1997, kur erdhën dy herë luftanijet e huaja në Durrës

1997, kur erdhën dy herë luftanijet e huaja në Durrës
Natën ndërmjet 14 dhe 15 marsit, anijet ushtarake tërhoqën mes plumbave gjithë shtetasit e huaj që kishin “ngecur” në portin më të madh të vendit. Për herë të dytë erdhën të organizuar me misionin ndërkombëtar “Alba”. Dëshmitë e ish-kapitenit të Përgjithshëm të Porteve, Osman Metalla dhe gazetarëve

Alket Aliu

Kanë kaluar 20 vjet nga “viti i mbrapshtë” 1997. Shteti ra, i shoqëruar me një anarki ku armët morën mijëra jetë njerëzish.

Një nga episodet që ka treguar në intervistën për “Albanian Free Press” ish-Kapiteni i përgjithshëm i Porteve, Osman Metalla, është përpjekja për të shpëtuar shtetasit e huaj që kishin ngelur në portin e Durrësit në 14 mars, ndërsa gjithë anijet, duke përfshirë edhe tragetet, ishin nxjerrë në radë për të evituar situata të eksodeve masive.

Kapiteni Metalla tregon se atë pasdite vonë është kontaktuar nga ambasada amerikane për të ndihmuar shtetasit e huaj nga “plumbat qorrë”, por ai u detyrua të kthehej për të evituar një situatë pengmarrjeje.

Po çfarë ndodhi realisht atë natë në port dhe si shpëtuan të huajt që kishin “ngecur” në sheshin e trageteve?

13 marsi mes plumbave

Mbrëmjen ndërmjet 13 dhe 14 marsit të vitit 1997, autori i këtyre radhëve ndodhej në portin e Durrësit, së bashku me shumë njerëz të tjerë që donin të shpëtonin nga situata e anarkisë. Rrëzë një muri ishin edhe dhjetëra shtetas të huaj, që prisnin t’i merrnin nga minuta në minuta. Shumë të tjerë, që kishin humbur shpresat për imbarkim gjatë natës, ishin strehuar në disa hotele të qytetit, sa më pranë portit, por edhe në familje durrsake me të cilat kishin miqësi.

Qindra njerëz pritën gjatë natës që të vinte një anije. Ishim të sigurt se do të vinin, përderisa në port kishte ende shtetas të huaj.

Në sheshin e terminalit të pasagjerëve kishte edhe dy grupe të rinjsh të armatosur. Të parët kishin ardhur nga Fushë-Kruja, të dytët nga Laçi. Megjithëse të armatosur, mundoheshin të ishin të përmbajtur dhe nuk përziheshin as me shqiptarët hallexhinj, as me të huajt e tulatur.

Rreth orës 03.00 të mëngjesit, nuk dihet se si ushtarë italianë të regjimentit “San Marco” kishin dalë në bankinën e portit në formacion luftimi, duke krijuar një perimetër sigurie prej rreth 30 metrash nga pika ku kishte akostuar mjeti i zbarkimit.

Anija ishte afruar pa zhurmë dhe me drita të fikura në natën pa hënë.

Ata filluan të imbarkonin shtetasit e huaj që ndodheshin në bankinën e terminalit, të cilët hynin njëri pas tjetrit në anije me pasaportat që i mbanin sipër kokës. Ushtarët nuk lejonin asnjë shqiptar të imbarkohej.

Kjo situatë bëri që qindra njerëz që kishin kaluar natën me shpresë, të acaroheshin. Njëri prej personave të armatosur lëshoi një breshëri kallashnikovi në ajër. Kaq u desh që ushtarët italianë të hapnin zjarr në ajër. Në fillim lart e më pas në gjysmë lartësie. Njerëzit që ndodheshin në shesh ja mbathën nga sytë këmbët, duke përfshirë edhe “trimat” që kishin qëlluar me kallash.

Mjeti i zbarkimit u largua pasi kishte marrë gjithë të huajt. Në orët e para të mëngjesit, mbërritën luftanije të tjera, të cilat morën edhe të huaj të tjerë që gjatë natës ishin strehuar në qytet. Bashkë me ta u larguan edhe shumë shqiptarë, por një muaj më vonë ata u sollën me avionë në Rinas.

Misioni “Alba”

Gazetari Thanas Mustaqi e kujton kështu mëngjesin e 15 prillit, kur luftanijet e huaja mbërritën në Durrës”

“Në 7.00 të mëngjesit, nën një qiell gri dhe erë të ftohtë, erdhi “Alba”. Rreth orës 8.00, punëtori i portit detar, Ardian Ibrahimi, u nxjerr nga një kafe mirëseardhjeje 5 ushtarëve francezë të patrullës. Rreth orës 12.00 u larguan retë dhe dielli ndriçoi qytetin. Ardiani shprehet optimist për operacionin “Alba” – agimi, pasi shpreson në rivendosjen e normalitetit dhe dëshiron t’u shprehë të huajve mikpritjen dhe dinjitetin e shqiptarëve.

Ish-kryetari i bashkisë së qytetit të Durrësit, z. Arqile Gorea, jo vetëm erdhi t’i urojë në anije forcat zbarkuese, por disa ditë përpara, mobilizoi ndërmarrjen e shërbimeve komunale për lyerjen e pemëve me gëlqere, mbjelljen e luleve para bashkisë, fshirjen dhe larjen me ujë të bulevardit dhe të portit detar, duke u shprehur se Durrësi ka kulturë dhe dinjitet si të gjithë shqiptarët”.

Arqile Goreja është një ndër njerëzit e parë që ka pritur ushtarët e huaj në portin e qytetit. Ai dëshiron të flasë gjatë për atë periudhë anarkie, por kujton një detaj:

“Ushtarët e parë të huaj, zbarkuan në formacion luftimi, duke u shtrirë barkas mbi pankinë. Një nga oficerët e anijes u drejtua nga ne. I thashë të ngrente ushtarët në këmbë, se nuk kishte kush t’i qëllonte, ndërsa ai më tha se kishin ardhur të na ndihmonin si miq dhe jo si pushtues”.

Rreziku i përplasjes së helikopterëve

“Brenda tre orësh, dy anije zbritën në portin e Durrësit rreth 1000 ushtarë francezë dhe italianë, kujton Thanas Mustaqi. Rrëzë ndërtesës së drejtorisë së portit, të djegur më 13 mars 1997, u vendosën pajisjet satelitore të ndërlidhjes, ku gazetarët e huaj transmentonin drejtpërsëdrejti zbarkimin, fillimisht, të 400 trupave franceze nga anija “Orage”, të pajisura me artileri vetëlëvizëse, 100 makina, 6 tanke dhe 2 helikopterë. Këta të fundit u ngritën menjëherë në qiell dhe njëri, për shkak të erës së fortë, gati sa nuk u përplas me tragetin e trupave italiane “San Marco”, që po bënte manovrat e pilotimit në akuatorium”.

Turqit dhe grekët mbërrijnë njëkohësisht

Zbarkimi i ushtarëve dhe mjeteve nga luftanijet e huaja vazhdoi edhe pas datës 15 prill.

Më 24 prill 1997, anije ushtarake transportuese-zbarkuese janë futur në akuatoriumin e portit të Durrësit, duke qëndruar në vijë ajrore, diagonal, 300 metra larg njëra-tjetrës. Me dy anijet “Ertugrul” dhe “Karamursey Bey” mbërritën 250 ushtarë turq dhe 50 mjete (makina, autoblinda dhe tanke). 300 metra larg turqve, në një diagonale të kaltër të akuatoriumit, pingul me perëndimin e portit, në kalatën 8 të mallrave, 15 minuta me vonë u bregëzua anija ushtrake transportuese-zbarkuese greke “Samos”, që për një orë desantoi 400 trupa dhe 90 mjete, sidomos luftarake.

Kështu filloi historia e fundit të një marrëzie shqiptare, kur ushtritë e huaja erdhën të na mbronin nga vetvetja.

 

“Krishti u ngjall” në shtetrrethim

Vetëm pak ditë pas zbarkimit të 15 prillit, në Durrësin që ende ishte në gjendje shtetrrethimi, festoheshin Pashkët Ortodokse. Gazetari Thanas Mustaqi e kujton kështu natën para Pashkëve dhe ditën e festës:

Rreth 2 mijë besimtarë ortodoksë kanë dëgjuar mesazhin e pajtimit të Fortlumturisë së Tij, Anastas, nën zhurmën e një fuoristrade të xhandarmarisë franceze me artileri vetëlëvizëse, që vigjëlonte Durrësin mes vilës mbretërore dhe kishës së Shën Gjergjit. “Krishti u ngjall” në Shqipëri në shtetrrethim.

Natën para Pashkëve ortodokse, kanë shpërthyer në qytetin bregdetar lëndë plasëse dhe janë dëgjuar breshëri automatiku. Kjo ka ngjallur shqetësim në kontigjentin francez të operacionit shumëkombësh “Alba”. Një postë-rojë franceze ndodhej në kodrën dominuese të qytetit, mes një gjelbërmi të dendur, ku pika më e lartë është pallati mbretëror që i ka dhënë dhe toponimin si Kodra e Vilës.

Turmën e grumbulluar në periferi të kishës së Shën Gjergjit, pranë Vilës, e çau dhe një fouristradë me AVL e xhandarmërisë franceze, e cila ka menduar për ndonjë grumbullim të paligjshëm, pasi për francezët, si katolikë që janë, Pashkët kanë qenë një muaj më parë.

Një gadishmëri luftarake e pazakontë vërehej në port. Tre autoblinda, me pozicion me zjarr të kryqëzuar, ishin vendosur në magazinën përballë drejtorisë së portit dhe në këtë të fundit të rrethuar nga ana veriore dhe jugore. Tre ushtarë, të zbritur nga autoblinda, kishin zënë pozicione zjarri: dy në këmbë në drejtim të hyrjes në port dhe të kapitenerisë dhe një në pozicion në gjunjë, sikur priste të bënte qitje kundër objektivave të ndonjë poligoni.

 

“QEVERIA GLOBALE”

Këshilli i Sigurimit, dy mbledhjet për Shqipërinë

Më 28 mars 1997, për shkak të shqetësimit lidhur me situatën në Shqipëri, u miratua Rezoluta nr. 1101 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një forcë sigurie shumëkombëshe, e cila do të krijonte kushtet për ndihmë humanitare. U në dukje se situata në Shqipëri kishte degjeneruar pas falimentimit të skemave piramidale dhe OSBE-ja dhe BE-ja po mundoheshin të gjenin një zgjidhje paqësore për krizën. Gjithashtu shprehej shqetësimi se kriza në Shqipëri, mund të përhapej edhe në vendet fqinje, në trojet etnike shqiptare.

Më 19 qershor 1997, u miratua Rezoluta nr. 1114. U vendos të zgjatej qëndrimi i forcave ndërkombëtare në vend me 45 ditë. U vlerësua mënyra e paanshme me të cilën kishte vepruar forca shumëkombëshe dhe bashkëpunimi i saj me autoritetet shqiptare. U theksua se dhuna ende vazhdonte dhe, për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, duhej një zgjatje e qëndrimit të forcave ndërkombëtare.

Më 11 gusht 1997, forcat ndërkombëtare u larguan nga vendi.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: