Zyrtarizohet rritja e re e pagave për buxhetorët, mesatarisht 10%

Zyrtarizohet rritja e re e pagave për buxhetorët, mesatarisht 10%
Nëse jeni një punonjës i administratës publike, i sektorit shëndetësor, por edhe atij arsimor në vend, tani e tutje paga juaj do të rritet me një nivel mesatar prej 10%. Një akt ky tashmë i zyrtarizuar përmes vendimit të posaçëm miratuar dje nga qeveria, efektet e të cilit kanë nisur të përllogariten që nga data 1 Mars 2017.

Konkretisht, sipas tij, parashikohet që duke filluar nga kjo datë, rreth 21 mijë punonjës të administratës publike do të përfitojnë rritje page prej 10%, me një kosto financiare e cila për tërë vitin do arrijë në shifrën e 1 miliardë lekëve.

Këtu futen nëpunësit civilë, zv/ministrat, aparatet e ministrive të linjës, administrata e Presidentit, e Kuvendit, e KQZ-së, e Gjykatës së Lartë, Prokurorisë; gjithashtu edhe e disa institucioneve të pavarura, por edhe që ndodhen në varësi të Kryeministrit, ministrave të linjës, apo të Prefektit.

Pasuar në të njëjtën kohë edhe nga ky nivel rritje për gjithë punonjësit në arsimin parauniversitar. Respektivisht: paga bazë e mësuesit në shkollat e mesme rritet me 3850 lekë/muaj, teksa paga bruto i shkon 68.150 lekë/muaj; paga bazë e mësuesit në ciklin e lartë në shkollat 9-vjeçare rritet me 3.550 lekë/muaj, teksa paga bruto i shkon 64.650 lekë/muaj; paga bazë e mësuesit në ciklin e ulët në shkollat 9-vjeçare rritet me 3.350 lekë/muaj dhe paga bruto i shkon 62.450 lekë/muaj. Në total, nga një vendim i tillë përfitojnë 31.370 punonjës të sistemit arsimor, me një efekt vjetor prej 1.3 miliardë lekësh në buxhetin e shtetit.

Por në të njëjtën kohë, paga në këtë sistem shoqërohet edhe me rritjen e atyre të sistemit të lartë, deri në 10-12%. Rritje nga e cila bëhet me dije se përfitojnë rreth 3500 profesorë dhe punonjës akademikë, të cilëve iu rritet paga pas një periudhe të gjatë, me një fond prej 45 milionë lekësh në vit.

Në fund, ky vendim i qeverisë nuk mund të kuptohej as pa rritjen e pagave për 18 mijë punonjës të sistemit shëndetësor, të cilët përfitojnë gjithashtu një rritje në nivelin prej 10%, duke i kushtuar arkës së buxhetit të shtetit plot 1.3 miliardë lekë në 12 muaj.

Sikundër, qeveria nuk ka harruar të përfshijë brenda tij edhe rritjen me nivelin prej10% të pagës për të gjitha gradat diplomatike. Në total, numri i përfituesve nga ky vendim është rreth 400 punonjës te ambasadave, me një efekt financiar prej 70 milionë lekësh përgjatë vitit. Pasuar në të njëjtën kohë edhe me një rritje prej 7% të pagës ekzistuese për të gjithë punonjësit e njësive vendore.

 

Vendorët rritje deri në 7%, ja si do t’u ndryshojnë pagat zyrtarëve

Sa u përket niveleve të pagave, për funksionarët e njësive të qeverisjes vendore parashikohet në total një rritje deri në nivelin prej 7%. Konkretisht, sipas këtij vendimi për njësitë me 200 001-400 000 dhe mbi 400.000 banorë, paga e një kryetari vërtitet nga 130.000 deri në162.750 lekë, kurse e nënkryetarit 100.000 deri në 138.000 lekë. Kurse për njësitë e me 100.001 deri 200.000 banorë, rroga e kryetarit vërtitet nga 110.000 në 150 000 lekë, kurse e nënkryetarit nga 70.000 në 125.725 lekë. Pasuar më tej me njësitë vendore që përfshijnë më pak banorë, si përshembull ai me nivelin më të ulët që përfshin deri 20.000 banorë, kryetari i së cilës do paguhet me një nivel page nga 45.000 deri në 86.100 lekë etj.

 

Pagat e infermierëve, si do ndryshojë pas rritjes

Sot një infermier që punon në spitale apo poliklinika ka një rrogë prej 39.786 lekë, duke hequr këtu përfitimet e vjetërsisë në punë. Dhe me shtesat dhe rritjet e pagave që do të nisin nga 1 marsi 2017, një infermier në sektorin publik do të ketë një pagë mesatare prej 45. 561 lekë në muaj. Ndërkohë që shtesa më e madhe do të shkojë për sanitaret që sot kanë një pagë prej 27.300 lekë, të cilat pas rritjes së re të pagave do të kenë një page mesatare prej 36 800 lekësh në muaj.

Mjekët, përfitojnë dhe nga pagesat e rojes

Një mjek i cili ofron shërbim shëndetësor në spitalet universitare do të paguhet me pagë mbi 100 mijë lekë, ndërsa ai në spitalet rajonale do të paguhet 93. 400 lekë. Nga ana tjetër do të nisë të aplikohet edhe dyfishimi i pagesës së rojes që bëjnë mjeket në spitale sot. Dhe teksa paga e një mjeku sot është 54 mijë lekë, me rritjen prej 10% që do pësojnë pagat e të gjithë mjekëve ajo shkon te 59.400 lekë. Ndërkohë që dyfishimi i pagesës së rojes shkon në 34 mijë lekë në muaj për çdo mjek.

Sa do të shpërblehen policët nëse dëmtohen

Një punonjësi të Policisë së Shtetit, në rast se i dëmtohet rëndë prona për shkak të detyrës, ai përfiton ndihmë të menjëhershme financiare në masën 100% të vlerës së pronës së dëmtuar, por jo më shumë se 1 milionë lekë. Ky është vendimi i miratuar dje, i cili saktëson gjithashtu se për të përfituar ndihmë, polici duhet të ketë titull pronësie, bashkëpronësie të pronës së dëmtuar, apo të provojë që këtë pronë e ka në proces legalizimi. Duke shtuar se do ngrihet dhe një komision për verifikimin e dëmit.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: