Xhani Shqerra: Mund të quhem një çun mami modern

Xhani Shqerra: Mund të quhem një çun mami modern
I njohur në media si personazh i këngës, kërcimit, modelingut dhe moderatorit televiziv, Xhani Shqerra në këtë intervistë për Albanian Free press, flet për përvojat e deritanishme në fushat e mësipërme.

 

Intervistoi për Albanian Free Press Juela Meçani

 

AFP: Këngë, kërcim, modelin, modelim emisionesh televizive, kush nga këto role ju pëlqen më shumë?

Janë përvoja të cilat kanë ardhur ndër vite dhe sigurisht ajo çka i bashkon është dëshira për t’u shprehur, për të dhënë diçka nga vetja, për të emocionuar dhe për të marrë emocione, por edhe për të reflektuar. Admiroj sidomos komunikimin dhe jam i bindur se ky është çelësi i të jetuarit bukur!

AFP: Je nga Elbasani. Cila nga virtytet apo aftësitë që zotëron vjen nga ky qytet?

 

Padyshim butësia dhe dëshira për te mbushur ditën me ngjyra... njësoj si bahçet tona!

AFP: Vjen nga një familje me shumë degë në Elbasan e disa qytete të tjera. Ka bërë përpjekje politika t’u afrojë?

 

Familja ime e madhe ka qenë e përfshirë në politikë apo administratë nga koha e Mbretit Zog dhe pas '92-it dhe, si për ironi të fatit duket sikur rastësitë po më çojnë të ndjek gjurmët e të parëve. Ka pasur disa flirtime, por që presin të piqen e të shndërrohen në një marrëdhënie e cila do me japë mundësi të jem në një angazhim konkret, në veprim!

AFP: Jeton me nënën, por ndërkohë je dhe shumë i pavarur. Si ke arritur mos jesh një çun mami siç edhe ndodh?

Haha! Mund të quhem një çun mami modern! Përtej shakave. Në perceptimin tim të familjes së shëndoshë, prania e nënës është sa natyrale aq edhe e domosdoshme. Në rastin tim edhe më e forcuar për shkak të mungesës së prezencës së tim ati pasi fati desh ta ndante nga ne shumë herët. Por nga ana tjetër fati më ka buzëqeshur pasi më ka falë një nënë, e cila më ka edukuar me liri. Kam mësuar kështu të guxoj, të ëndërroj, të veproj e të gaboj... më pas të mësoj e të vlerësoj. Ndaj të jetuarit me nënën, të përkujdesurit, është vlera më e bukur e pavarësisë!

AFP: Si vishen shqiptarët sipas mendimit tënd?

 

Ne shqiptarët e duam të bukurën dhe kemi talent të lindur të bërit tonën më të mirën e të përqafojmë stilin oksidental mirëpo nga etja e madhe për të shuar deficitet e një 50-vjeçari të zymtë, harrojmë të krijojmë një stil tonin, në përputhje me bon tonin apo kodin e veshjes në tërësi.

AFP: Drejtoni edhe një biznes me veshje dhe orendi shtëpiake. A ka sot një shije të kultivuar në metropol?

Mund të them me plot bindje se ka një progres, shtyrë edhe nga prezenca e multinacionaleve të veshjeve të pranishme tashmë edhe në vendin tonë.

AFP: Moderoni një emision televiziv, njoh zonja që “gozhdohen” para TV t’ju ndjekin. Si ndiheni?

Padyshim është privilegj për mua dhe në të njëjtën kohë përgjegjësi e madhe. Kam zgjedhur të jem pjesë e një formati që më përfaqëson më së miri dhe kur bën punën tënde me pasion dhe mbi të gjitha me vërtetësi është shumë me e thjeshtë të jesh i zgjedhuri i telekomandës së shumë zonjave dhe jo vetëm!

AFP: Keni ndonjë ëndërr në sirtar?

 

Më shumë se ëndrra do t’i quaja objektiva të cilat kanë të bëjnë me artin e të jetuarit. Në të ardhmen e shoh veten në shërbimin publik, përtej ekranit.

AFP: A jeni duke dalë me një këngë të re?

 

Me këngën kam një marrëdhënie më intime ndaj janë edhe të rralla. Më pëlqen të jem sa më i vërtetë ne mesazhin apo emocionin që një këngë duhet të përcjellë dhe këtë publiku e vlerëson.

AFP: Si do ishte partnerja jote ideale?

 

E bukur në shpirt, solare, e vendosur!

AFP: Po e kërkon apo po e pret të të gjejë?

 

Të vërtetën? Pres të takohemi diku, në një ditë me diell, ashtu rastësisht... Kërkoj shumë? (qesh)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: