Andi Lila drejt Azerbajxhanit, “largimi nga Greqia nuk lidhet me videon”

Andi Lila drejt Azerbajxhanit, “largimi nga Greqia nuk lidhet me videon”
Andi Lila konfirmon se në përfundim të sezonit do të largohet nga Pas Janina, për të firmosur kontratën e fundit të rëndësishme në karrierë.

“Duke parë që jam në fund të kontratës në Janinë pas 5 vitesh e gjysmë atje, kam menduar që të lëviz në një kampionat tjetër. Shpresoj që diçka të bëhet në ditët në vazhdim. Pretendoj për një kontratë 3 vjeçare duke parë edhe moshën time.”

Largimi nga Greqia nuk lidhet me videon që shkaktoi polemika. Përkundrazi, mbrojtësi kuqezi tregon se pas ndjesës ka marrë mbështetjen e të gjithëve. Andi Lila jep edhe arsyet e largimit, pas një skandali që pati me një video.

“Arsyeja e largimit tim nuk është video. Unë kërkova një falje të sinqertë, sepse nuk flija i qetë, duke ndjerë një keqardhje, si të them një turp. Kryeprifti Maksimus tha që shumë njerëz mund të bëjnë batuta të tilla me fetë, por nuk vijnë kurrë të pendohen. Andi u pendua tha ai, dhe shyqyr që e kemi mes nesh. Opinioni u kthye për mirë, por edhe presidenti, trajneri dhe shokët e skuadrës ishin në krahun tim, pasi mund ti ndodhë gjithsesicilit.”

Lila i ka të qarta idetë për të ardhmen. Nga kontrata e re që pret të firmosë dhe deri te Tirana, skuadra me të cilën dëshiron të mbyllë karrierën.

“Një kontratë 3 vjeçare do të kishte qenë perfekt dhe një vit me Tiranën në Shqipëri. Do të kisha qenë shumë i lumtur. Pas shumë viteve e ndoqa Tiranën në stadium përkrah presidentit Halili dhe kisha shumë emocione. Dolëm kampionë në 2009-ën, por ajo skuadër me këtë të sotmen ndryshojnë shumë. Lojtarët e tanishëm janë të rinj në moshë dhe pas 2-3 viteve do të bëjnë spektakël dhe do të fitojnë trofe.

Sakaq, 31-vjeçari analizoi edhe garën për titull në Kategorinë Superiore, duke dhënë vlerësimet për skuadrat pretendente.

“Kukësi ka një skuadër shumë serioze. Është një nder skuadrat në Europë që nuk ka humbur asnjë ndeshje dhe kjo është madhështore. Nuk diskutohet që i ka të gjitha shanset të dalë kampion, por ka marrë shumë barazime. Nuk më pëlqen mënyra e lojës së Partizanit që shënon një gol dhe pastaj e vendos autobusin te porta. Një skuadër me aq shumë talente dhe kualitete do të më pëlqente të dhuronte spektakël. Unë shoh Skënderbeun sërish të fort në garën për titullin. Skënderbeu ka skuadër të jashtëzakonshme dhe luan futbollin më të bukur. Mendoj që gara mes Kukësit dhe Skënderbeut do të jetë shumë e fort.”

Andi Lila analizoi edhe momentin jo pozitiv që po kalon Kombëtarja e Shqipërisë, duke shprehur besim se rezultatet do të vijnë, me shpresë se kthesa do të ndodhë prej transfertës së Qershorit në Izrael.

“Grupi është i njëjtë ashtu si edhe lojtarët. Edhe fati nuk na ka ndihmuar. Me fitoren kundër Izraelit do të ishim brenda objektivave. Nuk mendoj që po kalojmë një krizë sepse jemi një skuadër që vjen nga Europiani dhe pritej shumë nga ne. Nëse skuadra luan futboll, rezultatet do të vijnë patjetër. Mendoj që jemi në rrugë të mirë dhe në Qershor kemi ndeshjen me Izraelin që është rivali ynë direkt. Shpresoj shumë që të kemi edhe fatin me vete. Ndeshja në Izrael është shumë e rëndësishme për ne dhe unë kam besim te skuadra, sepse e kemi treguar në fushë që kemi bërë ndeshje të mëdha.”

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: