja, që ka hequr dorë nga familja, që nuk ka arritur të ketë shtëpi, vila dhe të kalojë fundjavat në udhëtime me avion si kolegët e saj, kërkon Vetting! (Monologu i saj është në bashkëveprim edhe me monologun e një biznesmeni (Lulzim Zeqja) që shteti i merr frymën, apo një infermierie që nuk merr 2-mijëlekësha si shoqet e saj, që ka zgjedhur të mos martohet e të ketë fëmijë se nuk mund ta rrisë në këtë vend)! Gongu i Vetting-it ra dhe në teatër.

Me padurim pres të mbaroj kjo pjesë. Më trishton që e takova dhe aty Vetting-un i cili, sigurisht, është një aneks krejt i panevojshëm dhe do të shqetësonte jo pak autorin Peter Shaffer, i cili nuk jeton më për të parë a dëgjuar këtë masakrim që i bëri Vetting-u veprës së tij! Pasi, skena gati 5 minuta mbaron, me zor rifutem në rrjedhën e ngjarjes. Vetting-u më rri si çekan në kokë! Po këtu ç'dreqin donte?!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: