A ka politika bazë morale ?

A ka politika bazë morale ?
 

(pyeti një shqiptar i përgjumur)

 

nga Meri Dishnica

 

A ka politika bazë morale ? Kështu pyeti një shqiptar i përgjumur.

Kuadri është i thjeshtë, një dukje e qartë, shumë kompleksitet e sërish asnjë di­lemë. Sepse është fakt, na kanë ngecur në derë, janë aty para nesh, një grup politikanësh. Për mirë apo për keq,  na përfaqësojnë! I kemi zgjedhur! Vijnë nga ne, prej nesh. Ne, ajo racë shqiptarësh, ai brumë i njëjtë,  i cili, siç edhe historia e ka treguar, nuk “qullos” gjë. Përveçse disa çorba bajate, në kohë të ndryshme dhe me ingredient të ndryshëm. Të brumosur kështu, ata derdhen në të njëjtat enë, në ato tavolina, në ato pasazhe, nën atë lloj politike,  pa ndryshuar asgjë.  Shtohen vetëm ingredientë në paketime të ndryshme, më moderne (gjoja).Por në thelb është thuajse e njëjta supë e ftohtë dhe bajate, si një supë e gatshme supermarketi.   Ne, kombi i uritur, veshur me apatinë që na karakterizon, e përpijmë,  pafolur, pa gjykuar, pa analizuar çfarë ka brenda… (ndonjëherë hamë edhe me lugë bosh)

“Haje supën, të bën mirë”… më kujtohet gjyshja kur më ushqente me pahir dhe unë mbyllja sytë dhe e kapërceja për respekt të gjyshes. Po tani vallë… pse dreqin duhet ta hamë…pse duhet të “hamë” gjithë fare lloj çorbash që na serviren… Për respekt të kujt?!

Nuk duhet asnjë përpjekje për tu thelluar, thjesht haje një supe bajate, duke besuar se çelësi i suksesit është “të përshtatesh” në varësi të rrethanave, interesave dhe çastit (duke u  lutur që të jetë konvenient). Demokracia nuk ka qenë kurrë më e brishtë se kaq, e kërcënuar për vërtetësinë e saj, edhe pse ka “çelur” dendur në një tokë pjellore kompromisesh…

Ka gjasa të thonë se u përdor arsyeja, se u morr vendimi i duhur, se vetëm ndjekin hapat, ecin përgjatë reformave, me formula të gatshme në dorëdhe me besim empirik, por në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veç i largohen gjykimit objektiv. Ka gjasa të thonë se u përdorën të gjitha format e bindjes, dhe se u luajt me dhe pa rregulla. U vendosën objektiva afatgjatë në rrugë qorre.  Ka gjasa të thonë se preferojnë fleksibilitetin, duke mbyllur sytë në shumë parime dhe vlera. Ndjekja e një linje të caktuar politike manipulohet nga tendencat e kohës, pa e vrarë shumë mendjen për moralin që po thyen, drejtimin që po ndryshon, vendin ku po shkel. Kush tha se ne jemi të lirë nën drejtimin e tyre? Po fundja, kush tha se  meritojmë lirinë që duam, nëse apatia na është bërë ves dhe vigjilenca ka fikur llambat me kohë…

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: